Ditën e martë Këshilli Bashkiak miratoi buxhetin për vitin 2013 pas një mbledhjeje maratonë me debate dhe akuza mes të djathtëve që kanë shumicën dhe kryebashkiakut Qazim Sejdini
Ervin Sanja
Është miratuar dje buxheti i Bashkisë Elbasan, i cili përllogaritet në një shumë prej 1 miliardë lekësh. Një buxhet i tillë gjithsesi është quajtur i fryrë nga të djathtët e Këshillit Bashkiak, ndërsa janë ngritur akuza të shumta ndaj kryebashkiakut të majtë, Qazim Sejdini.
Ndër akuzat kryesore ka qenë fakti se në vitin 2012 bashkia nuk ka mundur të mbledhë të ardhurat e duhura për shkak të favorizimeve selektive që kryetari i bashkisë u ka bërë bizneseve. Një akuzë e tillë ndaj Sejdinit është ngritur nga një prej të djathtëve, Eugen Isaj.
Por kreu i Bashkisë është shprehur se mosmbledhja e taksave të biznesit ka ardhur nga kriza ndërsa mosrealizimi i të ardhurave ka ardhur si pasojë e pezullimeve të lejeve të ndërtimit për shkak se pritet që qeveria të miratojë Planin Rregullues. Një gjë e tillë ka çuar edhe në mungesë të ardhurash gjatë vitit 2012, vit që pati një buxhet të përafërt me atë të miratuar dje.
Një fakt tjetër i përmendur nga kryebashkiaku ishte shpallja e falimentit në QKR nga më shumë se 300 biznese. Ai tha se numri i bizneseve të mbyllura ka ardhur si pasojë e krizës. Madje Sejdini akuzoi edhe Degën e Thesarit se po bllokon punën e bashkisë për shkak të vendimeve politike për zgjidhjen e detyrimeve mes bashkisë dhe qytetarëve si rezultat i proceseve gjyqësore, duke u shprehur se do të kërkojë ndjekjen penale të drejtueses së degës së Thesarit për veprimet në dëm të bashkisë.
Buxheti prej 1 miliardësh është quajtur i parealizueshëm nga e djathta, ndërsa kreu i bashkisë tha se ai është brenda rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërkohë që u shpreh se pritet të miratohen vendime që do t’i hapin rrugë zhvillimit. Një ndër oguret e mira drejt rritjes ekonomike është edhe rruga Elbasan-Tiranë. Investimet në vitin 2013 nuk pritet të jenë të shumta dhe janë të përqendruara në disa rrugë kryesore dhe sheshe, si dhe rikonstruksione shkollash.
Ndër problemet kryesore që ka Elbasani është vjelja e taksave. Përveç mbylljes së bizneseve, problem përbën fakti që është lënë peng mbledhja e taksave të ndërtimeve për shkak të hartimit të ligjit nga ana e qeverisë dhe mosmiratimi i planit rregullues. Një gjë e tillë bën që të mos jepen dot lejet e ndërtimit dhe të mos vilen taksat përkatëse. Gjithashtu taksat përkatëse të pastrimit dhe gjelbërimit nuk mblidhen dot nga bashkia edhe pse ia kaluar këtë mbledhje një të treti. Pavarësisht se kjo taksë përfshihet në faturën e ujësjellësit rezulton se kjo ndërmarrje vjel të ardhura vetëm nga 18 000 familje në Elbasan, në një kohë që bashkia numëron 28 000 familje.