Qeveria miraton kriteret për përzgjedhjen e inspektorëve financiarë

Dita

Qeveria miratoi sot procedurat e përzgjedhjes dhe të shpërblimit të ekspertëve të jashtëm, punonjësve të administratës publike apo jashtë saj, të cilët do të angazhohen në kryerjen e inspektimit financiar publik.

Për kryerjen e inspektimit financiar publik, në rastet e mungesës së burimeve njerëzore nga njësia përgjegjëse për inspektimin financiar publik në Ministrinë e Financave, si dhe të mbulimit të fushave specifike të inspektimit financiar publik, me vendim të Nëpunësit të Parë Autorizues angazhohen ekspertë të jashtëm, punonjës të administratës publike apo jashtë saj.

Këshilli i Ministrave vendosi këto kritere që duhet të plotësojë eksperti, punonjës i administratës publike, për t’u përzgjedhur inspektor financiar publik, janë:

a) Të jetë i pajisur të paktën me diplomë universitare “Master i Shkencave” ose ekuivalente me të;

b) Të ketë të paktën 5 (pesë) vite përvojë profesionale në njësitë publike.

Nuk mund të angazhohen për inspektim financiar publik ekspertët, punonjës të administratës publike, që ushtrojnë funksionet e titullarit të njësisë publike, nëpunësit autorizues, gjyqtarit, prokurorit, oficerit të policisë gjyqësore, audituesit të brendshëm dhe punonjësit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Kriteret që duhet të plotësojë eksperti i jashtëm i administratës publike për t’u përzgjedhur inspektor financiar publik janë:

a) Të jetë i pajisur të paktën me diplomë universitare “Master i Shkencave” ose ekuivalente me të;

b) Të jetë i pajisur me licencë dhe/ose certifikatë profesionale në fushën përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi që rregullon profesionin përkatës

c) Të jetë i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe të ketë status aktiv;

ç) Të mos ketë detyrime të papaguara fiskale dhe të sigurimeve shoqërore;

d) Të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.

Në rastet e angazhimit të ekspertëve jashtë administratës publike në inspektim financiar publik, përpara caktimit, njësia përgjegjëse për inspektimin financiar publik kërkon prej tyre:

a) një dokument që vërteton se ka plotësuar detyrimet fiskale dhe ka paguar të gjitha detyrimet e sigurimeve shoqërore, të lëshuar nga administrata tatimore për tre muajt e fundit;

b) vërtetim nga prokuroria dhe gjykata, që nuk është në ndjekje penale, lëshuar muajin e fundit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *