Qeveria ka nisur dje zyrtarisht procedurat për shitjen e INSIG, kompanisë së vetme publike në tregun e sigurimeve e që figuron si e tillë që prej vitit 1991. Ministria e Financave ka publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve shpalljen për shitjen me tender të aksioneve të INSIG.
Tenderi do të zhvillohet në datës 10 mars të këtij viti, ku shoqëritë e interesuara për blerjen e INSIG duhet të paraqesin ofertën në Ministrinë e Financave. Sipas qeverisë, forma e privatizimit do të jetë shitja 100 për qind e aksioneve të kompanisë së vetme të mbetur publike në tregun financiar.
Vlera e 100% e aksioneve të shoqërisë “INSIG” sh.a është përcaktuar 15,305,000 (pesëmbëdhjetë milionë e treqind e pesëmijë) Euro e konvertuar në lek, me kursin e këmbimit të datës së publikimit të “Ftesës për ofertë” datë 25.01.2016. Forma e shitjes së Shoqërisë “INSIG” sh.a . Tiranë, do të jetë tenderi i hapur, mbështetur ne VKM nr. 529 datë 21.08.1998 “Për procedurat e tenderimit të paketave të aksioneve të shoqërive tregtare që zotërohen nga shteti” i ndryshuar, si dhe VKM nr. 546 datë 18.06.2015 “Për caktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të aksioneve të Shoqërisë INSIG sh. a”. Vitin që lamë pas qeveria përcaktoi edhe kriteret e vlerësimit të ofertave përmes një vendimi të posaçëm.
Sipas formulës, peshën më të madhe të pikëve, prej 80 për qind, do ta ketë çmimi i ofruar, ndërsa plani i biznesit dhe cilësia e blerësit do të kenë respektivisht nga 10 pikë. Paralelisht, çdo ofertues duhet të garantojë ofertën e tij me një depozitë fikse prej 30 milionë lekësh. Sipas vendimit, kushtet e kontratës që do të lidhet me shoqërinë fituese duhet të marrin miratimin nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Gjatë këtyre viteve kompania ka humbur vazhdimisht në treg.
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për periudhën janar- nëntor të vitit të kaluar kompania arkëtoi 667 milionë lekë nga primet duke zënë kështu 5.7 për qind të tregut të sigurimeve në vend nga 6.3 që zinte dy vjet më parë.
Kompania vjen për rishitje të paktën pas katër dështimesh për t’u privatizuar. Është tentuar të privatizohet kjo kompani nga qeveria e kaluar të paktën tre herë, por që kanë rezultuar përpjekje të parealizuara duke ulur në të njëjtën kohë dhe vlerën e saj në treg. /Dita/
