Më 4 dhjetor, kabineti qeveritar zhvendoset në Vlorë. Qeveria e ndërmerr këtë iniciativë të pazakontë në nderim të mbledhjes së parë të qeverisë së Ismail Qemalit, e cila u zhvillua në 4 dhjetor 1912.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, përmes një konference për shtyp pak pas mesditës.
“Në orën 10:00 qeveria shqiptare nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha do të mbajë mbledhjen e radhës në qytetin e Vlorës në nderim të këtij akti, në nderim të veprës së Ismail Qemalit. Pra në 4 dhjetor do të jemi përsëri në Vlorë”, tha Bregu për mediat.
Rastësia ka bërë që mbledhja e radhës e qeverisë të qëllojë në të njëjtën ditë me mbledhjen e parë të qeverisë së Ismail Qemalit 100 vite më parë. Kjo ka bërë që qeveria “Berisha” të ndërmarrë një iniciativë, ndoshta për të shlyer paksa në këtë mënyrë borxhin që i ka Vlorës, pas zhvendosjes së festimeve në Tiranë më 28 Nëntor.