Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve hapin konkursin për realizimin e shtatores së Dom Nikollë Kaçorrit. Në njoftimin e saj për mediat, GKA thekson se konkursi ka karakter mbarëkombëtar, ndërsa kërkohet që veprat që do të paraqiten në konkurrim të jenë figurative dhe realiste. Dorëzimi i bocetit duhet bërë me lartësi nga 50 cm deri në 90 cm dhe mund të realizohet në materiale të ndryshme. Afati i fundit është data 29 prill.
Dom Nikollë Kaçorri ishte figurë e njohur e qeverisë së parë shqiptare. Ai ishte një nga firmëtarët e aktit të pavarësisë dhe numri dy i qeverisë së Ismail Qemalit.
Dy vjet më parë, kthimi në atdhe i eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit bëri bujë në media, për shkak të skandalit qeveritar që e shoqëroi. Eshtrat e atdhetarit të shquar u sollën nga Austria në 9 shkurt 2011, por për pritjen e tyre në aeroport nuk u organizua asnjë ceremoni zyrtare. Asnjë qeveritar shqiptar, madje as nga ndonjë i rangut më të ulët, nuk ishte i pranishëm në momentin e mbërritjes së tyre. Skandali u bë më i madh për shkak të mënyrës sesi u transportua arkivoli me eshtrat e personalitetit të njohur të historisë së Shqipërisë. Ai u soll në kryeqytet me një karrocë mallrash.
Nderime te perjetshme Dom Nikollit! Shyqyr e bene kaq pak gje per kete figure te madhe te shqipnise.