Klima e të bërit biznes në vendin tonë mbetet ende larg mundësive potenciale. Për këtë qëllim qeveria jonë ka shpallur planin tre vjeçar 2016-2018 të reformave në favor të biznesit, të cilat kanë dhe një kosto që shkon rreth 1 milionë euro.
Çfarë na pret këtë vit?
Sipas planit të qeverisë masat e këtij viti do të fokusohen në uljen e barrierave rregullatore të biznesit dhe zbatimin efektiv të kredive të këqija. Kështu është parashikuar që në vitin 2016 të aktivizohet Qendra Kombëtare të Biznesit (QKB), zbatimi i rekomandimeve të raportit mbi autorizimet; rishikimi i licencave ekzistuese dhe lejeve të lëshuara nga QKB-ja (ish-QKL-ja), me qëllim heqjen e kërkesave të panevojshme; përfshirjen në platformën e-licencim për të gjitha licencat, lejet dhe autorizimet, kur është e mundur apo lehtësimin e praktikave për lejet e ndërtimit nëpërmjet thjeshtimit të procedurave.
Viti 2017-2018
Sipas projektit të qeverisë në dy vitet pasardhëse institucionet do të vijojnë me përgatitjen e rekomandimeve për ndryshime legjislative për licencat dhe lejet, përfshirjen në platformën e-licencim për të gjitha licencat, lejet dhe autorizimet, kur është e mundur, trajnime për stafin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe 61 bashki, monitorimin e përhershëm i implementimit të aktiviteteve reformuese.
Sa është kostoja e llogaritur?
196,000 euro për bërjen e QKB-së funksionale dhe thjeshtimin e procedurave dhe reduktimin e kohës për shërbimet e ofruara nga QKB-ja.
55,000 euro për përfshirjen në platformën e-licencim për të gjitha licencat, lejet dhe autorizimet, kur është e mundur
60,000 euro për lehtësimin e praktikave për lejet e ndërtimit nëpërmjet thjeshtimit të procedurave,
827,000 euro për zhvillimin e iT për të siguruar shërbimin elektronik për lejet e ndërtimit nëpërmjet one stop shop.
