Kosta Barjaba jep argumente se si është abuzuar me buxhetin dhe ekonominë shqiptare. Shpërdorimi i fondeve ka sjellë anomalitë dhe bllokimin e ekonomisë. Nëse nuk do shpërdoroheshin paratë, atëherë çdo vit punësohen nga 30-40 mijë vetë në sektorë të ndryshëm. Në një intervistë për gazetën “DITA” Barjaba flet dhe për rritjen e borxhit publik si dhe shpërdorimin e fondeve nga ana e qeverisë.
Qeveria ka pranuar tashmë se duhet rritur niveli i borxhit publik. Si e vlerësoni ju këtë vendim?
Qeveria po sillet me borxhin në mënyrën më të papërgjegjshme të mundshme. Pasi u orvat të manovrojë me fshehjen e treguesve realë të borxhit, por nuk ia doli, tashmë po bën një manovër tjetër, më të rëndë: po e legjitimon rritjen e borxhit, duke krijuar për të një mbështetje ligjore. Nëse fshehja e borxhit ishte një veprim i dënueshëm moralisht dhe politikisht, ligjërimi i rritjes galopante të borxhit, është një veprim akoma më i rëndë. Me këtë manovër qeveria kërkon të bëjë bashkëfajtorë opozitën, qytetarët dhe gjithë shoqërinë. Nesër, kur të vijë koha që për këto veprime të papërgjegjshme të jepet llogari, qeveria do të kërkojë të fshihet pas këtij fakti. Ligjërimi i rritjes së pakufizuar të borxhit s’mund të ketë emër tjetër veçse ligjërim i papërgjegjshmërisë. Problemi nuk është thjesht dhe vetëm pse borxhi rritet në mënyrë të pakontrolluar. Mali i borxhit dhe kostot e larta të shërbimit të tij po pakësojnë financimet publike për mjaft shërbime jetësore për qytetarët. Gjasme-reformat në arsim, shëndetësi, punësim dhe shërbime vetëm emrin kanë të tillë sepse janë, në fakt, manovra për të fshehur mungesën e burimeve financiare. Borxhi i lartë pa kufi i ngjan një shtrese rëre lëvizëse, e cila vetëm e tërheq ekonominë dhe vendin poshtë e më poshtë. Shërbimi i borxhit ka thithur financime publike që mund të ishin përdorur për programe dhe investime të tjera publike. Vetëm me pagesën vjetore të shërbimit të borxhit, rreth 600 milionë USD, i cili merret për interesa elektorale dhe do të shtoja edhe klienteliste, të qeverisë, mund të hapeshin nga 30 deri në 40 mijë vende pune në vit. Ose mund të përdoreshin për të ofruar shërbime publike jetike për qytetarët. Manovrat financiare të qeverisë, për shkak të mungesës së likuiditeteve, nuk mund të mbulojnë katrahurën financiare të vendit.
Viti ardhshëm pritet të jetë një nga vitet më të vështirë sa i përket ekonomisë. Cilat janë masat që duhet të ndërmerren për të minimizuar sa më shumë krizën?
Kriza ekonomike dhe financiare e vendit duhet parë në sy dhe duhet lexuar siç është në të vërtetë. Kriza nuk përballohet e zgjidhet me manovra të çastit, por me vizion dhe përgjegjësi kombëtare. Dhe leximin e saj qeveria ka dëshmuar se nuk e bën dot vetëm. Ajo duhet të dëgjojë institucionet ndërkombëtare, opozitën e vendit të vet dhe ekspertët e pavarur. Vendi ka nevojë për një konsensus kombëtar për kapërcimin e krizës, jo thjesht miratimin e tre ligjeve për të gënjyer BE-në dhe veten. Kjo duhej të fillonte nga pushimi i ditirambeve për buxhetin e madhërishëm dhe hartimi i një buxheti të kujdesshëm. Pastaj skenarët e mëtejshëm të përcaktohen prej këtij konsensusi.
Zëra, jo vetëm të politikanëve, por dhe të ekspertëve të ekonomisë, pohojnë se qeveria e re, e cila do të dalë nga zgjedhjet e qershorit do të gjejë një buxhet të boshatisur dhe do ta ketë të vështirë qeverisjen. Mendoni dhe ju se PD po përdor një skenar grek në këtë pikë?
Është e vërtetë se qeverisja e nesërme socialiste do të përballet me këto vështirësi. Edhe ato pak lekë që do të kenë mbetur në thesin e shpuar të qeverisë do të shpërdorohen për fushatën elektorale. Qeveria e njeh skenarin grek dhe padyshim frymëzohet prej tij. Por qeveria përzgjedh dhe lexon ato pjesë të skenarit që i interesojnë dhe jo fundin e tij. Skenarin grek e lexojnë edhe institucionet ndërkombëtare. BE-ja mësoi nga kriza greke se përgjegjësia e zhvillimit të vendit nuk është vetëm e qeverisë, por edhe e opozitës. Kur qeveria e djathtë greke furnizonte BE-në me shifra të gënjeshtërta të ekonomisë dhe financave greke dhe opozita e majtë i dërgonte shifrat reale, BE nuk krijoi sensibilitetin e nevojshëm për ta parandaluar rënien e Greqisë. Kam bindjen se leksioni grek po shërben për një lexim realist të skenarit shqiptar.
Shumë emigrantë kanë nisur të kthehen në Shqipëri duke krijuar kështu rritje të papunësisë, por dhe ulje të të ardhurave. Keni një evidencë se sa do të jenë të ardhurat e emigrantëve për vitin 2013 dhe në çmasë do të ndikoj kjo në ekonominë e vendit?
Sot një në tre shqiptarë është emigrant, ndërkohë që globalisht ky raport është një në shtatë. Ndërkohë që kthimi i emigrantëve shqiptarë nuk mund të konsiderohet një kthim i suksesshëm, por kthim prej dështimit, për shkak krizës, të projekteve të tyre migruese në vendet pritëse. Shqipëria është një ndër pritësit më të mëdhenj të remitancave në nivel global. Në pikun e tyre, në vitin 2007, në Shqipëri hynë rreth 500 USD remitanca për frymë. Remitancat përbëjnë një ndër burimet më të fuqishme të financimit të ekonomisë shqiptare dhe rreth 15 përqind të të ardhurave familjare. Ato kanë arritur deri në 15 përqind të GDP-së dhe aktualisht kanë zbritur në më pak se 9 përqind të saj. Gjatë dy viteve të fundit u konstatua ndalimi i rënies së vrullshme të remitancave. Madje, sipas Bankës së Shqipërisë, në vitin 2011 pati një një rritje të lehtë të tyre, nga 692 milionë euro, në krahasim me 696 milionë euro që ishin në vitin 2010. Vlerësimet e Bankës Botërore për vitin 2012 bëjnë fjalë për një ulje të lehtë, rreth 3 përqind, të remitancave. Kështu që për vitin 2013, për shumë arsye, nuk pritet rritje, por vetëm rënie e remitancave të emigrantëve shqiptarë. Rënia e remitancave do të ndikojë më ndjeshëm në mbijetesën e familjeve shqiptare sesa si një burim financimi për ekonominë e vendit. Të dhënat nga Greqia tregojnë se emigrantët kanë filluar të jetojnë me kursimet e tyre dhe kjo është pika e fillimit të kthimit të emigrantëve. Remitancat, duke qënë një nga burimet kryesore të konsumit, do të përkeqësojnë cilësinë e jetës së popullsisë. Sidomos po të mbajmë parasysh se një vit i një pjesëtari të familjes në emigrim sjell rritjen rreth 5 përqind të konsumit të familjes së tij në Shqipëri.
Duke qenë se ju jeni një nga hartuesit e Programit të Partisë Socialiste “Për Një Rilindje Shqiptare”, cila është strategjia e opozitës për ta nxjerrë vendin nga varfëria?
Kjo qeveri flet për shumë çudira. Njeri prej “rekordeve” të saj është ulja e varfërisë jo nëpërmjet hapjes së vendeve të punës, por vetëm nëpërmjet rritjes së pagave dhe pensioneve. Sipas qeverisë, gjatë periudhës 2002-2011, papunësia është ulur me 2 përqind, ndërsa varfëria me 12 përqind. I bie që ndërsa nga papunësia kanë dalë rreth 30 mijë persona, nga varfëria dolën mbi 400 mijë, pra rreth 13 herë më shumë. Pra, sipas kësaj logjike, varfëria e shqiptarëve as nuk shkaktohet prej papunësisë, as nuk luftohet nëpërmjet punësimit. Politikat e sforcuara për të ulur varfërinë nëpërmjet rritjes së pensioneve, jo vetëm nuk sjellin ulje reale të varfërisë, por e rikthejnë vendin në skenarin grek. Prandaj Programi “Për Një Rilindje Shqiptare” nënvizon qartë se rruga kryesore e uljes së varfërisë do të jetë hapja e vendeve të punës. Vendet e reja të punës do të krijojnë mundësi që pensionet të rriten jo nëpërmjet subvencioneve buxhetore, por nëpërmjet shtimit të kontribuesve. Dhe rritja e pensioneve do të jetë jo thërrimore dhe elektorale, por e konsiderueshme dhe dinjitoze. Gjate tryezave të Programit Socialist nëpër Shqipëri qytetarët shqiptarë më kanë bindur për një të vërtetë: nuk duan lëmosha, por mundësi punësimi dhe akses. Madje, më kujtohet se malësorët kuksianë nuk paraqitën ndonjë interes të madh sesi ne do të reformojmë Programin e Ndihmës Ekonomike, por kërkuan politika aktive punësimi, aksesi dhe zhvillimi për fshatin. Politikat dritëshkurtra të kësaj qeverie kanë bërë që rreth 62 përqind e popullsisë së vendit ka rënë në kurthet e varfërisë. Prandaj Programi Socialist parashikon si kryeprioritet për të luftuar varfërinë hapjen e vendeve të punës.