Edhe pse të ardhurat në buxhetin e shtetit gjatë muajit prill nuk janë realizuar nga administrata fiskale, përsëri kemi një rritje të shpenzimeve publike. Dhe kjo ishte e pritshme, pasi tashmë fushata zgjedhore është e hapur dhe qeveria shqiptare nuk po pyet më për financat publike. Nga të dhënat paraprake të Ministrisë së Financave, rezulton se gjatë muajit prill të ardhurat në buxhet llogariten në vlerën 106.6 miliardë lekë, ndërkohë që ishin planifikuar 108.1 miliardë lekë.
Me rënie të ndjeshme janë të ardhura nga Tatimi i Vlerës së shtuar me 3.6 miliardë më pak se planifikimi dhe të ardhurat nga akciza me 1.6 miliard lekë më pak. Ndërkohë, vërehet se janë rritur shpenzimet korrente gjatë kësaj periudhe, ku ishin planifikuar 103.6 miliardë lekë, ndërkohë që janë shpenzuar 104.9 miliardë lekë. Me rritje mbi planifikimin rezultojnë edhe shpenzimet kapitale, ku nga 21.7 miliardë lekë qe ishte planifikimi janë shpenzuar 25.8 miliardë lekë.
Kjo vërtetohet edhe me faktin se në të gjithë vendin janë hapur projekte të reja, si dhe janë bërë pagesa për të mbyllur punimet në objektet e nisura një vit më parë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, shpenzimet arritën në vlerën 129.4 miliardë lekë, gjë që solli një deficit buxhetor në mbi 22.7 miliardë lekë. Performanca jo e mirë në realizimin e të ardhurave, e ka shoqëruar administratën fiskale gjatë gjithë vitit të kaluar. Në programimin vjetor të buxhetit të ardhurat janë llogaritur të jenë në vlerën 360.6 miliardë lekë, shpenzimet në 409.5 miliardë lekë dhe deficiti në vlerën 48.9 miliardë lekë.
