Qeveria shpërblen me 2 paga policët e Lazaratit

redaktor

Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit të Brendshëm, miraton shpërblimin me deri në dy paga për çdo efektiv policie që mori pjesë në operacionin antidrogë në Lazarat. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të Qeverisë “Rama” dhe përfshin rreth 800 efektivë të Policisë së Shtetit, të roleve të ndryshme. Nga efektivët e rolit bazë të Gjirokastrës, tek agjentët e Antidrogës, specialistët e antikrimit, FNSH-të, “Delta Force”, reparti RESI dhe RENEA. Sipas vendimit të miratuar, llogaritet se çdo efektiv do të përfitojë 70-120 mijë lekë të reja shpërblim dhe bilanci i përgjithshëm që do lëvrojë ekzekutivi për Ministrinë e Brendshme llogaritet 1 milionë dollarë për shpërblimet. Qeveria njoftoi se ka miratuar fondin 165 milionë lekë të reja, por nga këto 650 mijë lekë do të lëvrohen për shërbimet e tjera që iu deshën Policisë së Shtetit, në zërin “mallra e shërbime”. Kurse 100 milionë lekë të reja do shpërndahen për efektivët. Pagat e efektivëve pjesëmarrës janë të ndryshme për kategoritë që përfaqësojnë. Paga e një polici të thjeshtë ndryshon nga ajo e forcave specialeve dhe po kështu pagat e drejtuesve të sektorëve dhe të vetë drejtuesve të Policisë së Shtetit që përfshihen në këtë shpërblim, janë të larta.

Shuma do të përballohet nga buxheti i Shtetit dhe kjo është hera e parë që ekzekutivi shpërblen njëkohësisht një numër të lartë punonjësish policie, për një operacion të një shkalle të tillë vështirësie dhe ku nuk pati asnjë humbje jete. Megjithatë shuma e dhënë për forcat që u angazhuan në Lazarat, sërish mbetet sa gjysma e asaj që qeveria “Berisha” shpërbleu forcat e rendit për “21 janarin”, ku u vranë 4 protestues të opozitës. Ndërhyrja në Lazarat nisi në 15 qershor në mbrëmje dhe brenda 5 ditësh rrethimi, policia arriti të merrte kontrollin në gjithë territorin. Aktualisht janë asgjësuar 70 tonë drogë dhe rreth 134 mijë bimë narkotike. Janë kapur mbi 400 armë, mijëra municione të lehta dhe të rënda, kontrolluar rreth 900 banesa dhe arrestuar 49 persona. Më poshtë vendimi i plotë:

 

Vendimi i plotë

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.1998, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

1. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme për programin “Policia e Shtetit”, për mbulimin e shpenzimeve të operacionit të Policisë së Shtetit, të kryer në Lazarat, Gjirokastër, të shtohet fondi prej 165 428 500 (njëqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë e katërqind e njëzet e tetë mijë e pesëqind) lekësh, i specifikuar, si më poshtë vijon:

a) Për shpërblimin e punonjësve të policisë të angazhuar në këtë operacion, 100 000 000 (njëqind milionë) lekë dhe masa e shpërblimit të jetë deri në dy paga mujore.

b) Për shpenzime të tjera “Mallra e shërbime”, 65 428 500 (gjashtëdhjetë e pesë milionë e katërqind e njëzet e tetë mijë e pesëqind) lekë.

2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

3. Ngarkohen ministri i Financave dhe ministri i Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *