Me një përkeqësim të motit, si asnjëherë tjetër në kaq vite vërshuan lumenjtë mbi çdo anë. Qeveria e sotme premtoi që nuk do të ndodhnin më kurrë probleme, se atëherë e kishte fajin Saliu që nuk dëgjonte e punonte. Kurrë nuk do ta kisha besuar dhe nuk do ta kisha uruar që të kishte viktima nga mbytjet. Por fatkeqësia ndodhi dhe askush nuk e gjen dot fajtorin. Fajtori është vetë qeveria që rri e flet përralla nga e kaluara dhe nuk ulet e të punojë. Arsyet e këtyre përmbytjeve janë të shumta dhe paralajmërimi që kishin dhënë ato ishin të qarta, një dite do të kishte viktima. Si mund të ndodhte ndryshe kur ky KM premtoi që do bënte reforma të mëdha dhe nuk do të kishte më përmbytje në këto zona. Tani ai hesht dhe fshihet mbas perdes së Kryeministrisë. Ministri i Bujqësisë dhe Ujërave së bashku me Ministrin e Mjedisit nuk dinë çfarë të bëjnë. Situata është aq kaotike sa nuk mund të bësh më gjë tani, veçse te lutesh që të mos ketë më viktima dhe dëme ekonomike materiale. Në një vit qeverisje kjo qeveri duhet të kishte marrë masa urgjente duke filluar me hapin e parë për të parë situatën e lumenjve tanë, kjo fazë nuk kërkon më shumë se një muaj punë me strukturat që kanë këto dy ministri. Faza e 2-të do te ishte që të ndaloheshin menjëherë makineritë që merrnin rërën e zhavorrin nga lumenjtë tanë, qofshin ato me leje apo pa leje pasi shtretërit e lumenjve janë shkatërruar plotësisht. Faza e 3-të do të ishte sistemimi i shtretërve të lumenjve dhe pyllëzimi anës tyre duke krijuar kështu një barrikadë të fortë në vërshimin e lumenjve dhe në mbajtjen e shtratit të paprishur. Faza e 4-të do të ishte sistemimi i mirë i hidrovoreve dhe kthimi i tyre në një gjendje të mirë për të mos shkaktuar përmbytje në zonat urbane. Vetëm me kaq pak gjë sot nuk do të kishim një gjendje të tillë, viktima dhe shkatërrime të tokave bujqësore dhe dëme të konsiderueshme materiale e ekonomike.
Besmir Agalliu, ambientalist.
