Qeveria u detyrohet kompanive të ndërtimit rreth 100 milionë euro. Kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi, thotë për “Shekullin” se ky borxh ka bërë që shumë firma të shkojnë drejt mbylljes pothuajse fare të aktivitetit.
Ato kanë pushuar njerëz, ose edhe ata që nuk kanë pushuar kanë bërë një ulje të rrogave deri në masën 30 për qind. Ndërkohë, edhe numri i apartamenteve të pashitura ka shënuar rritje, kjo për shkak të situatës së vështirë ekonomike. Sipas Shoqatës së Ndërtuesve janë gjithsej 12 mijë apartamente të pashitura në të gjithë vendin. “Rreth 5 mijë janë në Vlorë, rreth 2500 janë në Sarandë, rreth 300 në Korçë, rreth 4500 në Durrës.
Në Tiranë për sa i përket zonës së Bashkisë së Tiranës janë pak, sepse flasim vetëm për Bashkitë, kur nuk themi për Kasharin dhe zonat e tjera, pra shifra është rreth 600-700 apartamente”, thotë Maksim Muci, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve.