Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave i është hapur drita jeshile miratimit nga Parlamenti të projektit për ndarjen e re administrative-territoriale të vendit. Pa asnjë surprizë të minutës së fundit, Qeveria miratoi propozimin e hartuar nga komisioni i posaçëm parlamentar. Qeveria nuk ka ndryshuar qëndrim për sa i përket Bashkisë së Himarës, pavarësisht pakënaqësive të shprehura nga aleati i qeverisë Vangjel Dule nga PBDNJ dhe Omonia e Vasil Bollanos.
Ndarja e re
“Qëndrimi ynë për reformën administrative-territoriale është i qartë dhe i prerë në mbështetje të propozimit të ardhur nga komisioni parlamentar i reformës. Projekti për ndarjen e re është me 61 bashki të cilat kanë dalë pas një analize të detajuar për funksionalitetin e secilës në bazë të kritereve të miratuara më parë nga komisioni. Së bashku me relacionin dhe mendimin pro për ndarjen, Këshilli i Ministrave do të dërgojë në Kuvend të gjitha materialet shoqëruese të propozimit që lidhen me analizën funksionale të njësive të qeverisjes vendore të propozuara sipas hartës së re, si dhe dokumentacionin e plotë që lidhet me procesin e konsultimeve të kryera në të gjithë Shqipërinë”, deklaroi ministri i Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi. Lidhur me debatin për Himarën ministri dha këtë përgjigje: “Himara është një bashki e Shqipërisë si gjithë të tjerat. Ajo është një nga 58 zonat funksionale. Nuk është minoritare”, tha Çuçi. Do të jetë data 31 Korrik 2014 që shënon seancën e fundit të kësaj legjislature parlamentare, momenti kur parlamenti pritet të shqyrtojë variantin e propozuar nga qeveria për reformën territorial.
Rama merr pesë deputetët e Idrizit, por humbet po aq të vetët
“Pesë me hiç” ka rezultuar manovra e mazhorancës për të afruar partinë e Shpëtim Idrizit në komisionin për reformën territoriale. Pesë votat që ka Idrizi janë zeruar për shkak se ai ka humbur deri dje po aq vota nga të vetët. Vangjel Tavo i LSI, dhe Vangjel Dule i PBDNJ për shkak se u morën parasysh propozimet e PDIU janë shprehur kundër dhe nuk e votojnë projektin e qeverisë. Po ashtu edhe Parid Cara dhe Pjerin Ndreu kanë shprehur rezerva duke bërë që mazhoranca të mos përfitojë asgjë nga afrimi i Idrizit, por vetëm trazim brenda vetes.
Bashkimi i minoritetit me Konispolin, Tavo kundër
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo është shprehur kundër variantit për Reformën Territoriale për bashkimin e minoritetit grek me Konispolin dhe Delvinën. “Jam kundër bashkimit të minoritetit me Konispolin dhe Delvinën. Bashkimi shkel të drejtat e njeriut”-kështu u shpreh deputeti i LSI-së, Tavo në një prononcim për mediat. Sipas Tavos, ky është një variant që shkel parimet e Reformës Territoriale. Ndërkohë, nga ana tjetër ai është shprehur pro krijimit të Bashkisë së Konispolit. “Jam pro krijimit të Bashkisë së Konispolit dhe jam pro variantit 5 të paraqitur”, shtoi më tej Tavo. Tavo ka theksuar se duhet të merren parasysh të gjitha kërkesat e vetë banorëve. Duke u ndalur tek çështja e Himarës, Tavo ka propozuar që të pyeten vetë himariotët nëse duan apo jo të bashkohen me Vranishtin, siç e parashikon dhe ndarja e re e Reformës Administrativo-Territoriale. Ndarja e re territoriale ka shkaktuar debate dhe pakënaqësi si nga përfaqësues politik, deputet, dhe vetë banorët, si dhe minoritarët grek.
Deputeti i PS, Cara: Do votoj kundër
Deputeti socialist i Kavajës, Parid Cara, ka paralajmëruar votën kundër për ndarjen e re territorial. Ai thotë se është kundër propozimit që zona e Kryevidhit të mos jetë nën varësinë e Kavajës. Nëse kjo ndodh, Cara thotë se do të votojë kundër kësaj ndarje në Kuvend. “Miq, harta e re e propozuar për ndarjen e territorit të Kavajës nuk ka marrë formë përfundimtare. Po nëse vendoset për versionin ku zona e Kryevidhit nuk do të jetë në administrimin e Kavajës, siç ka qenë dekada me radhë, atëherë në cilësinë e deputetit të zonës do të ndërmarr hapa konkrete për ndryshimin e kësaj situate. Gjatë 24-viteve te fundit, Kavajën e kanë copëtuar në forma të ndryshme, por tani nuk duhet të jetë më kjo kohë. Nëse do propozohet ky variant final, vota ime do të jetë kundër Reformës Territoriale”, shprehet Cara.
Pjerin Ndreu: Nuk më pyeti njeri për ndarjen
Listës së deputetëve që kanë dalë kundër ndarjes së re territoriale i është bashkuar edhe deputeti i Tiranës, Pjerin Ndreu. Ndreu i është bashkangjitur qëndrimit të deputetit tjetër të PS, Parid Cara. “Mbështes deputetin e Kavajës Parid Cara në të drejtën e tij për të ndalur ndarjen territoriale në dhurata e qoka të dëmshme për interesat e komunitetit. Asnjë nuk ka marrë mendim as për zonën time elektorale deri tani meqë ra fjala..!” shprehet Ndreu në Facebook. Deputeti Ndreu është zgjedhur në qarkun e Tiranës dhe ka pasur në patronazh zonën e Kamzës dhe Paskuqanit për të bindur votuesit për të dhënë votën për Partinë Socialiste. Deputetët e PS-së, Ndreu dhe Cara janë të parët nga grupi i PS-së që shprehin rezerva për reformën territorialo-administrative.
Dule: Ndarja e re për qëllime elektorale
Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule dhe Organizata “OMONIA” e drejtuar nga Vasil Bollano zhvilluan dy ditë më parë një takim me banorët e Himarës, ku kanë kundërshtuar ndarjen e re territoriale. Dule u shpreh se varianti i propozuar për ndarjen territoriale ka qëllime elektorale. Ai ka vënë theksin vetëm në ndarjen territoriale në Himarë. “I mbrapshtë dhe me pasoja të rrezikshme nëse do të institucionalizohet është thjeshtë dhe vetëm elektoral. Ka individë që mund të kenë edhe funksione institucionale që kanë ndikime dhe në qendrat vendimmarrëse në vend që duan të imponojnë këtë zgjidhje me një qëllim të vetëm, të kontrollojnë pushtetin e ri lokal në Bashkinë e re. Duan thjeshtë dhe vetëm ta përdorin Vranishtin si një trupë elektorale”, tha Dule.

Qeveria u rezistoi presioneve te PDIU -se, nuk e pranoi projektin me 74 njesi vendore ,por i detiroi te pranojne ata projektin me 61 njesi . Bravo qeverise .