Qeverisja nuk ka pse të matet me afate 300 ditëshe

anazapta

Nga mesi i korrikut e në ditët e para të gushtit, kabineti qeveritar në tërësi dhe ministritë veçmas, zhvilluan analiza të punës së tyre për 300 ditët e qeverisjes të koalicionit PS-LSI. Nga këto analiza del se qeveria i ka realizuar detyrat e programuara për këtë periudhë, si bazë për t’i arritur objektivat e këtë viti e në vijimësi.

Mirëpo, sipas një pjese të opozitës, qeveria nuk ka bërë asgjë. Kryetari i PD-së Lulzim Basha bën me dije se ato janë 300 ditë të mbushura me premtime dhe mashtrime, largime masive nga puna, emërime kriminale, korrupsion politik, shitblerje votash, ndërsa krimi dhuna dhe brutaliteti kanë pushtuar shtetin (tvklan.al/basha-300-dite-premtime-dhe-mashtrime)!!!

Për shkak të moshës së re dhe të edukimit në një vend me demokraci të konsoliduar, kam shpresuar që Basha të shkëputej nga trashëgimia e liderit historik Berisha që mohon çdo arritje të vendit kur nuk është vetë në pushtet. Askush nuk pret që opozita të vlerësojë në mënyrë objektive punën e qeverisë të rivalit politik; në të kundërtën, përpiqet të zbulojë të meta sado të vogla qofshin, që t’i zmadhojë e të fitojë “kapital” politik për vete. Mirëpo shprehje të tilla nuk janë kritika për qeverinë por bitum mbi realitetin.

Sigurisht gjendja nuk është rozë, dhe analizat e zhvilluara në nivele të ndryshme të qeverisjes duhet të jenë ndalur më gjatë në anët negative por, në tërësi, në 300 ditët që ikën ka pasur përmirësime kudo: në rend, mbrojtje, ekonomi-financë, arsim, shëndetësi etj.

Pa dyshim që arritja më e qartë e kësaj periudhe është pranimi i Shqipërisë nga strukturat vendimarrëse të BE si vend-kandidat në familjen e madhe europiane. Në këtë arritje ka pjesën e vet edhe qeverisja e tetë viteve të kaluara, por fakt është se Komisioni Europian dhe 28 vendet e BE krijuan bindje të plotë për efektivitetin e reformave vetëm pak muaj më parë. Detyra akoma më të vështira për qeverinë (dhe për opozitën) në rrugën drejt integrimit europian dalin në të ardhmen. Madje kryetari i ri i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, deklaroi se nuk do të ketë zgjerim të BE në këto pesë vjetët e ardhshëm.

 

Frenimi i rënies ekonomike, arritje e rëndësishme

Në aspektin ekonomik dhe financiar arritja më e rëndësishme është frenimi i rënies ekonomike dhe i thellimit të mëtejshëm të krizës financiare. Qeveria Rama arriti të rilidhë mbi një bazë të re mirëkuptimi dhe bashkëpunimi marrëdhëniet me FMN si dhe të rrisë besimin në institucionet e tjera financiare dhe bankare ndërkombëtare për të kredituar ekonominë shqiptare. Forcimi i stabilitetit makroekonomik, shlyerja e detyrimeve financiare të prapambetura të krijuara në vite nga qeveria e PD- së, e shoqëruar me reduktimin e procedurave, po i jep një nxitje të re zhvillimit të biznesit privat.

Qeveria dhe Kuvendi kanë miratuar një varg ligjesh që kanë konkretizuar zotimet e fushatës elektorale të 23 qershorit 2013, për ndryshimin e sistemit të tatimit mbi të ardhurat personale nga “i sheshtë”, që godiste personat me të ardhura të ulëta dhe të mesme, në tatimin progresiv si një sistem më i drejtë që mishëron parimin: kush fiton më shumë duhet të paguajë më shumë se edhe shteti shpenzon më shumë se për grupet e tjera. Arritjet e drejtorive të tatimeve dhe të doganave, prej nga mblidhen mbi 90 për qind të ardhurave të buxhetit, tregojnë efektivitetin e masave të ndërmarra gjatë kësaj periudhe.

Në linjën e zbatimit të programit të saj, qeveria dhe Kuvendi miratuan dhe zbatuan një varg aktesh ligjore dhe nënligjore që ndikojnë në mirëqënien e shtresave të gjera shoqërore siç janë ato për heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar për barnat, zgjerimin e gamës të barnave të rimbursueshme, për ligjërimin e ndërtimeve përmes një procesi që përballohet nga shteti për ata që kanë ndërtuar në tokën e tyre, për ngritjen e sistemit të arsimit të lartë në standartet e BE etj.

Në fund të sesionit, më 31 korrik 2014, Kuvendi miratoi disa ligje shumë të rendësishme, që kërkonin një shumicë të cilësuar prej mbi 84 vota, në fushën e drejtësisë, rendit, sigurimeve shoqërore, administrimit të territorit dhe qeverisjes vendore etj., të cilat do të hedhin bazat institucioanle për një reformim të thellë dhe afatgjatë në këto fusha.

Me miratimin e ligjit të ri të pensioneve, Qeveria synon të parandalojë thellimin e mëtejshëm të defiçitit buxhetor përmes zgjerimit të skemës së kontributeve, reduktimit të informalitetit, rritjes së punësimit, heqjes së tavanit të përfitimeve për ata që paguajnë më shumë dhe këto, pa lejuar rënien e masës të pensioneve aktuale. Këto kritere krijuan një bazë mbështetje edhe nga bashkimet sindikaliste.

Ministri pranë qeverisë për pushtetin vendor dhe një komision i Kuvendit, me mbështetjen e agjencive ndërkombëtare dhe të disa vendeve mike, për gati 300 ditë organizuan dhe koordinuan punën e organizmave studimore jo-qeveritare të cilat përpunuan disa variante të ndarjes territoriale-administrative, nga të cilat u miratua ndarja me 61 bashki. Për fat të keq, një pjesë e opozitës e kryesuar nga PD mbeti në qëndrim kundërshtues, pa një alternativë të sajën. Kurse tani kërcënon se do t’i bojkotojë zgjedhjet e ardhshme vendore të 2015-ës.

 

Qeveria në punën e saj normale

Prej fillimit të tranzicionit e deri më sot, praktika ka treguar se qeveritë reklamojnë arritjet, kurse opozita mosrealizimet. Shembull tipik i vetëlavdërimit të punës së qeverisë së vet ka qenë ish kryeministri Berisha. Në çdo mbledhje qeverie dhe sa herë binte fjala për punën e qeverisë apo të ndonjë segmenti të saj, termi që ai ka përdorur më shumë ishte: ”shkëlqyeshëm”.

Qeveria Rama është më e përmbajtur në këtë drejtim, por mendoj se në të ardhmen të raportojë për arritjet dhe mosrealizimet e detyrave të programuara në ligjin për buxhetin e vitit 2014 jo me ditë por me afate 3-6-9-12 mujore, duke përdorur të dhëna periodike që publikon INSTAT dhe Ministria e Financave.

Analiza e realizimit të detyrave të përcaktuara në ligjin për buxhetin e vitit 2014 do të shërbejë si një bazë e shëndoshë për hartimin e projekt-buxhetit të vitit 2015, puna për të cilin duhet të nisë në fillim të shtatorit nën udhëheqjen metodike të Ministrisë të Financave.
Hartimi sa më real dhe shkencor i projektbuxhetit të vitit 2015 kam mendimin se përbën edhe një rast për të rishikuar disa pjesë të programit të miratuar në Kuvend në shtator 2013 pasi, tashmë qeveria dhe institucionet e saj kanë një njohje më të thellë të situatës ekonomike dhe financiare të trashëguar nga qeverisja e PD-së.

Me kujdes të veçantë mendoj se duhet të saktësohen sidomos objektivat ekonomike dhe sociale që lidhen me punësimin, me hapjen e vendeve të reja të punës, me rritjen e pagave dhe pensioneve për grupe të caktuara shoqërore, për shëndetësi falas, për uljen apo heqjen e TVSh për disa artikuj dhe shërbime të shportës etj.

Dhe më në fund: kam mendimin se duhet të shmanget përdorimi i shprehjeve reforma radikale, përmbysje radikale etj. Në Shqipëri po kryhen reforma normale, në përputhje me rrjedhat europiane, që do t’i zbatojnë shqiptarët me kulturën ligjore, arsimore, zakonore, me të mirat dhe të metat që ata kanë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *