Vendimin e parë të Qeverisë Rama, për ndalimin e importit të plehrave, është afirmim i vullnetit të saj për t’u shërbyer qytetarëve, të cilët, në mënyrë spektakolare, vendosën ta sjellin pushtet. Si mjek, ndjehem shumë i gëzuar për këtë vendim, që do ta përmirësojë në mënyrë të dukshme jetën dhe shëndetin e popullit.
Ne të gjithë jemi dëshmitarë, se si qeveritë e kaluara, nuk treguan asnjë kujdes për ambientin. Qytetet dhe gjithë vendet e banuara, u mbytën nga plehrat. Të gjithë lumenjtë, përrenjtë dhe liqenet e vendit u kthyen në depozita plehrash. Sikur të mos arrinte kjo, me ligj sanksionuan dhe sjelljen e plehrave të Evropës në Shqipëri, pa pyetur për shëndetin e qytetarëve, mjafton që ata të përfitonin si të babëzitur, prej këtij aktiviteti të fëlliqur.
Industria kimike, megjithëse e re, rreth 100 vjeçare, ka krijuar substancë, që sot, mund të themi se kërcënojnë mbijetesën njerëzore. Arsyetimet e pa baza të Qeverisë Berisha se importojmë plehra jo të rrezikshme, synonin të mashtronin njerëzit, sepse plehrat të gjitha janë të rrezikshme për shëndetin.
Në këtë artikull do të shkruaj për rrezikun e atyre plehrave, që qeveria që larguam dhe shumë të pangopur të tjerë, i quajnë të parrezikshme.
Para pak kohësh pashë filmin “The Disappearing Male”. Në këtë film tregohet për një grup kimikatesh, që janë shumë të rrezikshme, veçanërisht, për dëmtimet seksuale që shkaktojnë.
Në Shqipëri janë raportuar shumë keqformime kafshësh e shpendësh të ndryshme, të cilat janë konsideruar si çudi të natyrës. Shkenca e ka bërë gjithnjë e më të qartë se, kimikatet në ambient shkaktojnë ndryshime të dukshme tek kafshët në përgjithësi, veçanërisht, tek kafshët e gjinisë mashkullore. Kjo fatkeqësi, nuk lë pa prekur edhe “kafshën” njeri.
INFERTILITETI ËSHTË RRITUR KUDO
Në filmin që përmenda më sipër, tregohet një dhomë pritjeje në një klinikë infertiliteti, e mbushur plot me njerëz që presin në radhë të vizitohen, sikur të ishte një dhomë urgjence. Në gazetën “Dita”, disa javë më parë shkruajta se infertiliteti, në shkallë botërore, prek deri 32% të çifteve. Sipas statistikave, në Botë, një në gjashtë çifte përpiqet pa sukses, për të ngjizur një fëmijë.
Fatkeqësisht, unë nuk e di sa është shkalla e infertilitetit në Shqipëri. Këtë duhet ta thonë institucionet që merren me këtë problem. Këtë duhet ta thonë ministrat e shëndetësisë (veçanërisht ata me specialitet obstetër/gjinekolog), që kurrë, nuk hapën gojën për të ndaluar importin e plehrave në Shqipëri. Por, edhe pse nuk e kam këtë statistikë, unë them me siguri se, janë të shumta çiftet që më janë drejtuar me pyetje, lidhur me përpjekjet që bëjnë për të ngjizur pasardhës.
Ka dy fakte botërisht të mirënjohura:
- Sot, infertiliteti, është bërë një fenomen i shpeshtë, madje, më i shpeshtë nga shumë fenomene të tjera negative që përjeton njerëzimi.
dhe
- Infertiliteti, është pasojë e veprimit shkatërrues të kimikateve që ndodhen në ambient, mbi hormonet tona. Pra, fajtori kryesor për infertilitetin janë kimikatet.
Ulja e numrit të spermatozoideve tek burrat, është problem shumë i rëndë. Ai është aq i rëndë, sa e ka detyruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ta ulë vazhdimisht normën, lidhur me numrin e spermatozoideve në spermën e burrave. Pra, “norma” që pranohet sot, është shumë më e ulët se e disa dhjetë vjeçarëve më parë. Pse ka ndodhur kjo? Vetëm, për të lënë sa më shumë burra me shpresë, duke i klasifikuar si “pjellorë”.
Kimikatet që shkatërrojnë numrin dhe kualitetin e spermatozoideve janë shumë të përhapur në botën e sotme moderne. Ato janë me shumicë në produktet për kujdesin personal, në ambalazhet e ushqimit, në tubetet e barnave, në lodrat e fëmijëve, e shumë të tjera. Dy grupet kryesore të kimikateve që dëmtojnë në këtë drejtim janë: Bisphenol-A (BPA) dhe Phthalatet.
Bisphenol-A (BPA)
Është përbërësi i zakonshëm në shumë materiale plastike, përfshi ato të shisheve të ujit, lodrave të fëmijëve, veshjen e shumicës se kanoçeve. Kohët e fundit u zbulua se edhe shumë tiketa të kasave në dyqane, përmbajnë kimikate. BPA është shumë e përhapur. Për të përfytyruar këtë, mjafton të themi se ajo është zbuluar në kordonin umbelikal (kërthizën) e 90 përqind të porsalindurve që u testuan!
Studimet e fundit kanë vërtetuar se BPA prish fertilitetin mashkullor, duke prishur kualitetin e spermatozoideve. Është bërë një studim, që është publikuar në revistën Fertility and Sterility. Ky studim, është evidenca e parë epidemiologjike për efektet negative të këtyre lëndëve kimike mbi kualitetin e farës mashkullore. Tek burrat me nivel të lartë të BPA në urinë, kërkuesit kanë gjetur anomalitë e mëposhtme:
- Ulje e përqëndrimit të spermatozoideve
- Ulje e numrit total të spermatozoideve
- Ulje e vitalitetit të spermatozoideve
- Ulje e lëvizshmërisë së spermatozoideve
Meshkujt në urinën e të cilëve zbulohej BPA, krahasuar me ata që nuk zbulohej BPA, kishin:
- Tre herë më të ulët përqendrimin e spermatozoideve dhe tre herë më të ulët vitalitetin e tyre.
- Katër herë më të ulët numrin e spermatozoideve
- Dy herë më të ulët lëvizshmërinë e spermatozoideve.
Edhe tek gratë, BPA ul shanset për suksesin e fertilizimit in vitro (IVF). Kjo ndodh sepse këto lëndë prishin kualitetin e “oocyte”-ve (qelizën vezore të papjekur). Dy studime të fundit, e vërtetojnë këtë konkluzion praktik. Njëri studim konstatoi, se sa më i lartë përqëndrimi i BPA në urinën e gruas, aq më të ulëta shanset për fertilizim. Studimi tjetër konstatoi, se BPA është gjetur në urinën e shumicës së grave që i janë nënshtruar IVF. Ky studim konstatoi, gjithashtu, se sa më shumë BPA në urinë, aq më pak “oocyte” në ovaret e gruas dhe aq më i ulët është niveli i hormonit estradiol.
Phthalatet
Janë një grup tjetër kimikatesh, që dëmtojnë shëndetin riprodhues. Ekspozimi ndaj “phthalate”-ve bën që testikujt e fetusit të mos zbresin plotësisht, pakësohet numri i spermatozoideve, djemtë lindin me atrofi testikulare dhe anomali strukturale.
Phthalatet zakonisht gjenden në vinylin e dyshemesë, në detergjentet, në plastikat, në sapunin, shampo, deodorantë, fragranca, sprej për flokët, manikyret, qeset plastike, ambalazhet ushqimore, në tubat vaditës, në lodrat që digjen, në qeset ku ruhet gjaku, në tubat për injeksionet intravenozet, e të tjera.
Këto kimikate që “mposhtin burrërinë”, janë shkaku i shumë defekteve të lindura tek meshkujt. Vitet e fundit këto defekte janë rritur 200%, krahasuar me disa dekada më parë.
Tregu dhe ambienti tek ne, është plot me kimikate që kanë aftësinë të dëmtojnë shëndetin riprodhues, veçanërisht, kur ekspozimi me këto lëndë ndodh kur fëmija është, në bark të nënës, ose gjatë fëminisë së hershme. Ka të dhëna që tregojnë, se ekspozimi ndaj kimikateve të ambientit, mund të çojë në prishjen e funksionit endokrin. Në disa kafshë, nën veprimin e këtyre kimikateve, janë vënë re ndryshime të çuditshme, siç janë peshqit meshkuj të transformuar në femra, bretkosat me defekte që kanë disa testikuj ose disa vezore (ovare), janë konstatuar arinj hermafroditë, e të tjera.
Efekte negative janë vënë re edhe tek njerëzit. Phthalatet, duke prishur endokrinet, janë shkaktare për atrofinë testikulare dhe anomali të tjera strukturale të testikujve. Në eksperimente me minjtë është konstatuar se, phthalatet frenojnë veprimin e androgjenit fetal dhe për pasojë prishet zhvillimi gjinor i pasardhësve meshkuj. Testet nuk zbresin që në lindje dhe më vonë shfaqen tumore testikulare.
Studimet kanë gjetur, gjithashtu, se djemtë, nënat e të cilëve ishin ekspozuar shumë ndaj phthalateve kur ishin shtatzëna, kishin shumë rreziqe për demaskulinizim dhe pakësim të prodhimit të testosteronit. Sa më shumë që një grua shtatzënë ekspozohet ndaj phthalateve, aq më i madh është rreziku që djali i saj të ketë penis të vogël dhe moszbritje komplete të testeve. Prishet zhvillimi i aparatit riprodhues të fëmijës. Shkencëtarët thonë se këto kimikate të dëmshme, duket se e bëjnë më femëror gjithë traktin gjenital të djemve. Phthalatet e kanë këtë efekt negativ, sepse ato pakësojnë sintezën e testosteronit, përmes prishjes së enzimës që duhet për prodhimin e hormonit mashkullor.
Studimet kanë treguar se, shumica e fëmijëve prematurë janë pasojë e ekspozimit të gjatë, ndaj përqendrimeve të larta të phthalateve. Ato ndodhen në materialet plastike (PVC), në tubat e ndryshme mjekësore dhe në shumë pajisje të tjera. Çdo tub plastik që lidhet me një të porsalindur, rrit shkallën e ekspozimit ndaj phthalateve. Fëmijët prematurë që kalojnë javë dhe muaj në repartet neonatale intensive, e kanë nivelin e ekspozimit shumë të lartë.
TË BABËZITURIT PËR PARA, LOBOJNË FORT!
Në literaturë thuhet se një qytetar tipik, në një vend të zhvilluar, rregullisht, bie në kontakt me rreth 6000 kimikate dhe me një numër tjetër të pallogaritur substancash toksike, që janë më të rralla. Ekzistojnë, afërsisht, 75. 000 kimikate që prodhohen rregullisht nga industria. Nga këto të dhëna kuptohet lehtësisht, se gjithkush është i ekspozuar ndaj tyre. Shqetësues është fakti, se shumica e këtyre kimikateve, kurrë, nuk janë testuar siç duhet, për efektet e tyre negative mbi të rriturit, pa lëre më për influencën e tyre të dëmshme, në kontingjentin më vulnerabël, siç janë fëmijët.
Industria kimike e ka kundërshtuar me forcë testimin e kimikateve, lidhur me zhvillimin e trupit të fetusit, kur ai ekspozohet që në uterus. Me sa duket, ata shqetësohen nga zbulimi i efekteve toksike të këtyre lëndëve. Nuk ka, absolutisht, asnjë kërkim toksikologjik që të marrë në studim efektet e shumta negative të ekspozimit simultan me disa kimikate. Nuk dihet se cili është toksiciteti sinergjist i gjithë këtyre kimikateve që sot, ka dëmtuar realisht jetët e njerëzve.
Industria farmaceutike, industria e ushqimeve të përpunuara dhe industria kimike, zotërojnë fuqi të jashtëzakonshme mbi organet e pushtetit dhe të legjislativit dhe i përdorin ata për të kaluar ligje në favor të tyre. Kjo ndodhi edhe tek ne, me vendimin për importin e plehrave.
Nuk pyetet më për shëndet të popullit. Flitet për fitime marramendëse. E vetmja ç’mund të bëhet është që gjithkush të mundohet të mbrojë veten e vet.
Askush, nuk i di pasojat shëndetësore të këtyre koktejleve kimike as tek të rriturit, pa le më tek fëmijët, që janë duke u zhvilluar. Nuk ka dyshim, se ne të gjithë do të paguajmë me çmim të lartë për këtë neglizhencë. Por, imagjinoni sa i madh do të jetë dëmi tek një embrion dhe një fetus, që është duke u zhvilluar me shpejtësi më të madhe se i rrituri.
Gjatë këtij zhvillimi të vrullshëm të embrionit, ndarja qelizore dhe rritja, është e shumë e shpejtë. Këto ndryshime të shpejta rritin shanset për t’u shfaqur gabime zhvillimi të shumta. Nga sa thamë më sipër, është e kuptueshme se djemtë janë në rrezik më të madh, por në të vërtetë, askush nuk është i sigurtë.
Është koha që çdo person dhe qeveria, duhet të bëjnë, gjithçka mundet, që të largojnë dhe pakësojnë kimikatet nga vendbanimet dhe shtëpitë. Një mënyrë tjetër efikase për të pakësuar ngarkesat toksike, është të bëjmë kujdes për ushqimet që hamë. Ushqimet e rritura organikisht, janë çelësi për sukses. Ato kanë edhe një të mirë tjetër, sepse kur hamë drejt, ne optimalizojmë sistemin tonë detoksifikes natyral. Kjo do të ndihmojë eliminimin e toksinave nga trupi ynë.
Qeveria që sapo erdhi në pushtet, i ka vënë vetes detyrën të hapë 300. 000 vende të reja pune. Unë marr kurajën, ndonëse jo ekonomist, të propozoj një mënyrë shumë të vlefshme, për hapjen e këtyre vendeve të punës. Të organizohen puna masive për përmirësimin dhe pastrimin e qyteteve dhe vendbanimeve, për t’i shndërruar ato në vende ku të jetohet sa më shëndetshëm. Të sistemohen e pastrohen lumenjtë, përrenjtë dhe liqenet e ndotura. Të hapet kanalet vaditëse, drenazhimet dhe gjithçka e nevojshme për të mbrojtur qytetet nga përmbytjet, për pastrimin e tyre nga mbeturinat e hedhurinat e rrezikshme dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Një vend i tillë pune nuk do kushtojë mijëra euro dhe kjo punë, besoj, ia vlen që diçka të sakrifikohet, le të shtyhet shlyerja e borxhit edhe një vit.
New York, Shtator 21, 2013

Bota dhe USA te shqetesuar:
Vetem ZOTI e di nese Z.Rama mund te shpetoje “vendin e pashprese” Shqiperine.
.S’me duket shenje e mire kjo mua. Vetem delir madheshtie shoh te ai njeri.
Bravo shkruesit te ketij artikulli.
Shqetesim real dhe mjaft kercenues ne prespektive.
Si do te zgjidhet kjo? Asnje qeveri deri tani nuk e ka care koken per ndotjen helmuese te Tiranes. Mbase duhet braktisur ky qytet ashtu si Cernobili.
Ja cfare njerezish na kane qeverisur.
Zoti ja dhente shperblimin sejcilit pre tyre sipas asaj qe I takon,