Një nga problemet e depilimit është futja e qimeve nën lëkurë. Ato përbëjnë një shqetësim për të gjitha femrat, pasi në vend që të zhvillohen në drejtim të jashtëm dhe të çajnë lëkurën për të dalë, rriten në drejtim të kundërt, duke mbetur nën lëkurë. Kjo shpesh shkakton skuqje, dhe inflamacion. Mund të shfaqen në zonën e mjekrës, të vetullave, në këmbë apo në gjoks. Shpesh shoqërohen edhe me infeksione të lehta.
Trajtimi
Trajtimi më i mirë në rastin e qimeve nën lëkurë është parandalimi. Për këtë, në farmaci ekzistojnë një sërë kremrash, të cilat rekomandohen të përdoren menjëherë pas depilimit.
Produkte estetike të kësaj kategorie dobësojnë strukturën e qimes dhe pengojnë rritjen e saj në krah të kundërt.
Të tjera mënyra janë edhe elektroliza apo depilimi me lazer. Në raste të agravuara, kur ato shoqërohen me infeksion, mjeku mund të rekomandojë antibiotikë të përgatitur enkas si eritromiciona apo klindamicina.
Për parandalimin e shfaqjes së qimeve nën lëkurë është thelbësore ushqyerja e lëkurës dhe hidratimi menjëherë pas depilimit me aparaturën që mbajmë në shtëpi apo me brisk.
Kujdes të veçantë duhet të bëjnë personat që kanë lëkurë të thatë, pasi ky lloj lëkure e bën më të vështirë daljen e qimeve mbi lëkurë. Shumë efikase janë edhe trajtimet eksfoliante apo skrabi natyral, si p.sh. ai me bazë kripe apo sheqeri.
Për burrat, është e rëndësishme drejtimi i briskut të rrojës gjatë heqjes së mjekrës. Duhet shmangur prerja e qimeve në krahun e kundërt të rritjes dhe të mos ushtrohet shumë presion shtypës gjatë rruajtjes.