Qindra punonjës të shëndetësisë “vrapojnë” në kërkim të krediteve

anazapta

Frika se mos humbasin vendin e punës, apo licencën profesionale deri në marrjen e provimit të shtetit, ka dyndur me qindra punonjës të sektorit shëndetësor drejt Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim për të kërkuar ndonjë“kredit” nga aktivitetet kualifikuese të mbetura për t’u zhvilluar deri në mbyllje të vitit. Ndonëse programi i ricertifikimit ka nisur prej 5 vitesh, në mbyllje të tij, janë me qindra mjekët, stomatologët dhe farmacistët që kanë neglizhuar freskimin e njohurive në specialitetin e tyre, duke mbetur në nivelin e zero kreditove. Burime pranë kësaj qendre bëjnë me dije se pas paralajmërimeve të dhëna për pezullimin e licencës dhe humbjen e vendeve të punës është vënë re një interesim i madh pranë qendrës së edukimit dhe urdhrave profesionalë, për të mësuar në lidhje me aktivitetet që do të zhvillohen në 3 muajt e mbetur, në mënyrë që të fitohen disa kredite, të cilat mund të shtyjnë humbjen e vendit të punës. Neglizhenca në marrjen në kualifikimin e këtyre njohurive ka bërë që në shumë raste pacientit të mos i jepet shërbimi cilësor. Drejtuesit e strukturave spitalore publike dhe private në të gjithë vendin kanë marrë urdhrin që të fillojnë verifikimet mbi numrin e krediteve të fituara nga çdo punonjës i strukturave të tyre. Në urdhrin më të fundit të marrë nga Bordi i Ricertifikimit dhe Akreditimit, u bënë disa ndryshime në“Dokumentin Rregullator të Ricertifikimit dhe Akreditimit për profesionistët e shëndetësisë”, ku përcaktohet se ndëshkimet nuk do të ndalen vetëm tek personeli i punësuar në publik, por edhe tek strukturat shëndetësore private. Personeli që nuk ka fituar asnjë kredit deri në mbyllje të vitit humbet kontratën e punës, ndërsa ata që kanë fituar disa kredite, por jo në nivelin e kërkuar duhet që brenda 6 muajsh të japin provimin e shtetit, në të kundërt e humbasin dhe ata vendin e punës.

 

Penalitetet për poliklinikat dhe spitalet publike

Atyre profesionistëve, që në përfundim të ciklit të parë kanë ende 0 kredite, vendi i punës iu bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca. Që prej ditës kur njoftohen nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV), drejtuesit e institucioneve shëndetësore kanë përgjegjësinë për shpalljen e vendit vakant, çdo tre muaj brenda vitit, deri në paraqitjen e një kandidature të përshtatshme. Njëkohësisht, urdhri profesional përkatës pezullon licencën. Këta profesionistë rifitojnë të drejtën për t’u punësuar dhe licencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. Ndërsa për profesionistët me më shumë se 0 kredite, por më pak se limiti i kërkuar do të vazhdojnë punën, por ndërkohë duhet të japin provimin e shtetit brenda 6 muajve, që prej ditës kur njoftohen nga qendra e edukimit. Në të kundërt, pas 6 muajsh, edhe këtyre profesionistëve vendi i punës iu bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca.  Drejtuesi i institucionit shëndetësor ka përgjegjësinë për shpalljen e vendit vakant, çdo tre muaj  brenda vitit pasardhës, deri në paraqitjen e një kandidature të përshtatshme. Njëkohësisht, urdhri profesional përkatës pezullon licencën. Këta profesionistë rifitojnë të drejtën për t’u punësuar dhe licencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit.

 

Penalitetet për spitalet private

Për profesionistët e sektorit privat që në përfundim të ciklit të parë kanë 0 kredite, urdhri profesional përkatës pezullon licencën, pas njoftimit të marrë nga QKEV. Edhe këta profesionistë fitojnë të drejtën për t’u rilicencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. Profesionistët e sektorit privat që kanë më shumë se 0 kredite, por më pak se limiti i kërkuar do të vazhdojnë punën, por ndërkohë duhet të japin provimin e shtetit brenda 6 muajve. Këta profesionistë fitojnë të drejtën për t’u rilicencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. Provimi i shtetit për të gjithë profesionistët që nuk përmbushin kërkesat do të administrohet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Shpenzimet për kryerjen e provimit mbulohen nga vetë profesionisti.

 

Detyrimet e reja në kontrata e spitaleve

Në mbështetje të nenit 33 të Ligjit për Kujdesin Shëndetësor, si dhe për të lehtësuar procesin e ricertifikimit për profesionistët e shëndetësisë, institucionet shëndetësore dhe aktorët e tjerë të sistemit të edukimit në vazhdim duhet të vënë në zbatim disa mekanizma motivues për profesionistët, ku parashikohet : “Përfshirja e detyrimeve të programit të ricertifikimit në kontratat individuale të spitaleve e qendrave shëndetësore me mjekët dhe personelin e përfshirë në programin e ricertifikimit. Përfshirja e indikatorit të edukimit të vazhdueshëm në kontratat e Fondit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor. Promovimi i mjekëve në pozicionin e shefit të klinikës ose të shërbimit të kushtëzohet nga plotësimi i numrit të rekomanduar vjetor të krediteve të edukimit në vazhdim”.

“Në ciklet pasardhëse kërkesat e programit të ricertifikimit do të mbeten të njëjta me ato të ciklit të parë. Numri i rekomanduar i krediteve për çdo vit është 30 për mjekët dhe 20 për farmacistët dhe stomatologët”

Për çdo cikël udhëheqjeje të praktikës profesionale, profesionistët që janë miratuar si udhëheqës praktike nga Urdhrat përkatës të profesionistëve, përfitojnë kredite sipas kriterit 1 cikël ndjekje praktike do vlerësohet me 10 kredite.

Në rastet kur profesionisti ka marrë pjesë si lektor në aktivitete të edukimit në vazhdim me kohëzgjatje më shumë se një javë, llogaritja e krediteve do të bëhet mbi bazën e orëve të leksioneve të kryera, sipas të njëjtit kriter 1 orë x 1.5 kredite”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *