Qysh prej fëminisë, kam qenë i fiksuar ndaj numrave – pjesërisht më pak, ndaj fjalëve. Ky ‘mallkim’ më ka ndjekur pothuaj pa ndërprerje edhe gjatë viteve që kam hedhur ca gurë në pellgun e mediave shqiptare (të më falin këto të fundit për metaforën).
Por në këto dy rrjeshta që po shkruaj sot, do të bëj një ‘pushim’ nga numrat. Dhe sebep për këtë pushim të shkurtër, u bë një mesazh elektronik i sime mbese, e cila punon aktualisht në Kejp Taun të Afrikës së Jugut. Mesazhi i saj, praktikisht, ishte një britmë uluritëse për kasapanën e paralajmëruar të 1000 qingjave dhe 1000 deshëve në mes të Tiranës.
Ajo kishte lexuar një lajm mbi këtë therrje të paralajmëruar të 1000 qingjave dhe 1000 deshëve në mes të Tiranës, në të cilin citohej kryeministri i vendit të saj të origjinës të kishte thënë: “Ti z. Ministër i Bujqësisë, duhet të marrësh të gjitha masat për të përzgjedhur 1000 desh e 1000 qingja për festën…Ju gazetarët mund të shihni me habi, kur flas për therrjen e deshëve, por ju siguroj që nuk është ide origjinale – kjo është një praktikë e ndjekur edhe nga lartësitë më të mëdha…”
Dhe ime mbesë ishte pataksur nga këto fjalë të kryeministrit të vendit të saj të origjinës, sepse i kishin kujtuar therrjen e një qingji në sytë e saj kur ishte vocërrake (që edhe sot e tmerron) dhe i sillnin në mendje vargjet arkaike që përshkruajnë bërjen kurban të një qingji nga Ibrahimi, për hir të birit të tij Ismail, 3 mijë e ca vjet më parë…
E pra, kjo ishte pak a shumë përmbajtja e mesazhit elektronik të sime mbese, që më shkuli përkohësisht nga ‘mallkimi’ i numrave, për të shkruar këto dy rrjeshta për kasapanën e parashikuar të qingjave e deshëve në mes të Tiranës, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Me ç`kam dëgjuar, Amadinexhadi i Iranit, kur bën ndonjë meting në Teheran, e rrethon sheshin me qingja të pjekur, në mënyrë që varfanjakët të mbushin sheshin për të ngrënë ndonjë copë mish falas. Në mbarim të metingut, varfanjakëve që mbushin sheshin u jepet edhe nga një trastë me patate…
Uroj që sheshet e Tiranës, në 28 nëntor, t`u ngjajnë, së paku, shesheve të Teheranit. Sheshe ku Amadinexhadi u ofron varfanjakëve qingjat e pjekur dhe trastat e patateve, por jo skenat makabre të therrjes së bagëtive në mes të kryeqytetit. Sepse, për diçka më europiane, ndoshta nuk duhet pritur prej një kryeministri që, në mbledhjen e qeverisë, thotë fjalët: “Ti z. Ministër i Bujqësisë, duhet të marrësh të gjitha masat për të përzgjedhur 1000 desh e 1000 qingja për festën…Ju gazetarët mund të shihni me habi kur flas për therrjen e deshëve, por ju siguroj që nuk është ide origjinale – kjo është një praktikë e ndjekur edhe nga lartësitë më të mëdha…”