Ndihma financiare prej 10 miliardë eurosh që BE-ja vendosi për Qipron ka si kusht vendosjen e taksimit të depozitave të qytetarëve nga 6.75% deri në 9.9% të kursimeve të tyre. Kjo ka sjellë tërheqjen masive të parave në depozita, që brenda një jave ka kapur shifrën e 4.5 miliardë eurove
Ishulli i vogël i Qipros rrezikon të paguajë shtrenjtë borxhin e bankave të tij. Ndërkohë, seanca e jashtëzakonshme e parlamentit që duhet të vendoste mbi taksën e detyruar për depozitat bankare, është shtyrë. Të martën dhe të mërkurën bankat qipriote do të mbeten të mbyllura pas lajmit se llogaritë rrjedhëse të qytetarëve do të taksohen, një masë kjo e kërkuar nga BE-ja dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në këmbim të planit të shpëtimit prej 10 miliardë eurosh. Marrëveshja parashikon që Qiproja të paguajë borxhin e saj me komunitetin ndërkombëtar kështu: Ata që kanë të depozituara në llogaritë e tyre më pak se 100 000 euro do t’u mbahet një shumë e barazvlefshme me 6.75% të totalit, ndërsa për ata që disponojnë një shumë më të lartë se 100 000 euro taksa shkon në 9.9%.
Edhe pse seanca parlamentare është shtyrë, negociata intensive, janë në vijimësi për të përcaktuar mënyrën për të afruar qëndrimet e palëve të ndryshme. Ndërkohë drejtuesi i opozitës, Jorgo Lilikas, deklaroi se presidenti i Qipros “ka tradhtuar votën popullore”.Në një komunikatë për shtyp, presidenti i ri Nikos Anastasiades tha se “Qiproja është e detyruar të zgjedhë midis skenarit katastrofik të falimentimit të bankave dhe atij të dhimbshëm, por të kontrolluar të menaxhimit të krizës”. Pastaj në një fjalim publik, presidenti foli për krizën më të rëndë të dhjetëvjeçarëve të fundit (që prej pushtimit të Turqisë në vitin 1974), duke u kërkuar partive që të jenë të bashkuara në aprovimin e masave të nevojshme për të shpëtuar vendin.
Masa e kërkuar veçanërisht nga qeveria gjermane është vendosur edhe mbi bazën e pranisë së madhe të kapitalit rus në ishull, kjo ka ngjallur edhe reagimin e ashpër të presidentit Putin. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, të pasurit rusë kanë përdorur bankat qipriote si “vende të leverdisshme” për riciklimin e parave.Nga frika se qeveria e Anastasiades do të mund të imponojë taksën e rëndë mbi depozitat bankare, vetëm në javën e fundit qindra titullarë të llogarive bankare kanë nxjerrë nga ishulli një kapital prej 4.5 miliardë eurosh dhe bashkë me depozitat e tërhequra që nga fillimi i vitit, shuma arrin në 20 miliardë euro.
Mediat e ndryshme thonë se një pjesë e madhe e depozituesve janë personalitete të qeverisë ose elementë të afërt me ta. Njerëzit janë të irrituar me kërkesat e avancuara të Brukselit nga ministrat e Financave të eurozonës, sepse ato konsiderohen si një “ndëshkim” kundrejt Qipros. Gjithashtu, shumë qytetarë grekë nga frika se mos depozitat e tyre do të taksoheshin në Greqi për shkak të krizës ekonomike, i kishin transferuar të ardhurat e tyre në bankat qipriote dhe pikërisht këtu po ndodh ajo që i druheshin.
Përgatiti: Dorina Gjuzi