“Gjuha politike e Sali Berishës nuk ka të bëjë me këtë nacionalizëm historikisht të kushtëzuar dhe historikisht të çmuar. Jo. Gjuha politike e muajve të fundit e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në të vërtetë është gjuhë e një përmbajtjeje tjetër dhe gjuhë e një ndjenje tjetër: ajo është gjuhë tipike e kiçit patriotik” – thotë Rexhep Qose në këtë intervistë dhënë kryeredaktorit të gazetës DITA, Adrian Thano. Më poshtë, biseda e plotë.
Bisedoi: Adrian Thano
Profesor Qose, vihet re kohët e fundit një shtim i dozave nacionaliste në fjalimet e kryeministrit shqiptar, Berisha. Mendoni se ky do të jetë “flamuri “ i ri i “liderit të paoksidueshëm” Berisha siç e quan me ironi francezja Le Figaro? A ka të bëjë kjo, sipas jush, me fushatën elektorale që po vjen? Apo ka të bëjë me ndjesitë reale politike të Berishës? Apo ka diçka tjetër në këtë mes?
Gjuhën politike të muajve të fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, nuk do ta quaja gjuhë politike nacionaliste siç po e quajnë disa politikanë, historianë, publicistë e gazetarë në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë. Nacionalizmin mbrojtës, nacionalizmin e shprehur me gjuhë joagresive, nacionalizmin e përmbajtur në ideologjinë kombëtare çfarë është ideologjia kombëtare shqiptare prej fillimeve të Rilindjes Kombëtare e vlerësoj dukuri të vetëkuptueshme, të pashmangshme, të domosdoshme, të kulturave dhe të politikave të popujve të rrezikuar, të kërcënuar prej popujve të tjerë e prej shteteve të tjera siç ishte i kërcënuar e i rrezikuar dhe, më në fund, i ndarë dhunshëm populli shqiptar në historinë e tij të re. Gjuha politike e Sali Berishës nuk ka të bëjë me këtë nacionalizëm historikisht të kushtëzuar dhe historikisht të çmuar. Jo. Gjuha politike e muajve të fundit e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në të vërtetë është gjuhë e një përmbajtjeje tjetër dhe gjuhë e një ndjenje tjetër: ajo është gjuhë tipike e kiçit patriotik. Sali Berisha me çdo gjë që bën dhe si bën në të vërtetë prodhon kiç politik e patriotik.
Berisha nuk do ta këtë problem të bëjë nacionalistin, pasi njihet për kapërcime të tilla. Është një ish komunist i kthyer në antikomunist, është së fundi edhe një antizogist i kthyer në zogist. Kujtojmë se është pikërisht kryeministri që firmosi Paktin Detar me Greqinë, kryeministri që firmosi importin e plehrave, pra politikani që ka firmosur risqe të mëdha për integritetin territorial të vendit. Kjo teza e nacionalizmit a mendoni se do të ngjitë ndër shqiptarët, mendoni se mund të funksionojë e të mbledhë vota e simpati popullore Berisha me këtë flamur?
Tani e njëzet e dy vjet Sali Berisha e ka dëshmuar dymijë e dyqind herë se nuk len mjet politik, patriotik dhe kundërpatriotik pa përdorur vetëm e vetëm për të ruajtur a për të fituar pushtetin. E them me përgjegjësi intelektuale, morale dhe materiale se kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është delikuent i rëndë politik. Kiçi i tij politik patriotik, për prodhimin e të cilit muajve të fundit ai përdori e shpërdori emra atdhetarësh të mëdhenj dhe emra tradhtarësh të mëdhenj që ai i ktheu në “atdhetarë” në historinë shqiptare është karremi që ai po ia qet elektoratit shqiptar në zgjedhjet e vitit 2013. Nuk ka dyshim se një numër i zgjedhësve do ta gëlltisë këtë karrem. E kiç patriotizmi është karrem shumë tërheqës! Një pjesë e elektoratit tonë ende mund të përdoret siç janë përdorur elektorati gjerman dhe elektorati italian para Luftës së Dytë Botërore prej kiç monstrave politikë siç ishin Hitleri dhe Musolini! Mjerisht! Njëmijë e njëqind herë mjerisht1
Ka bërë përshtypje fjalimi juaj në Vlorë në ceremoninë e shpalljes Qytetar Nderi i Vlorës. Si ju dukën festimet e 100 vjetorit?
Pas më tepër se nëntë vjetësh, kur isha për herë të fundit, e pashë Vlorën të jashtëzakonshme. Po Vlora, ajo bukuri e gjithmonshme bregdetare, ishte bërë margaritari më i çmuar jo vetëm i bregdetit të Shqipërisë. Ishte rinuar, ishte rritur shumë, shumë në të gjitha pikëpamjet. Shumë ndërtesa të bukura, shumë artiktekturë moderne. Sa bukur u rrinte kjo arkitekturë visoreve të jashtëzakonshme të Vlorës. Dhe sa bukur, sa ndikueshëm, sa frymëzueshëm jehonin kremtimet e 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në këtë Vlorën në të cilën ishin takuar lavdia e të kaluarës së saj historike dhe e sotmja e saj kulturore, qytetëruese, artistike, zhvillimore. M’u bë zëmra mal duke shikuar Vlorën dhe duke marrë pjesë edhe vetë apo duke shikuar gjithë ato veprimtari kremtuese, përuruese, përkujtuese. Kurrkush nuk e përshkroi më bukur se Profesor Ago Nezha Vlorën e 27,28 dhe 29 nëntorit 2012 në esejën e tij Vlora, Perëndesha e Pavarësisë. Vlora kishte qenë gjithmonë, prej vitit 1912, qyteti i shenjtë i Pavarësisë shqiptare, por kësaj here, si tha Ago Nezha, ky qytet ishte bërë Perëndeshë e vërtetë e Pavarësisë Shqiptare. Në Sheshin e Pavarësisë, në Sheshin e Flamurit, në të gjtha sheshet, rrugët, ndërtesat mbizotëronin flamujt kuq e zi me shqiponjën dykrenore. Në Sheshin e Pavarsisë, në Sheshin e Flamurit, në të gjitha anët e Vlorës portretet e babait të Shqipërisë – Ismail Qemalit. Ismail Qemali i madh, Ismail Qemali gjeni, i cili më mirë se askush e kuptoi çastin hstorik kur duhej bërë hapin e madh, vendimtar historik – shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë pavarësisht prej vështrisive e rreziqeve që e rrethonin, ndoshta për herë të parë në këtë 100 vjetor u vu në vendin madhështor që i takon në historinë e popullit shqiptar. Dhe, u vu në këtë vend me portretet e tij në Vlorë e në të gjitha tokat ku jetojnë shqiptarë, dhe u vu me fjalimet që u mbajtën për të, dhe u vu me shkrimet që u botuan për të, dhe u vu me shtatoret e tij që u ngritën në disa qytete shqiptare, dhe u vu në këtë vend, me kremtime, me përurime e me përkujtime të ndryshme të shumta.
Madje, edhe ata shpirtvegjlit dhe mendjepaktit… – siç jeni shprehur
Po.. madje, edhe ata shpirtvegjlit dhe mendjepaktit e paktë që para pak muajsh a javësh deshën ta zvogëlojnë duke e vënë në një radhë me vetje politike jetëshkrimet e të cilëve i shënojnë tradhti kombëtare siç janë Ahmet Zogu e Mustafa Kruja, më në fund u dorëzuan dhe u kthyen në himnizues të rolit të tij historik në historinë shqiptare. Dhe u turrën të mbajnë mbledhje në Ndërtesën e Pavarësisë! Kuku! Kuku!
Vlora e 27, 28 dhe 29 nëntorit 2012 ishte qyteti që mblodhi shqiptarët prej Shqipërisë shtetërore, prej Kosovës, prej Maqedonisë, prej Malit të Zi, prej Luginës së Preshevës, prej Italisë, Turqisë e Greqisë, prej gjithë Evropës, prej SHBA-ve, prej Kanadasë e Islandës. Si të mos i mblidhte. Po aty, në Vlorë, Ismail Qemali me bashkëveprimtarët e tij shpalli Shqipërinë “më vehte, të lirë e të mosvarme” në të gjitha trojet shqiptare dhe për të gjithë shqiptarët. Shqipëria nuk u bë në të gjitha tokat ku shqiptarët ishin popullatë e vetme a shumicë etnike, por edhe ashtu si u bë, pa më shumë se gjysmën e tokave të saj, ajo bëri që shqiptarët që mbetën jashtë kufijve të saj të mbahen në histori, të ruajnë identitetin e tyre kombëtar. Dhe, në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët erdhën prej të gjitha vendeve ku jetojnë që të kujtojnë, që të madhërojnë Ismail Qemalin dhe firmëtarët e tjerë të Pavarësisë. Dhe, t’u thonë: ju, të udhëhequr prej vlonjatit të madh, Ismail Qemalit, bëtë që ne të jemi sot. Të jemi shqiptarë kudo që të jemi dhe të kemi edhe Kosovën shtet që një ditë pashmangshëm do të bashkohet me Shqipërinë.
Nuk mund të thuhet e vërteta e plotë për kremtimet, përkujtimet dhe përurimet e jashtëzakonshme në Vlorën e 27,28 dhe 29 nëntorit 2012 e të mos flitet për kryetarin e Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika. Po Shpëtim Gjika ishte mendja dhe zemra e gjithë këtyre kremtimeve, përkujtimeve e përurimeve mrekullueshëm të organizuara. O sa shumë i duhen Shpëtim Gjikat Shqipërisë sot. Sot dhe nesër.
Përherë më ka pëlqyer një togfjalësh i juaji për të etiketuar qeverisjen në Tiranë: autokraci blegtorale…! Çfarë kini parasysh me këtë, a mund të kemi një zbërthim të këtij termi?
Me atë togfjalësh, autokraci blegtorale, nuk kam etiketuar qeverisjen në Tiranë. Jo. Me atë togfjalësh unë nuk do të shënoja kurrë gjithë qeverisjen në Tiranë sepse në atë qeverisje kanë marrë pjesë edhe figura shumë të rëndësishme dhe shumë të çmuara shtetërore e politike siç janë ish kryetarët Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, mandej ish kryetari Bamir Topi, kryetarët e Partisë Socialiste, Fatos Nano dhe Edi Rama , ministrat e jashtëm Paskal Milo, Kastriot Islami e Besnik Mustafai, kryetarët e Kuvendit të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, Servet Pëllumbi dhe Namik Dokle, kryeministrat Ilir Meta e Pandeli Majko, e të tjerë e të tjerë , të cilët nuk janë treguar autokratë dhe nuk i kam perceptuar si autokratë. Me togfjalëshin autokraci blegtorale kam shënuar vetëm pushtetin e Sali Berishës e të Jozefina Topallit. Nuk janë pulat që shkaktojnë gripin, as derrat që shkaktojnë gripin, me të cilët merret Sali Berisha në vend të ministrit të shëndetësisë; nuk është numri i deshëve dhe i qingjave që kryeministri i Shqipërisë kërkoi të priten për 100 – vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë; nuk janë as katër tonelatat e tortës që kryeministri i Shqipërisë kërkoi të bëhet e t’u shpërndahet njerëzve në rrugë ashtu siç u shpërnda e u shqelmua ajo – nuk janë, pra, të gjitha këto “mrekulli” bujqësore arsyeja pse autokracinë e tij dhe të kryetares së Kuvendit e kam quajtur autokraci blegtorale. Arsyeja pse pushtetin e tyre e kam quajtur autokraci blegtorale janë: primitivizmi i tyre politik e pushtetor; gjuha e tyre politike vulgare; veprimet e tyre aq shpesh banale; marrëzitë e tyre politike dhe administrative; dhuna e papërmbajtur në sjelljet dhe në fjalët e tyre ndaj kundërshtarëve politikë; përçmimi i tyre ndaj Kushtetutës dhe ligjeve; trajtimi i shtetit si të ishte fshat pa kanun i kohës së Tanzimatit. E të tjera. E të tjera.
Kur i shihja ato dy krijesa politike e shtetërore çka bëjnë, kur i vështroja si sillen, kur i dëgjoja çka flasin, kur i dëgjoja ulurimat kërcënuese dhe fyese të kryeministrit dhe kiç diksionet fyese të kryetares së Kuvendit ndaj disa deputetëve, ndaj kryeprokurorit e kryeprokurores, ndaj ish-kryetarit Bamir Topi, kur e dëgjoja dhe e shihja këtë përmbysje vulgare të edukatës familjare e të kulturës qytetare në Kuvendin e Shqipërisë së sotme, pyesja veten: çka u bë me dinjitetin e me krenarinë e Shqipërisë së Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës, Fan Nolit, Enver Hoxhës, Rexhep Meidanit, Alfred Moisiut? Si lejon Shqipëria t’i vulgarizohen ashtu edhe dinjiteti, dhe krenaria politike e shtetërore?!
Si lejon Shqipëria të dhunohet ashtu në kohën e demokracisë që e gëzon Evropa sot? Deri kur? Si lejon Shqipëria të jetë kampione e korrupsionit në Evropë? Deri kur?
Profesor, faleminderit
