QSHA\ Lista e 1388 infermierëve që testohen për punësimet e reja

Ornela

Pranvera Kola Infermierët janë të parët që do t’i nënshtrohen fazës së dytë të konkurimit për punësimet e reja në shëndetësi. Një ditë pas shpalljes së kalendarit me datat e testimit për secilin specialitet të shkencave mjekësore teknike, Qendra e Shërbimeve të Arsimit (QSHA) ka detajuar edhe listën e 1388 kandidatëve të infermierisë që janë kualifikuar për të vijuar konkurimin për vendet e lira të punës në poliklinikat, qendrat shëndetësore dhe spitalet publike në të gjithë vendin.

Për shkak të numrit të madh të garuesve, provimet do të zhvillohen për afro dy javë rresht duke nisur nga dita e hënë e datës 18 tetor. QSHA bën me dije se çdo ditë provimet do të zhvillohen me tre turne, ndërkohë që do të respektohen edhe të gjitha rekomandimet e bëra nga autoritetet e shëndetit sa i takon kujdesit për parandalimin e Covid-19. Për secilin prej garuesve është përcaktuar data dhe ora specifike se kur duhet të paraqiten për të zhvilluar testin. Ju duhet të paraqiteni për të dhënë provimin vetëm në datën dhe orën e përcaktuar specifikisht vetëm për ju, në të kundërt do të humbisni të drejtën e vijimit të konkurimit. Në vijim të shkrimit gjeni të plotë listën e 1388 infermierëve që kalojnë në testim së bashku me datat dhe oraret e testimit për secilin prej tyre.

Lidhur me përmbajtjen e testit autoritetet sqarojnë se provimi do të përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetje rreth akteve ligjore që rregullojnë kujdesin shëndetësor dhe profesionin e infermierit në Republikën e Shqipërise dhe çështje që lidhen me etikën dhe komunikimin profesional në infermieri. Ndërsa pjesa e dytë e testit do të ketë në përmbajtje pyetjet rreth kujdesit infermieror bazë dhe në specialitete. Vlerësimi përfundimtar i kandidatit në këtë testim do të bëhet me sistemin e 70 pikëve, i cili përbëhet nga pikët e pjesës së parë të testit (20 pikë) dhe nga pikët e pjesës së dytë të testit (50 pikë).

Po ashtu janë edhe një sërë rregullash duhet të zbatoni në ditën e provimit për të mos rrezikuar përjashtimin. Gjatë paraqitjes për pjesëmarrje në provim, kandidati duhet të ketë parasysh dhe të zbatojë rregullat e deklaruara, në të kundërt nuk do të lejohet që të japë provimin, duke mbetur kështu jashtë garës së punësimeve të reja deri në ridhënien e këtij testimi në një fazë tjetër. Kështu, në ditën e provimit, çdo kandidat duhet të paraqitet pranë QSHA-së, i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike, të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5-2 metër nga kandidatët e tjerë, të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara dhe mjetin e identifikimit, të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të provimit, si dhe të mos ketë me vete celularë, çanta dhe sende të tjera personale të panevojshme për zhvillimin e provimit.

“Kandidati duhet të paraqitet pranë QSHA-së 30 minuta para fillimit provimit dhe duhet tëjetë i pajisur me: “Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal), kopje të Kartës ID ose Pasaportës, si dhe faturën e pagesës (me vulën e bankës përkatëse) së tarifës së zhvillimit të këtij testi. Kandidatëve të cilëve u mungojnë këto dokumente, nuk do të mund të marrin pjesë në provim”, bëjnë me dije autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.

Në garën për përzgjedhjen e vendeve të punës, vlerësimi i çdo kandidati përfshin pikët e fituara në fazën e parë të konkurimit me dosje, si dhe pikët e siguruara nga testimi i informatizuar. Sipas skemës së përcaktuar më herët, vlerësimi i dosjes së kandidatëve konsiston në vlerësimin e arsimimit, të përvojës e të trajnimeve, të lidhura me fushën e studimit të kryer dhe punës në këtë profil. Në këtë fazë ju mund të grumbulloni deri në 30 pikë. Ndërsa në fazën e dytë “Testimi i informatizuar”, ku marrin pjesë vetëm kandidatët që kanë kaluar me sukses fazën e parë të vlerësimit me dosje, ju mund të siguroni deri në 70 pikë. Pas mbledhjes së këtyre pikëve, kandidatët që kanë nivelin më të lartë të pikëve do të ftohen të parët për të zgjedhur vendet e punës sipas preferencave.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *