Shërbimi i urgjencës dhe konsultave do të pasohen me ndryshime rrënjësore. Për vite të tëra Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza është shndërruar në një poliklinikë të madhe, ku çdo ditë dynden me mijëra pacientë, kryesisht të ardhur nga rrethet për të marrë shërbimet mjekësore. Kjo mbingarkesë ka mbajtur peng cilësinë e shërbimeve të ofruara.
Problematikë më vete mbeten sorollatjet që duhet të bëjnë nëpër pavijone pacientët deri në kryerjen e konsultave të nevojshme. Autoritetet e shëndetësisë kanë vendosur që brenda këtij viti të mundësojnë ngritjen e Qendrës së Konsultave Ambulatore në QSUT, e cila do të lehtësojë ndjeshëm shërbimin ambulator brenda klinikave të spitalit, duke shmangur kështu kaosin dhe amullinë që krijohet shpeshherë nga lëvizjet e pakontrolluara nëpër pavijone.
Sipas planifikimeve të bëra, qendra do të presë mesatarisht deri në 300 pacientë gjatë ditës, të cilët nuk do të enden më sa në një pavijon të QSUT-së tek tjetri, për të kryer konsultat, pasi këto të fundit do të jenë të organizuara në një qendër të vetme për të gjitha shërbimet. Në një fazë të dytë ky projekt parashikohet të shtrihet edhe në spitalet rajonale. Ndërkohë shumë prej spitaleve rajonale që kanë gëzuar këtë status për vite të tëra, por nuk kanë ofruar shërbimet për pacientët do të shndërrohen në qendra ditore për kujdesin ndaj pacientit.
Konfirmimet janë bërë gjatë inaugurimit të 20 autoambulancave të reja që i janë shtuar shërbimit të urgjencës. Në këtë aktivitet, krahas ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, drejtoreshës së QSUT-së, Ogerta Manastirliu, i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama. Një tjetër projekt në zhvillim e sipër, i cili përfaqëson njëkohësisht një ndër prioritet në programin e shëndetësisë, është ai për përmirësimin e shërbimit onkologjik.
Kryeministri Rama pa nga afër ecurinë e punës për ndërtimin e bunkerit për akselerator linear, që do t’u mundësojë pacientëve të trajtohen me radioterapi. Shefi i Shërbimit të Onkologjisë, Agim Sallaku, shpjegoi se me instalimin e akseleratorëve, do të mundësohet trajtimi i tumoreve në të njëjtat parametra që veprojnë edhe spitalet në perëndimi.
Investimi për bunkerin ku do të instalohet akseleratori linear, konsiderohet një hop cilësor për shërbimin onkologjik për të ofruar një shërbim më të mirë për ata pacientë që trajtohen me radioterapi.
Shërbimi kombëtar i urgjencës, shtohen 20 autoambulanca
Rreth 20 autoambulanca të reja po vihen në dispozicion të spitaleve në të gjithë vendin për të përmirësuar shërbimin e urgjencës.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ky investim bëhet në kuadër të ngritjes së Shërbimit Kombëtar të Urgjencës. Beqaj shprehet se këto kapacitete diagnostike janë të domosdoshme për spitalet e vendit,ndërkohë po studiohet mundësia që ato të jenë të pranishme edhe pranë vendeve më problematike, sa i përket aksidenteve në disa rrugë kombëtare të vendit, në mënyrë që t’u vihet sa më parë në ndihmë qytetarëve në nevojë.
“Po punojmë gjatë gjithë vitit për të ngritur modelin sidomos të vendosjes në territor, nëse sot i kemi pranë spitaleve, është e domosdoshme që të krijojmë edhe njësi të ndërmjetme. Për shembull, Tirana nuk mund të rrijë vetëm me një qendër urgjence. Në 2 apo 3 hot-spote nacionale ku ka më shumë aksidente mendojmë t’i afrohemi me një njësi të përhershme me dy ambulanca që të jetë më i shpejtë transporti”, ka theksuar ministri Beqaj.
Platforma kundër korrupsionit në shëndetësi
Lufta ndaj korrupsionit në shëndetësi do të shoqërohet me një platformë të veçantë, e cila do të kërkojë edhe bashkëpunimin e qytetarëve. Kjo platformë sipas kryeministrit do të shënojë fundin e një sistemi të rrënuar.
Duke e konsideruar si një prioritet, kryeministri Edi Rama, pohon se beteja për shëndetësinë është themelore dhe se qeveria nuk do të ndalet në përpjekjet e saj për rilindjen e këtij sektori. “Nga ana tjetër, në ditët në vijim do të shpaloset siç e kemi paralajmëruar edhe beteja e madhe kombëtare, beteja e përbashkët e qeverisë me qytetarët kundër korrupsionit.
Një pjesë e kësaj platforme do t’i kushtohet betejës së përbashkët kundër korrupsionit në sistemin shëndetësor. Besoj që kjo do të na japë një fuqi të shtuar në këtë betejë, pasi sa më shumë qytetarë të bëhen pjesë e kësaj beteje, aq më shpejt ne mund të nxjerrim shëndetësinë në dritën e plotë të rilindjes që duam dhe që do ta bëjmë të mundur së bashku”, ka deklaruar kryeministri Edi Rama.

Po shume mire po korrupsioni ne shendetesi eshte si nje gje normale . Une jam personel me sakte kryeinfermiere ne nje Qsh e cdo dite jam si nje gjendje lufte me koleget e mi , madje me shohin sikur une jam gabim e ata ok jane te punesuar ne shtet por qe sillen si te jen privat!Mesazhi im eshte qe vet qytetaret e kushdo qe merr sherbim nga ne te denoncoj rastet abuzive pasi juve u detyrohemi ne jv na jepni rrogat.