Në sektorin më të ri të shërbimit të neurokirurgjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ka nisur trajtimi i të sëmurëve me radiokirurgji. Sipas QSUT, “në sektorin X-Knife Akseleratori Linear filloi trajtimi i të sëmurëve me radiokirurgji, që bëhet për herë të parë në Shqipëri dhe rajon, duke përdorur akseleratorin linear, maja e teknologjisë së rrezatimit, prodhuar në vitin 2012″.
Drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu, shprehu kënaqësinë që ndodhej në përmbylljen e një projekti disa vjeçar që sjell fjalën e fundit të teknologjisë, përdorimin e akselatorit linear për trajtimin e sëmundjeve tumorale në QSUT. “Ky projekt synon të sjellë që prej ditës së sotme një nivel të ri trajtimi të sëmundjeve tumorale duke sjellë përfshirjen e shërbimit në sistemet shëndetësore moderne bashkëkohore”, tha Manastirliu, në konferencën pas inaugurimit të këtij shërbimi. “Prej sot në shërbimin e neurokirurgjisë do të aplikohen teknikat më të fundit dhe gjej rastin të falenderoj dhe shpreh mbështetje ndaj stafit të këtij shërbimi”, theksoi ajo, duke shtuar se “ky shërbim u takon dimensioneve të domosdoshme të së sotmes e të ardhmes së këtij institucioni”.
Radiokirurgjia do të zëvendësojë operacionet për shumë pacientë. Me precision submilimetrik, ajo bën të mundur koncentrimin e rrezatimit në thellësi të trurit, duke shëruar sëmundjet e trurit pa nevojën e bisturisë. Pacienti qëndron vetëm një ditë në spital dhe komplikacionet janë të papërfillshme.
Radiokirurgjia u zhvillua nga neurokirurgu suedez Leksel. Sot përdoret për të trajtuar sëmundje të ndryshme të trurit e të trupit. X-Knife Akseleratori ka një kapacitet trajtimi radiokirurgjikal deri në 5 pacientë në javë dhe pas janarit 2014, 20 pacientë në ditë për trajtim me radioterapikonformale 3D./BW
nje lajm shume i mire per te gjithe pacientet