Kardiologjia për herë të parë ul efektet e bisturisë për operacionet në zemër me vetëm 10 cm çarje
TIRANË – Mjekët e Shërbimit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” gjatë javës së fundit kanë mundur të realizojnë 9 ndërhyrje të vështira në zemër, ku tre prej tyre janë zhvilluar për herë të parë në shërbimet tona mjekësore. Realizimi i këtyre ndërhyrjeve erdhi falë mbërritjes së aparaturave moderne dhe mjekëve italianë, të cilët morën përsipër që të ndihmojnë palën shqiptare në kryerjen e tyre. E veçanta e këtyre ndërhyrjeve ka të bëjë me rregullimin e funksionimit të zemrës, duke minimizuar efektet e bisturisë.
Shefi i shërbimit të kardiokirurgjisë, Edvin Prifti, deklaroi dje se këto ndërhyrje u realizuan në tre pacientë, ku në dy prej tyre u riparuan valvulat nitrate dhe tek një tjetër pacient kjo valvulë u zëvendësua, duke shmangur çarjet klasike të trupit. Kjo për vetë faktin se çdo operacion në zemër kryhet duke hapur kockën e kraharorit nga 15 deri në 20 centimetra, ndërkohë që me ndërhyrjet e bëra së fundmi, përdorimi i bisturisë ka qenë minimal, duke bërë një hapje 7 – 10 centimetra, që mundëson aksesin kirurgjikal për të hyrë në zemër, por që sjell edhe ulje të sëmundshmërisë dhe riparim të shpejtë të anomalisë së evidentuar.
Njëkohësisht këto metoda të reja sigurojnë edhe shërimin e shpejtë të pacientit, për të cilin ditët e qëndrimit në spital do të jenë më të pakta, ndryshe nga sa ndodhte në ndërhyrjet tradicionale. Duke pakësuar ditët e qëndrimit në spital, pacientët do t’u shpëtojnë edhe rrezikshmërisë së marrjes së infeksioneve spitalore, infeksione që janë shumë të shpeshta nëse qëndrojnë për shumë kohë. Metodat e reja të realizimit të këtyre operacioneve, sipas mjekëve, ulin vdekshmërinë që shkaktohet prej anomalive dhe problemeve që pengojnë funksionimin normal të zemrës. Kjo pasi në vendin tonë sëmundjet e zemrës janë bërë gjithnjë e më të shpeshta vitet e fundit, veçanërisht tek moshat e vogla, duke mos kursyer as jetët e tyre.
Ndaj realizimi i operacioneve të tilla në Shqipëri ndihmon në trajtimin efikas të këtyre sëmundjeve. Shefi i shërbimit të Kardiokirurgjisë, Edvin Prifti, deklaroi se këto operacione janë të një niveli të lartë dhe është e pamundur të kryhen pa asistencën e specialistëve italianë, duke shtuar dhe nevojën për ndërhyrje në sigurimin e mjeteve të tjera mjekësore që janë të nevojshme, sikundër edhe trajnimi i stafeve mjekësore që këto operacione të mund të realizohen tërësisht edhe nga vetë mjekët shqiptarë.
Për ministrin e Shëndetësisë, Vangjel Tavo, këto lloj ndërhyrjesh vlejnë për sistemin shëndetësor jo vetëm duke sjellë risi, por edhe duke ulur ditëqëndrimin e pacientëve në spital dhe për pasojë edhe koston. Lidhur me ndërhyrjet e kryera mjeku italian, Vitorio Vanini, ka deklaruar se Shqipëria ka arritur standarde të larta evropiane në mjekësi, sidomos në pjesën e kardiokirurgjisë, por i mbetet ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim.
Fond i veçantë 30 mijë euro për të siguruar pajisjet
Mungesa e aparaturave është bërë shpeshherë pengesë në realizimin e ndërhyrjeve të vështira tek pacientët që vuajnë nga sëmundje të rralla në zemër. Për t’u shpëtuar komplikacioneve të rënda shëndetësore, këta pacientë në pjesën dërmuese të rasteve u janë drejtuar klinikave private jashtë vendit për të realizuar këto ndërhyrje.
Duke iu referuar faktit shqetësues të shtimit të pacientëve që vuajnë nga shqetësime të tilla, kreu i qendrës spitalore “Nënë Tereza”, Edmond Rrushi, ka bërë të ditur se në buxhetin e këtij spitali do të përfshihet edhe një zë i veçantë për sigurimin e pajisjeve që do të mundësojën kryerjen e këtyre ndërhyrjeve në vijimsi. Rrushi tha se institucioni që ai drejton do të bëjë të mundur që në buxhetin e ardhshëm të jetë një fond për blerjen e aparaturave të nevojshme për këtë lloj operacioni, pasi kostoja e tyre nuk i kalon 30 mijë eurot.
“Për kirurgët dhe kardiokirurgët dua të jep një premtim të rëndësishëm, që nga ana e drejtorisë do të kenë mbështetjen maksimale për të gjitha zhvillimet e mëtejshme, për të tjera ndërhyrje të tilla të cilat do të jenë risi. Në buxhetin e ri ne do të sigurojmë që një pjesë e mirë e fondeve të shkojnë për aparatura dhe pajisje të nevojshme në mënyrë që operacione të tilla të kthehen në rutinë për QSUT”, ka deklaruar Rrushi.
Shefi i shërbimit të kardiokirurgjisë, Edvin Prifti
“Ne jemi shumë të kënaqur për realizimin e këtyre procedurave me sukses, pasi janë procedura tepër të sofistikuara, tepër komplekse dhe kërkojnë impenjimin e një numri të madh specialistësh si në kardiokirurgji, ashtu edhe në reanimacion, anestezistë, kardiologë etj. Por ka nevojë edhe për një sërë instrumentesh të reja. Kjo për vetë faktin se çdo operacion në zemër kryhet duke hapur kockën e kraharorit nga 15 deri në 20 centimetra, ndërkohë që me ndërhyrjet e bëra së fundmi kanë një hapje 7 deri ne 10 centimetra, duke hyrë lehtësisht në zemër, por që sjell edhe ulje të sëmundshmërisë dhe riparim të shpejtë postoperator. si dhe rehabilitim të pacientëve në kohë minimale. Por kjo lloj procedure sjell edhe një efekt kozmetik të mirë për pacientët”, bëri të ditur Prifti.