Sëmundja shkakton humbje të shikimit dhe në disa raste edhe hemorragji në tru
Pranvera Kola
Shërbimi i neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka zhvilluar me sukses një ndërhyrje të rrallë. Pacientja 55-vjeçare që iu nënshtrua operacionit të rrallë, prej kohësh ndjente zhurma ritmike në kokë dhe dhembje, si dhe ndryshim vizual të pamjes së syrit. Sipas prof. dr. Mentor Petrelës, kjo është një ndërhyrje e realizuar për herë të parë në vendin tonë për shkak të teknikës së përdorur, por edhe për shkak të llojit të komplikacionit që shfaq.
Mjekët bëjnë me dije se kjo sëmundje shfaqet me zhurma ritmike me pulsin, skuqje të syrit, fryrje, enjtje, rënie të shikimit deri në ndryshim të pamjes. Në disa raste mund të prezantohet edhe me hemorragji në tru.
“Ne jemi bazuar në eksperiencën amerikane dhe mund të them se vetëm gjatë vitit 2010 në Amerikë janë realizuar 10 raste të tilla. Aktualisht ne e kemi sjellë këtë në pavijonin e Neurokirurgjisë. Rasti në fjalë është kryer nëpërmjet rrugëve endovaskulare, që do të thotë pa hapje por nëpërmjet një tubi. Në këtë rast janë përdorur të dy teknikat dhe koinset e platinit të vendosura në aparaturë që shërbejnë për trombozat në vendet e hemorragjisë të shkojnë në vendin e duhur. Aty pengojnë hemorragjinë dhe humbjen e pamjes, duke sjellë pacientin në kushte normale”, ka theksuar Petrela.
Për mjekët të cilët kanë kryer këtë ndërhyrje, ajo cilësohet nga më të vështirat për vetë faktin se pasojat e saj janë të rënda për pacientët. “Kjo cilësohet si një nga ndërhyrjet e vështira të realizuara, dhe ka të bëjë me kirurgjinë vazale. Moskurimi dhe mosoperimi i tyre shkakton hemorragji cerebrale, humbje të pamjes dhe pasoja të tjera të rënda deri diku edhe për jetën e pacientit dhe ecurinë e tij”, ka theksuar doktori Gjergji Vreto.
Më tej, shefi i neurokirurgjisë Mentor Petrela, tha se kjo është patologji kryesisht moshës adulte, por nuk kursen as të moshuarit. Ndërkohë që prek njësoj si meshkujt edhe femrat, dhe nuk është shumë e shpeshtë në popullatë. Për këtë ndërhyrje u përdorën dy metoda endovaskulare duke e mbyllur fistulën (kanalin që bën lidhjen me sistemin nervor). Fistulat përcjellin komunikime patologjike midis arterieve dhe venave të trurit.
Sipas mjekëve, kjo lloj ndërhyrje sjell një ditëqëndrim më të shkurtër të pacientëve në spital dhe rikuperim të gjendjes së tyre brenda shumë pak ditëve. Shërimi i shpejtë dhe dalja nga spitali i mbron pacientët nga rreziqet e marrjes së infeksioneve spitalore, të cilat sot konsiderohen si një tjetër problem madhor me të cilin përballet shëndeti publik në vendin tonë.
Drejtori i QSUT-së: Së shpejti një aparaturë e re në shërbim
Çdo vit në neurokirurgji realizohen afro 4000 mijë operacione të ndryshme. Në lidhje me shërbimin e neurokirurgjisë, drejtori i QSUT-së, Edmond Rrushi, ka konfirmuar se gjatë vitit që vjen ky pavijon si dhe të tjerë të cilët trajtojnë rastet e rënda, do të kenë në përdorim të plotë “akseleratorin linear”, pajisje e kohëve të fundit që ndihmon në trajtimin e komplikacioneve neurologjike.
“Përgjatë këtyre ditëve në institucionin tonë janë realizuar një sërë ndërhyrjesh të cilat janë qenë risi. Më vjen mirë që këto raste për mjekët tanë po kthehen në një rutinë,dhe dua t’u garantoj se do të kenë mbështetjen time dhe të institucionit që unë drejtoj, për t’u gjendur pranë me aparatura dhe pajisje të cilat të në rendisin në klinika universitare të një niveli të lartë. Ndaj edhe brenda vitit që vjen ky pavijon do të ketë në shërbim aparaturën e akseleratorit linear”, ka deklaruar Edmond Rrushi.
Jam shume i lumtur kur e pash i internet kete koment ket sukses te mjkve shqipetar ju lumt ju pershendes te gjitheve por posaqerisht dr.Petrelen ai ne Kosove e gezon nji rrespekt te veqant. Ju jeni te popullit prandaj ndihmoni popullit.Ju lumt suksese Muharre. Aliu nga Kosova.