Sipas Ministrisë së Shëndetësisë shumë prej pacientëve shtrohen në spitale edhe kur nuk është e nevojshme duke shtuar kështu fluksin pa qenë nevoja
Shërbimet mjekësore që ofrohen në klinikat e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do t’i nënshtrohen riorganizimit. Fluksi i lartë i pacientëve që i drejtohen çdo ditë kësaj qendre spitalore, duke çuar shpeshherë edhe në shtrime të panevojshme, ka detyruar krerët e shëndetësisë që të marrin masa për riorganizimin e shërbimeve që do të ofrohen për pacientët. Shumë prej shërbimeve do të shkrihen, pasi vëzhgimet e kryera tregojnë se janë të shumta rastet e shtrimeve të panevojshme të cilat zgjasin ditët e qëndrimit të pacientëve nëpër spitale.
Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë bëjnë me dije se fillimisht do të ulet numri i shtretërve të shtrimit, ku nga 1400 që janë aktualisht pritet të shkojnë në 1200. Ndryshimet do të pasojnë edhe postet drejtuese të shërbimeve, të cilat do të shkojnë drejt përgjysmimit. Konfirmimi është bërë dje nga kreu i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, sipas të cilit ulja e numrit të shtretërve, do të ndikojë tek ditëqëndrimi në spitale, pasi shumë pacientë shtrohen edhe kur nuk është e nevojshme.
“Të gjitha studimet e deritanishme kanë demonstruar që QSUT-ja nuk ka asnjë arsye që të ketë më shumë se 960 shtretër. Ka mbipopullim sepse ka pacientë që shtrohen për të marrë KEMP-in dhe rrinë 15 ditë, shtrohen pacientë për të bërë “by-pass” e rrinë dy muaj. Nuk do të ndodhë më kështu. Pra, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do t’i shërbejë pacientit në nevojë, dhe jo pacientit për nevoja”, bën të ditur Pëllumb Pipero.
Këtij riorganizimi do t’i nënshtrohen edhe tre spitale të tjera rajonale, të cilat marrin buxhet të caktuar për shërbimet që duhet të ofrojnë, ndërkohë që kanë nivel shfrytëzimi të pakët duke bërë që fondet të shkojnë dëm. Lidhur me drejtimin e shërbimeve, Pipero shton më tej se edhe numri i drejtuesve të shërbimeve mjekësore do të pësojë ndryshime. Kjo pasi riorganizimi i tyre do të sjellë shkrirjen e shumë shërbimeve, çka do të çojë në uljen e numrit të shefave të shërbimeve, numër i cili pritet të përgjysmohet.
Aplikimi për këto poste do të bëhet me konkurrim. Në këto kushte i gjithë personeli mjekësor duke përfshirë dhe ata që i kanë drejtuar gjatë këtyre viteve shërbimet mjekësore, do të rihyjnë në garë për të siguruar postin e shefit të shërbimit. Për këtë, Ministria e Shëndetësisë do të zbardhë edhe kriteret e plota të konkurrimit për secilin post. Kështu, nga 60 shefa shërbimesh që ndodhen aktualisht në këtë qendër spitalore, me riorganizimin e shërbimeve numri i tyre thuajse do të përgjysmohet, për shkak të shkrirjes së disa shërbimeve në një.
Shërbimet tashmë do të kenë jo më pak se tre klinika. Për shërbimet mjekësore që nuk do të ketë shfrytëzim shtrati mbi 85 për qind të rasteve, do të ketë shkrirje të tyre. Nëpërmjet një urdhri të veçantë të Ministrisë së Shëndetësisë, do të përcaktohen edhe ndryshime të tjera që kanë të bëjnë me ndryshime të tjera si numri i personelit mjekësor që shërben në klinikat e shërbimeve të ndryshme të qendrave spitalore, bazuar në numrin e shtretërve.
Organizimi
Një shërbim duhet të ketë në përbërje të tij të paktën katër anëtarë efektivë, që janë njëherësh dhe personel pedagogjik, ndër të cilët, dy duhet të jenë me tituj shkencorë. Mbipopullimi i klinikave të QSUT-së, është shndërruar në një problem madhor gjatë viteve të fundit pasi pacientët e rretheve edhe për shërbimet më elementare vijnë drejt spitaleve të Tiranës, shërbime të cilat mund t’i marrin edhe në spitalet e rretheve të tyre.
Deklarata
“Të gjitha studimet e deritanishme kanë demonstruar që QSUT-ja nuk ka asnjë arsye që të ketë më shumë se 960 shtretër. Ka mbipopullim sepse ka pacientë që shtrohen për të marrë KEMP-in dhe rrinë 15 ditë, shtrohen pacientë për të bërë “by-pass” e rrinë dy muaj. Nuk do të ndodhë më kështu. Pra, QSUT-ja do t’i shërbejë pacientit në nevojë, dhe jo pacientit për nevoja”, bën të ditur kreu i politikave shëndetësore pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Pëllumb Pipero.
Somario: 1400 shtretër ka aktualisht QSUT-ja, ndërsa pritet që numri të shkojë në 960, sipas asaj që thotë kreu i politikave shëndetësore, Pëllumb Pipero