Nuk mendoj se ka mbetur shqiptar pa u informuar këtë muajin e fundit se arka e shtetit është bosh përsëri pasi kryefjala e mediave vizive të shkruara dhe politika e bënë çështjen me të drejtë kryefjalën e dites në politikën e Tiranës.
Fatkeqësi për një shtet e shoqëri që në këto kohë të turbullta e në krizë globale që jo vetëm arka e shtetit shqiptar është bosh por krejt rezervat që duhet të ketë një shtet normal që nga ushqimet e karburanti për emergjencat e deri tek fondi për të paguar invalidët e pensionistët.
Problemi bëhet edhe më madhor e emergjent kur mendon se arka e shtetit shqiptar nuk është bosh për herë të parë por pas çdo rotacioni pushteti e përmbysje sistemi. Fenomeni bëhet edhe qesharak kur pushteti deklaron kalimin e Shqipërisë nga fitorja në fitorje e deri të dytën në Europë pas Gjermanisë përsa i përket ekonomisë.
Që shqiptarët kanë punuar fort brenda dhe jashtë vendit besoj këtë nuk e vë kush në diskutim, por puna e tyre nuk është përkthyer në mirëqënie kolektive më së pakti prej qeverisjeve të mbrapshta e diçka më shumë.
Kemi një histori shumë interesante në të shkuarën komuniste e post-komuniste. Kam dëgjuar në një rrëfim të rrallë e të pakët të Ramiz Alisë se deri në ’78-n, kinezët paguanin edhe fondin e pagave kur vendi punonte me kapacitet të plotë duke prodhuar ndërmjet të tjerave edhe ar të pastër dhe në 23 vitet e fundit partnerët tanë perëndimorë kanë dhënë miliarda dollarë grante pa kthim e kredi të buta deri në deklaratën e ish-Ministrit të Ekonomisë, z. Florian Mima tek pesë pyetje nga Babaramo se në vitet e fundit emigrantët tanë kanë depozituar në bankat shqiptare 400 milion euro më shumë se normalja në muaj.
Pra, djersa dhe mundi i një populli përgjatë 68 viteve të fundit të rezultojë zero absolute në të tëra drejtimet përveçse është tragjike dhe e rrezikshme për shoqërinë shqiptare, është edhe poshtërsi dhe hajni e pastër.
Nëse Kryeministri Rama realisht kërkon ta rilindë Shqipërinë atëherë nuk mund të ketë rilindjen e shtetit të Ismail Bej Vlorës pa ndëshkim e financa të konsoliduara, pra këtu duhet filluar pasi filozofia e luftës ndaj krimit të organizuar ordiner e shtetëror na mëson se duhet ndjekur rrjedha e parasë për të arritur tek keqbërësit kriminelë.
Ndëshkimi i kriminelëve me dhe pa pushtet e konfiskimi i aseteve të krimit jo vetëm që ndikon drejtpërdrejt në fuqizimin e shtetit shqiptar, por ndikon gjithashtu edhe në ruajtjen e pastërtisë së figurës së pushtetarëve të rinj.
Shikoni dhe dëgjoni politikën e ish-pushtetit ndaj krimit të organizuar dhe evazionit fiscal, ku kanë vite që nuk mundohen e as që tentojnë të argumentojnë se akuzat që ju bëhen nuk qëndrojnë por mundohen të argumentojnë se edhe opozita dje dhe pushteti sot nuk janë ndryshe.
Kjo është një tentativë e pastër për ta bërë pis pushtetin e ri dhe mundim i sforcuar për ta tërhequr në të njëjtën rrugë. Ndërtimi i qeverisë dhe agjensive shtetërore nga ana e Kryeministrit Rama me individë fare të rinj dhe të paimplikuar në asnjë aferë sado të vogël, për të vërtetën e ka bërë joeficente strategjinë e pushtetit të djeshëm.
Kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për ta bërë qeverinë e re eficente nëse nuk qërohet me goditje permanente ndaj aktiviteteve kriminale dhe ortakët e tyre dje dhe sot në pushtet dhe shtet. Unë dua të besoj se Kryeminstri Rama e ka një strategji të paracaktuar edhe për këtë fushë pasi të tëra aktet e marra nga Qeveria Rama deri tani të bëjnë të besojnë se ashtu siç qiti në pension filozofinë e partisë-shtet së bashku me mbartësit e saj, ashtu do të bëjë edhe shkëputjen e krimit nga hallkat e pushtetit e institucionet e shtetit. Thënia “që çdo shtet ka mafia dhe në Shqipëri mafia ka shtet”, kam bindjen se ka marrë fund.
Arka e shtetit (qypi i mjaltës) do mbushet vetëm atëherë kur t’ju këputen gishtërinjtë atye që i fusin me ligj e pa ligj për interesat meskine personale dhe në anën tjetër nuk ndëshkohen të tërë ata që nuk e japin atë që ka thënë Krishti “pjesën e Çezarit” për buxhetin e shtetit.