Qytetarët sërish në protestë kundër rritjes së çmimit të biletës

anazapta

Kaosi që ka përfshirë transportin publik vijon të shtojë pakënaqësitë në radhët e qytetarëve. Dhjetëra qytetarë, studentë punëtorë, të papunë e pensionistë, kanë protestuar sërish gjatë ditës së djeshme duke kërkuar nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Transporteve jo vetëm që të mos rrisin çmimin e biletës, por të ndërhyjnë edhe në përmirësimin e cilësisë së transportit publik. Pas diskutimit publik tek “Partizani i Panjohur”, qytetarët marshuan drejt Bashkisë dhe Ministrisë së Transporteve. Sipas tyre një rritje e çmimit të biletës do të përgjysmonte racionin e ushqimit, studimit, dëfrimit. “Ne e refuzojmë kategorikisht jo vetëm kërkesën për rritje, por edhe gjendjen aktuale të transportit urban qytetas!”, shprehet një nga studentët që iu bashkuan kësaj proteste. “U fol edhe para Bashkisë së Tiranës, e mbetur pa kryebashkiak tashmë, i cili ka kthyer Bashkinë nga institucion që administron punët e qytetit në llogore interesash partiake dhe katapultimi drejt pozitave më të larta. Kryebashkiaku që ironikisht mbështet me mijëra furgonistë, nuk do t’ia dije për transportin qytetas, dhe po vepron në dëm të qindra mijëra udhëtarëve qytetas. U kërkua që ai të rimarrë përgjegjësitë që i takojnë dhe të vendosë në funksion të interesit dhe të mirës publike”, nënvizuan organizatorët e protestës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *