Qyteti italian që ndalon pjekjen e picave për të luftuar ndotjen

Ornela

Italia ka filluar së fundmi një betejë intensive kundër ndotjes dhe në këtë luftë disa autoritete nuk kanë dyshuar të sakrifikojnë një nga simbolet më të mëdha të vendit: picat. Qytetet e mëdha kanë ndërmarrë masa tipike, si ndërprerja e qarkullimit të makinave, megjithatë kryetari i Bashkisë së San Vitalianos (pranë Napolit), Antonio Falcone beson se shkaku që ndotja në zonën e tij kalon nivelet e Pekinit janë furrat e drurit  ku piqet pizza tradicionale italiane, prandaj ka ndaluar përdorimin e tyre të paktën derisa pronarët e tyre të vendosin filtra të veçantë për të reduktuar çlirimet e gazit.

Falcone ka dhënë afat deri më 31 mars për të kryer ndryshimet, në të kundërt do të mbyllë lokalet. Për t’u siguruar që urdhri i tij të përmbushet ai zhvillon kontrolle verifikimi dhe në rast se të prekurit e shkelin do të sanksionohen me gjobë mbi 1000 euro. Siç pritej picierët dhe biznesmenët e sektorit të prekur nga masa kanë ngritur “armët”. Nuk e pranojnë që furrat e drurit janë shkaktarë të ndotjes dhe shtojnë mes argumenteve të tjera se qyteti fqinjë, Napoli, ka më shumë furra të këtij tipi dhe ndotja është më e vogël.

Por San Vitaliano nuk është i vetmi qytet në Itali që lufton këto ditë kundër ndotjes. Milano prej ditës së djeshme ka ndaluar trafikun rrugor për të reduktuar nivelet e larta të ndotjes ndërkohë që qytete të tjera të vendit kanë marrë masa si nxitja e përdorimit të transportit publik. Faktorë si thatësia dhe shtimi i zhvendosjeve për festat e Krishtlindjeve kanë shtuar nivelin e grimcave PM10, më të dëmshme për shëndetin, në qytet si Milano dhe ku janë kaluar limitet e lejuara.

Për këtë motiv bashkia e qytetit ka informuar se ndërprerja e qarkullimit do të mbetet në fuqi deri më 30 dhjetor nga ora 10 deri në 16 me përjashtim të shërbimit taxi dhe mjeteve të transportit publik të cilat nuk duhet të tejkalojnë shpejtësinë 30 kilometra në orë. Kjo masë është aplikuar edhe në 11 bashki të tjera të rajonit të Lombardisë.

Çështja mjedisore ka gjeneruar edhe debat politik. Ministri i Mjedisit Gian Luca Galletti, ka thirrur në takim ditën e mërkurë për të koordinuar veprimet kundër ndotjes. “Emergjenca e ndotjes që ekziston në shumë qytete të mëdha italiane mund të zgjasë ende për shumë kohë”, tha ministri. Por kritikat për qeverinë nuk kanë vonuar. Lideri i “Lëvizjes 5 yje”, Beppe Grillo, pohoi se ndotja helmon njerëzit por edhe ushqimet dhe ujin që konsumojnë. Ai shtoi se në 2014-ën kanë humbur jetën 68 mijë persona në Itali për shkak të ndotjes dhe për këtë akuzoi qeverinë që lejon të ketë “viktima lufte në kohë paqeje” me një politikë “të shekullit të XIX”. Masat i ka sulmuar edhe Matteo Salvini, sekretari federal i Ligës së Veriut, i cili ka pohuar se mjetet “kontribuojnë vetëm me 20% në ndotje” dhe prandaj bllokimi i trafikut nuk shërben për asgjë. Ai preferon masa si ulja e ngrohjes në zyra dhe pallatet publike. /DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *