Racizmi dhe dhuna në Inter-Napoli, Serie A drejt ndërprerjes

Ornela

Të ndërpritet kampionati. Është ky lajmi i bujshëm që po qarkullon në Itali pas ngjarjeve të shëmtuara që ndodhën në takimin Inter-Napoli.

Jashtë stadiumit u përplasën dy tifozeritë ku një fans i zikaltërve humbi jetën ndërsa disa tifozë të tjerë mbetën të plagosur. Megjithatë gjithçka kulmoi brenda impiantit të San Siros aty ku tifozët ultras të Interit ofenduan me kore raciste mbrojtësin e Napolit, Kalidou Koulibaly.

Për ngjarjet që ndodhën në Inter-Napoli ka ndërhyrë edhe presidenti i federatës italiane të futbollit Gabriele Gravina. I pyetur nga mediat për një ndërprerjeje të mundshme të Serie A, Gravina theksoi: “Të pezullojmë kampionatin? Nuk e di, lajmi është akoma shumë i freskët. Tashmë duhet të reflektojmë dhe të koordinohemi siç duhet. Këtu ka një problem me rendin publik dhe si i tillë do të vlerësohet edhe fakti nëse duhet të luajmë apo jo”.

Më pas numri 1 i futbollit italian, u ndal te koret raciste ndaj Koulibaly.

“3 thirrje dhe asnjë ndalesë nga ana e tifozëve të Interit? Po verifikojmë gjithçka, mendoj që tifozëve u është bërë vetëm një thirrje. Sot për këtë çështje do të ndërhyjë prokuroria dhe ajo do të thotë fjalën e saj. Ajo që ndodhi ishte diçka shumë e shëmtuar, në fushë kam parë njerëz shumë nervozë, arbitri do të shkruajë atë që ka parë dhe nëse ka gabuar edhe ai, gjithashtu do të gjykohet”, deklaroi Gravina.

Por edhe pse u shqyrtua ndërprerja e Serie A në fund krerët më të lartë të futbollit italian vendosën që të shtunën të luhet rregullisht sipas programit java e 19-të, kjo u konfirmua nga vetë Gabriele Gravina.

o.j/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *