Radha e Europës (ose mesazhi i tretë)

redaktor

Nga Zeno Jahaj

Më pak se një vit më parë dukej disi e habitshme që Shqipëria të hynte grupin e vendeve të botës që do të pyeteshin për zgjidhjen e ngërçit të asgjësimit të arsenalit të rrrezikshëm të lëndëve kimike të Sirisë. Në lojë ishin interesa të mëdha të nivelit strategjik: paqa dhe siguria ndërkombëtare, prestigji i fuqive të mëdha, autoriteti i OKB-së. Shqipëria e vogël pyetej pikërisht për probleme kapitale. Të bësh pjesë në klubin e të pyeturve është, natyrisht, një interes i madh kombëtar, por njëherësh, përbën edhe një vlerë me përmasa ndërkombëtare.

Mbi të gjitha në lojë ishin kërkesa dhe interesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – përçues dhe mbrojtës i vlerave të lirisë, prosperitetit, demokracisë dhe qytetërimit, mbështetësit e pazëvendësueshëm të integrimit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në këto vlera. Falë kësaj mbështetjeje, Shqipëria dhe shqiptarët në fundshekullin e 20-të dhe fillimshekullin e 21-të arritën të kryejnë transformimin e madh, duke kaluar nga statusi i kombit të harruar apo të nëpërkëmbur, në statusin e kombit të barabartë dhe të pyetur në rajon e më gjerë.

Shqipërisë i kërkohej jo vetëm mendim, por edhe një kontribut, mbase disproporcional me kapacitetet, mundësitë dhe kushtet e saj, por ajo e ka kultivuar tashmë kulturën se, në marrëdhëniet ndëraleate e ndërpartnere, vullneti politik përcakton më shumë sesa kapacitetet. Prandaj ajo, me dinjitetin e partnerit serioz u shpreh për vullnetin politik. Ndërkohë, po me atë dinjitet, ajo shtroi edhe interesimin domethënës: cili do të ishte një, të paktën një shtet i dytë europian, krahas Shqipërisë, i cili premtohej publikisht se do të merrte përsipër barrën e asgjësimit të atyre lëndëve në vendin e tij?

Kjo nuk ishte një kërkesë materiale. Shqipëria – vend relativisht i varfër, natyrisht kish e ka nevojë për mbështetje materiale e financiare. Këtij tundimi nuk i shpëtojnë as vende më të fuqishëm ekonomikisht. Çështja në fjalë kishte edhe një përmbajtje të fortë morale, dinjiteti e prestigji: A do mund të pranohej që, për arësyen shumë të fortë të mirënjohjes ndaj SHBA-së, Shqipëria të përzgjidhte të mbetej jo vetëm i vetmi por edhe përkundër përzgjedhjes së shteteve të tjera europiane, të cilat, siç u dëshmua, nuk pranuan që asgjësimi i lëndëve kimike siriane të kryhej në vendet e tyre edhe pse kanë kapacitete, hapësira, teknologji e përvojë shumë herë më të madhe sesa Shqipëria? A nuk do të tingëllonte kjo si një përzgjedhje tipike e ishullit të fundit komunist në Europë apo, në të kundërt, si një servilizëm i padenjë për një lidership i cili, më së pari, ka respekt për veten e për popullin e vet?

Vendimi që u muarr ishte pikërisht shenja e luajalitetit dhe e respektit më të madh, si për SHBA-në, e po aq edhe për  shtetet, vendet dhe popujt europianë e popullin shqiptar. Respekti për veten, si i barabartë, si një vend europian, si një kulturë europiane është një vlerë po aq perëndimore sa edhe luajaliteti.

Ky ishte mesazh i madh europian, jo thjeshtë një zgjidhje konjukturale. I takoi Shqipërisë ta jepte me përgjegjësi e përgjegjshmëri.

Mesazhin e dytë për Europën e dha kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Francesku, i cili vizitën e parë në një vend europian zgjedh ta bëjë pikërisht në Shqipëri, ndërmjet sa e sa vendeve që e kanë ftuar e vijojnë ta ftojnë.

Përzgjedhja natyrisht që nuk është e rastit.

Faktori i Selisë së Shenjtë në gjeopolitikën globale është një realitet i padiskutueshëm. Shembja e komunizmit do të kishte edhe vulën e Papa Gjon Palit të Dytë, i cili ishte i pari papë që kaloi Perden e Hekurt të kohës kur u kthye në Poloninë e tij të vendlindjes më 1979, nga ku denoncoi Marrëveshjen e Jaltës të vitit 1944 dhe “ndarjen tragjike” që ajo i bëri Europës.

Këtij roli Vatikani po i rikthehet, sidomos me inisiativat vizionare dhe profilin e Papa Franceskut. Në më pak se gjysmë viti, ai ka ka ringjallur prestigjin ndërkombëtar dhe kapitalin moral të Kishës.

Në themel të këtyre inisiativave duket se është pikërisht mesazhi i bashkëjetesës paqsore dhe i pajtimit midis besimeve të ndryshme fetare në një botë globale, e cila aq sa integrohet, aq edhe po shthuret dhe ku ka nisur një epokë e re urrejtjesh etnike, rivalitetesh nacionale, pakënaqësish e revoltash sociale. Dokumenti “Gëzimi i Ungjillit” i hartuar prej Papa Franceskut përpara pak muajsh të cilin analistët e cilësojnë si “Doktrina Francis” e shekullit të 21-të, thekson pikërisht idenë themelore se diplomacia duhet të promovojë kulturën e takimit, të përafrimit. Inisiativa e parë e madhe e Papa Franceskut, pikërisht në këtë filozofi, ishte misioni dhe ndërmarrja diplomatike për takimin e përbashkët në Vatikan me Presidentin e Izraelit Shimon Peres dhe Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas më 8 Qershor të këtij viti në një ceremoni ku lutjet u kënduan për herë të parë në të tria besimet.

Në këtë klimë, Papa Francesku shpalli pikërisht Shqipërinë në vijim të menjëhershëm të misionit dhe filozofisë së tij: bekimin e një populli të tërë që shquhet për një qytetari të rrallë – bashkëjetesën shembullore paqësore midis besimeve fetare. Papa Francesku vjen për të bekuar vlerat e një populli dhe të një toke që “është ndër më të vuajturat e ndër më të mbrujturat me gjak martirësh, që dhanë jetën për fe, për liri, për demokraci.” Ai vjen se dëshiron “t’i dëshmojë inkurajimin e tij një vendi, i cili vuajti aq gjatë, si pasojë e ideologjive të së kaluarës.” Ai vjen t’i dëshmojë edhe Europës se histeria e paragjykimeve të segmenteve të caktuara politike të saj ndaj një populli të tërë nuk është në dobi as të vetë qytetërimit e filozofisë europiane.

Shqipëria e shqiptarët kanë shumë për të bërë e mjaft kritere për të plotësuar për t’u përafruar me standardet europiane. Ata kanë për të gjetur e rigjetur konsensusin politik, por kjo nuk është një verejtje vetëm për shqiptarët. Radikalët nuk i ka lindur Shqipëria. Përkundrazi, ndër europianët ka patur e ka ende prirje të tilla që e kanë penguar jo pak prestigjin dhe peshën e kontinentit.

Pas pak ditësh Europa ka në dorë të japë mesazhin e saj: rigjykojë por jo ta paragjykojë Shqipërinë. A do mbetet Europa e vjetër akoma pré e paragjykimeve të vjetra?

Ajo i ka marrë tashmë dy mesazhe të përmasave të  mëdha e ndoshta shumë më domethënëse sesa kriteret e kërkesat që shtron Bashkimi Europian për pranimin e Shqipërisë. Mesazhi i tretë i takon Europës. Është në nderin dhe në detyrimin e saj të japë verdiktin e duhur.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *