Pavarësisht këmbënguljes së kryeministrit të saj për ta krahasuar Shqipërinë herë me Gjermaninë, herë me Zvicrën, herë me Norvegjinë e herë me SHBA-të, në sytë e europianëve dhe fqinjëve Shqipëria mbetet mbetet me sa duket etalon i së keqes që duhet shmangur. Ministri grek i Financave, Evangjelos Venizelos, në përgjigje të propozimeve që Greqia të dalë nga zona euro për të zgjidhur krizën deklaroi se Greqia ka tre zgjidhje. Zgjidhja e pare, sipas tij, është që Greqia të vazhdojë programin PSI, (atë që sugjeron BE) e dyta është falimentimi i koordinuar brenda euros, (por edhe kjo do mbështetjen e partnerëve) dhe e treta është falimentimi duke dalë nga euro. Por duke komentuar zgjidhjen e tretë Venizelos u shpreh: “Nuk mund të imagjinohet çdo të thotë kjo. Greqia do të kthehet në vitet ’50, sepse disa bëjnë politikë që të fitojnë vota. Problemi është nëse grekët do të udhëhiqen në shkatërrim dhe varfëri, do të radikalizohen politikisht. Do të kemi një Greqi që do të kthehet në nivelet e një vendi si Shqipëria ose Moldavia”.
Vini re këtë fjali: “Nëse grekët do udhëhiqen në shkatërrim e varfëri, do radikalizohen politikisht…”. Është e qartë me një fjali të vetme, se pse jemi të tillë ne shqiptarët dhe pse të tjerët nuk duan të na ngjajnë neve në këtë pikë.
Letër e nënshkruar: Miklovan Ciko, Athinë
