Rajmonda Balilaj, kryebashkiakja e Patosit që garon për një mandat të tretë

Ornela

Nga Bora Xhanija

Patosi, qyteti i njohur i naftëtarëve, shtrihet gjatë vargut kodrinor Fier – Patos, në formë harku, i cili përngjan si një amfiteatër natyror e mbart mbi supet e veta histori dhe vlera të çmuara të një zhvillimi të vrullshëm urban dhe social.

Ndonëse shfaqet modeste, Rajmonda Balilaj kryebashkiakja e Patosit ka mundësi reale që në zgjedhjet e ardhshme të jetë sërish triumfuese në një mandat të tretë.

“E deleguara” e Partisë socialiste në këtë qytet, ndodhet aktualisht në mandatin e dytë, dhe nën drejtimin e një femre gjërat duket se kanë ndryshuar, edhe pse nevojat vijojnë të jenë të shumta.

Rajmonda ka studiuar për financë, e si të tillë e sheh dhe mënyrën e menaxhimit të qytetit, siç e quan dhe ajo vetë.

“Drejtimin e bashkisë e kam quajtur më shumë menaxherial pasi duhet të planifikosh, organizosh, orientosh e drejtosh politikat e zhvillimit të territorit dhe pikërisht për këtë nuk do të merresh me politikën në vete, po me një harmonizim politikash për zhvillimin e atij territori ku ti ke marrë përsipër ta bësh këtë gjë.”

Për të Patosi është si një dritare e vogël shprese, dera e së cilës duhet të qëndrojë gjithnjë hapur.
Mes shumë problemeve që hasen, Rajmonda e konsideron veten shpeshherë sikur mbetet në “mes”.

Teksa rrëfen për këtë moment, kryebashkiakja e konsideron si një nga çastet më të vështira me të cilat politika e vë përballë.

“Nga njëra anë janë projektet që ke fituar, renditjet pozitive të institucionit ku punon, shifrat pozitive e nga ana tjetër ata që kërkojnë punë, ata që nuk kanë një banesë, ata që nuk paguajnë dot taksa, ata që duan bursë apo fermeri që do por nuk di, etj… Kjo është vështirësia, të ruash ekuilibrat, të qenurit në mes…

Por ti nuk mund të mbetesh peng e saj sepse duhet të kapësh ritmin. E të duhet të bësh ca kompromise me veten, që të heqësh dorë nga disa strategji të mëdha, për të marrë dhe disa vendime të vogla. Kjo është vështirësia e brendshme.”

Këto janë ato momentet gjatë ditës që pikëpyetjet në kokë nuk të lënë dhe ku kupton se gjithçka ke nevojë është pak qetësi larg detyrimeve që të “shtrëngojnë” gjatë ditës.

E këtë strehë, Rajmonda e gjen pikërisht pranë familjes së saj që ndonëse nuk ka mundësi të kalojë shumë kohë për shkak të detyrës, i konsideron si simbioza të njëra tjetrës.

“Ti merr nga koha e tyre për ta bërë qytetin më të mirë, por duke punuar për qytetin, ti punon edhe për ta, sepse qytetin e gëzojmë sëbashku.”

Ajo i gëzohet faktit se fëmijët dhe bashkëshorti i saj kanë qenë mirëkuptues dhe mbështetës.

“Nënë je 24 orë, dhe kryetare bashkie po 24 orë”, shprehet Rajmonda teksa rithekson se postin që mban e vendos aty me gjërat që do më shumë në jetën e saj.

E në fakt, është vonë për tu kthyer pas. Ajo tanimë ka hyrë me të dyja këmbë në rrugëtimin e mundimshëm dhe të bukur të politikës.

E megjithë pengesat që ka, Rajmonda të bind se arrihet, se është e vështirë por kurrë e pamundur, se mund ta bësh nëse beson dhe nëse e di çfarë të pret.

Ajo ka ecur gjithnjë me parimin se në politikë fiton, mëson por kurrë nuk humbet. E kjo është ajo që e ka mbajtur në këmbë. Rajmonda e di se kjo është ajo për të cilën është zotuar, dhe qëllimi i saj përmblidhet në dy fjali, sa të thjeshta në dukje e aq të forta në përmbajtje:

“Ëndrra vazhdon…

Sfida vazhdon…”

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *