Pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së PS-së, kryesocialisti Rama u është përgjigjur pyetjeve të mediave në një konferencë shtypi.
Rama është ndalur në përkujtimin e viktimave të 21 janarit, një ngjarje që nesër shënon përvjetorin e dytë. Rama ka theksuar që 21 janar është një plagë e hapur që nuk mund të harrohet, ndërsa ka vlerësuar qëndrimet e ditëve të fundit SHBA-së, OSBE-së dhe BE-së.
“Nesër është një 21 janari, një tjetër 21 janar pa drejtësi, madje një 21 janar që e gjen procesin gjyqësor në një fazë rrënimi të mëtejshëm. Ne do të jemi nesër aty ku kemi qenë qysh nga dita e parë, në kërkim të drejtësisë, duke kujtuar 4 dëshmorët e 21 janarit”, tha Rama.
Gjithashtu, në emër të PS-së dhe opozitës shqiptare, Rama ka dënuar heqjen e përmendores së dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë. “Beogradi nuk po shkëputet dot nga e kaluara, heqja e lapidarit është dëshmi e hijeve të së shkuarës. Vendi i zbrazur forcërisht nuk mund të lihet bosh. Qytetarët e Preshevës duhet ta mbushin atë me lule”, tha Rama.
Rama u ndal edhe në situatën ekonomike të shqiptarëve, ndërsa përsëriti se numri i të papunëve i kalon një milion. Kreu i selisë rozë tha se me ardhjen në pushtet, PS-ja do të heqë taksën e biznesit të vogël, një masë kjo që synon t’i japë frymëmarrje ekonomisë së vendit.
“Berisha akuzon se unë si kryetar bashkie e paskësha dyfishuar taksën për biznesin e vogël. Bashkia as nuk e rrit as nuk e ul dot taksën e biznesit të vogël, që vendoset nga qeveria. Heqja e taksës së biznesit të vogël është emergjencë”, u shpreh Rama.