11:00 – Ashtu siç ishte parashikuar, tubimi-homazh në nderim të katër protestuesve të vrarë para Kryeministrisë ka nisur në orën 11:00. Mijëra qytetarë janë grumbulluar fillimisht para selisë së Partisë Socialiste, nga ku kanë nisur marshimin e heshtur drejt Kryeministrisë, ku fotot dhe lulet kanë mbushur sheshin ku u vranë Aleks Nikaj, Hekuran Dedaj, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj.
Muzikë funebër shoqëron turmën masive të qytetarëve që përkujtojnë sot viktimat e 21 janarit të 2011-s. Mësohet se nga rrethet kanë mbërritur qindra qytetarë, të cilët me nismën e tyre individuale kanë zgjedhur të bëhen pjesë e këtij përkujtimi madhështor, nëpërmjet të cilit, në respekt të viktimave dhe larg nuancave politike, kërkojnë drejtësi për tragjedinë e 2 viteve më parë.
11:20 – Familjarët e katër viktimave kanë qenë të parët që kanë mbuluar me lule vendin ku dy vjet më parë u vranë të dashurit e tyre. Pas homazheve të familjarëve, kreu i opozitës, Edi Rama, ka bërë homazhet para fotografive të viktimave, duke vendosur lule pranë tyre. Lideri i PS-së ka zgjedhur katër karafila për secilin nga viktimat.
Policia, masa të forta sigurie
Ndërkohë, qindra forca policie kanë marrë masat për sigurinë gjatë tubimit. Forca të shumta policie janë vendosur në të dy anët e ndërtesës së Kryeministrisë dhe pika të tjera kyçe në bulevard. Qarkullimi i mjeteve është ndaluar një orë para fillimit të tubimit.
Policia ndalon autobusët e rretheve
Qindra mbështetës të opozitës, të ardhur nga rrethet me autobusë, janë detyruar të ecin në këmba nga Lapraka deri në qendër të Tiranës. Policia ka ndaluar hyrjen e autobusëve në sheshin “Shqiponja”, çka i ka detyruar qytetarët e ardhur nga rrethet të ecin në këmbë deri pranë selisë rozë, nga ku ka nisur marshimi-homazh.
21 janari, dy vjet pa drejtësi
Sot shënohen 2 vjet nga ngjarjet tragjike të 21 janarit, ku gjatë një proteste para Kryeministrisë u vranë katër protestues. Opozita kujton sot Ziver Veizin, Hekuran Dedën, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikën, përmes një tubimi-homazh në vendin ku ata u vranë.
Tubimi pritet të zhvillohet në mesditë, ndërsa më pas është parashikuar shfaqja e një dokumentari në ambientet e kinema “Millenium”. Shfaqja e dokumentarit mbi 21 janarin e 2011-s pritet të paraprihet nga fjala e liderit të opozitës, Edi Rama, dhe familjarëve të viktimave.
Dy vjet pas tragjedisë, familjarët e katër të vrarëve kërkojnë ende drejtësi. Ata shprehen se e kanë humbur besimin te drejtësia, e cila sipas tyre nuk do t’i zbardhë vrasjet për sa kohë është nën presionin e kryeministrit Berisha.
Një ditë më parë, gjatë një konference shtypi, kreu i PS-së, Edi Rama, tha se dy vjet pas tragjedisë, plaga e 21 janarit mbetet e hapur, për shkak të drejtësisë së munguar. “Ne do të jemi aty ku kemi qenë që nga dita e parë, në kërkim të drejtësisë, duke kujtuar katër dëshmorët e 21 janarit”, tha Rama.