Kritikat e shumta për check-up -n ka angazhuar edhe kryeministrin për të zhvilluar takime me qendrat ku bëhet ky kontroll falas për qytetarët e grupmoshës nga 45 deri në 60 vjeç.
Rama bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj ishte sot në lagjen Nr. 7 në Shkozet të Durrësit. Kjo qendër i shërben një popullsie prej rreth 20.000 banorë, nga të cilët 5817 janë të grupmoshës 40-65 vjeç.
Sipas Kryeministrisë, nga evidencat mjekësore të qendrës, rreth 1000 qytetarë e kanë kryer check-up falas, nga ku shumë prej të cilëve kanë zbuluar se vuanin nga sëmundje për të cilat nuk ishin në dijeni.
Kryeministri Rama u shpreh se me masat e ndërmarra në vijimësi po shënohet progres drejt arritjes së objektivit madhor të mbulimit universal në sistemin shëndetësor.
“Me progresin që kemi bërë nuk kemi vetëm kontrollin bazë falas por kemi dhe mjekun e familjes falas. Po të krahasojmë sot tarifat në spital për ata që janë të siguruar dhe ata që janë të pasiguruar diferenca është shumë e vogël. Pra po shkojmë drejt projektit tonë. Analizat janë absolutisht të standardeve evropiane”, u shpreh Rama. /Dita/
