Mbështetja e qeverisë ndaj agrobiznesit dhe industrisë së agropërpunimit, ka bërë që produktet bujqësore të fermerëve shqiptarë të synojnë gjithnjë e më tepër tregun ndërkombëtar, duke rritur cilësinë e tyre.
Për të parë nga afër lehtësitë që programi mbështetës krijon për fermerët, ishte në pikën e grumbullimit, “Hatija”, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Kryetarja e Bashkisë së Urës Vajgurore Juliana Memaj dhe deputetë dhe drejtues lokalë të zonës.
Kryeministri inkurajoi edhe njëherë fermerët që për të mirën e tyre financiare e për të përfituar sa më shumë nga skemat e ndihmës, të pajisen me NIPT. “Ne kemi bërë një sakrificë buxhetore, në kuptimin e përgjithshëm të buxhetit, duke vazhduar të rimbursojmë 20% të prodhimit, në mënyrë që të nxisim formalizimin dhe qoftë për ju, qoftë për të gjithë ata që prodhojnë në fushë, është shumë e rëndësishme që të jenë të formalizuar, në mënyrë që të përfitojnë 20% e rimbursimit. Ata që kanë marrë NIPTI-n përfitojnë shumë më tepër se më parë.”
