Pasi kryetari i opozitës Lulëzim Basha mbaroi fjalën e tij në Kuvend dhe iu kthye ashpër kryeministrit Rama, ky i fundit nuk ia la mangut duke ia kthyer me një tjetër shprehje të Papa Françeskut.
“E thashë në mbyllje është dita ndërkombëtare e tolerancës dhe nuk mundem veçse të buzëqesh duke replikuar për të gjitha sharjet që sapo më adresoi shumë i dashuri Lul. Meqë për arsye që nuk i di e nise me Papa Franceskun ashtu po e vazhdoj edhe unë. Ai thotë: Flisni për mëkate e skandale se ju intereson zhurma që bën një pemë që bie e jo pylli që rritet”,- tha Rama.
Duke vazhduar me një shprehje tjetër të tij, Rama shtoi: “Nuk rritesh dot nëse nuk pranon vogëlsinë tënde”.
Pas akuzave të Bashës se Rama kërkon investim në ndërtimin e hoteleve për pastrimin e parave të njerëzve të rij, Rama tha se biznesmeni i parë në Shqipëri që do të ndërtojë hotel me 5 yje është mbështetës dhe sponsor i Partisë Demokratike.
“Jemi një vend për të cilin kanë folur të gjithë ato kryeministra patriot, është më i bukuri, më i miri, dhe është turistik dhe është me dete, me erëra që fryjnë dhe me diell që lind e perëndon më bukur se kudo. Dhe sot jemi i vetmi vend në të gjithë rajonin që s’kemi hotel me 5 yje. Ne do ndërtojmë hotele me 5 yje në Shqipëri. Dhe s’do bëjmë ndonjë shpikje, por do aplikojmë legjislacionin si vendet fqinje, si Mali i Zi, që na ka lënë targën e s’po e shohim më. Si do u bëka ky pastrim partish, jo 5 yje të lyera nga pronari , por marka të regjistruara në top-listën e industrisë turistike, quhet Avni Ponari, hotel me 5 yje në Valbonë. Ky është biznesmeni i parë që do ndërtojë hotel me 5 yje është mbështetës i PD. Unë nuk i ndaj njerëzit në të juajët dhe tanët” përfundoi Rama replikën ndaj Bashës.
