Kryesocialisti Edi Rama, ka zgjedhur t’ua prezantojë kosovarëve “planin e tij qeverisës” për Kosovën. Në një intervistë për gazetën Zëri, Edi Rama thotë se ka ardhur koha për bashkimin “real” të shqiptarëve këndej dhe andej kufirit. Rama premton që kufirin Kosovë-Shqipëri ta shndërrojë në një kufi inekzistent. Ai flet për bashkim doganor, për krijimin e një hapësire të përbashkët të energjisë, të edukimit, kulturës… Koalicionin me LSI-në e Ilir Metës, Rama e quan të “natyrshëm”. Ai thotë se ndarja e së majtës më 2003, i ka kushtuar shumë jo vetëm PS-së e LSI-së, por gjithë Shqipërisë. Sipas tij, bashkimi i PS-së me LSI-në është koalicioni i së ardhmes, i cili “do ta rilindë Shqipërinë”. Rama është i bindur se nga 23 qershori, Shqipëria do të ndryshojë. Thotë se ndihet shumë mirë kur viziton Kosovën, derisa nuk preferon të flasë shumë nëse ka arritur që me vizitat e shpeshtuara në Prishtinë ta “rrëzojë” mitin e quajtur “Berisha”.
Na i trego tri-katër pika kryesore të programit që lidhen me Kosovën?
Sot jemi në një situatë krejt të re dhe kemi nevojë për një vizion të ri, duke e parë të ardhmen me instrumentet e ndryshme nga ato të së shkuarës. Përfytyroni për një moment se sa shumë gjëra kanë ndryshuar në një kohë që për historinë është shumë e shkurtër, janë vetëm 15 vjet. Dhe në këto 15 vjet është kryer një transferim i jashtëzakonshëm. 15 vjet më parë Kosova ishte në kushtet kur qindra-mijëra njerëz ishin të kërcënuar me jetët e tyre dhe pastaj erdhi momenti i tentativës gjakatare për spastrim etnik dhe sot Kosova përfaqësohet në tryezën e bisedimeve me Serbinë si palë që e ka fituar luftën dhe që po tregohet përsëri kurajoze dhe largpamëse për të fituar edhe paqen. Është një transformim i jashtëzakonshëm, edhe për faktin se bashkimi kombëtar për të cilin ne flasim, në esencë ka ndodhur. Nuk ka ndodhur si bashkim me instrumentet dhe vizionin e së shkuarës, por ka ndodhur si një bashkim, kur kufiri neve sot nuk na pengon të zhvillojmë një projekt të përbashkët strategjik.
Megjithatë, ka disa pengesa. Si shembull, kemi pasur probleme me eksportimin e patates në Shqipëri, pastaj miellit… Po ashtu bizneset kosovare e kanë shumë të vështirë zhvillimin e tyre në Shqipëri, apo nuk kanë fare mbështetje nga institucionet e atjeshme…
Bashkimi në esencë ka ndodhur, por na duhet një vizion i ri për ta parë që ka ndodhur dhe instrumentet e reja për të shfrytëzuar këtë që ka ndodhur. Në këtë aspekt, ne i kemi disa propozime për nesër, mbi një qasje të re, pikërisht e prezumon që jemi dy shtete, por me një hapësirë që sa më e përbashkët të jetë në administrimin e punëve, aq më shumë mund të sjellë mirëqenie dhe cilësi edhe për qytetarët këtej dhe andej kufirit, duke filluar nga siguria energjetike. Neve na duhet një plan strategjik për sigurinë energjetike për të gjitha hapësirat, një plan i bashkërenduar mes dy shteteve dhe mes dy qeverive. Ne nuk kemi pse të bëjmë investime kuturu në energjetikë, ndërkohë që edhe investimet duhet të jenë të projektuara sipas këtij plani. Në arsim është e patolerueshme që të mos kemi një hapësirë të përbashkët të dijes, arsimimit, të edukimit të të rinjve dhe të sistemit të shkollimit deri në universitet. Në aspektin e zhvillimit të prodhimit bujqësor-blegtoral, ne nuk kemi pse të mos e kemi një hartë të prodhimit të rajonalizuar sipas territoreve, sipas stinëve dhe pse të mos e kemi një bashkim doganor.
Kemi në fakt një bllokadë. Pse ndodh ajo bllokadë?
Sepse ne akoma kemi mbetur në të shkuarën. Flasim për bashkim me vizionin e të shkuarës, me gjuhën e të shkuarës dhe me instrumentet e të shkuarës që janë komplet jashtë kontekstit të sotëm. Ndërkohë që kur ndodhin disa gjëra, si historia e miellit, patates, çimentos, ne e kuptojmë se sa larg jemi nga realiteti i sotëm dhe se sa jashtë realitetit vazhdon të zhvillohet politika dhe sa larg realitetit janë instrumentet e qeverisë së sotme në raport me potencialet e reja që ka krijuar koha, duke krijuar një shtet të ri, një shtet tjetër shqiptar, në një kufi që ne e kemi në dorë ta bëjmë inekzistent.
Pse nuk po bëhet kjo? Po i konvenon dikujt të ndodhë kështu?
Fakti që këto interesa mund të jenë të ngushta apo të gjëra, pak rëndësi ka. Krijohen konflikte, që do të thotë se ne nuk e kemi sistemin që nuk lë terren për këtë konflikt. Për shembull, një tjetër aspekt është gjuha e shkruar, qoftë e gazetave, qoftë e librit që sot janë si produkte të kërcënuara në një treg që është shumë i parregulluar dhe në një kohë që nuk i favorizon shumë, atëherë edhe këtu ka diçka për të bërë, duke marrë shembullin e vendeve të zhvilluara që po e mbrojnë gjuhën e shkruar në letër si një pasuri që nuk mund të tretet. Dhe ne mund të kemi një plan të përbashkët në këtë aspekt. E njëjta gjë mund të thuhet për sportin, për turizmin. Shqipëria sot ka një turizëm që është i kufizuar në 1 muaj e gjysmë, ndërkohë që në kohën e Zogut kishte një ofertë turistike që përfshinte të gjitha territoret shqiptare. Prandaj, po të shikoni ato fletoret e kohës së Zogut, ofertat turistike, ato përfshinin Kosovën dhe Shqipërinë.
Thoni që ekziston mundësi për treg të përbashkët. Pastaj hapësirë të përbashkët për sport, ku kemi pasur iniciativë konkrete nga pala kosovare, sidomos nga klubet e futbollit për krijimin e një lige të përbashkët. Por, që ka pasur direkt pengesë nga UEFA. A mendoni se pengesa të tilla do të hasim edhe në fushat tjera?
Problemi është se ne nuk duhet të shkojmë direkt në konflikt me organizatat ndërkombëtare, në këtë rast me UEFA-n dhe FIFA-n. Mendoj se ne nuk duhet të shkojmë direkt në ligën e përbashkët të futbollit. Ne duhet në radhë të parë të shohim si ta shfrytëzojmë sportin për të afruar dhe për të krijuar ndërveprim te sa më shumë njerëz, duke filluar nga niveli universitar. Për shembull, ne e dimë shumë mirë që jeta sportive universitare në Amerikë, apo në shumë vende tjera është shumë e zhvilluar me kampionate, me aktivitete të përbashkëta. Pastaj në të gjitha ato aktivitete ku tanimë federatat ndërkombëtare nuk e kanë problem, si në mundje, në boks, në peshëngritje. Kjo gjë mund të ndodhë. Pastaj ne mund të kemi një “Kupë të Flamurit”, që mund të jetë kupa e gjithë hapësirës shqiptare dhe nuk kemi nevojë të bëjmë një ligë që të shkojmë të përplasemi me dynjanë. Dhe gjërat vijnë hap pas hapi. Prandaj, ne duhet të pararendim një proces, i cili sot nuk mund të shihet me sytë e të shkuarës, dhe nuk mund të zhvillohet me instrumentet e të shkuarës ngase realiteti ka ndryshuar dhe ne ende jemi në realitetin e vjetër.
T’i kthehemi pak zhvillimeve në Shqipëri. Para pak ditësh keni bërë koalicion parazgjedhor me LSI-në e Ilir Metës. Megjithatë, gjatë kohës sa z. Meta ka qenë në bashkëqeverisje me Sali Berishën, ju e keni akuzuar atë se së bashku me Berishën po i mbështesin biznesmenët serbë dhe madje kanë lidhje shumë të afërta me ta. Pse ka ndodhur ky koalicion?
Nuk e kam bërë këtë akuzë në këtë sens. Po, kjo pak rëndësi ka. Ky është koalicion për të ardhmen. Ne kemi përjetuar tetë vjet të një historie të vështirë, në krahun e majtë për shkak të një ndasie të vitit 2003. Saliu nuk ka qenë shumicë asnjëherë, as më 2005, e as më 2009, kur edhe fatkeqësisht i vodhi zgjedhjet, por megjithatë ai ka qëndruar në pushtet dhe shkaku ka qenë kjo ndasi. Dhe ne sot jemi bashkë për t’i dhënë shumicës mundësinë që të ketë qeverinë e vet.
Jeni i bindur se më 23 qershor krahu i majtë do t’i fitojë zgjedhjet?
Jam mëse i bindur.
Cilat janë disa nga fushat kryesore ku do të fokusoheni në fushatë?
Ju besoj e ndiqni fushatën tonë në mënyrë të përditshme, se e shoh që reflektohet në medie këtu, dhe praktikisht zgjedhjet e 23 qershorit, janë zgjedhje midis një rrënimi të mëtejshëm, që ka ardhur si rezultat i politikave dritëshkurtra, që ka ardhur qoftë në planin ekonomik, qoftë në planin social, qoftë në planin demokratik dhe të krijimit të kushteve që të kemi një rilindje në Shqipëri. Një rilindje të ekonomisë, të shoqërisë, një rilindje demokratike për institucionet dhe të kemi më shumë atmosferë pozitive për rritjen e punësimit, për të mbështetur sipërmarrjet, duke krijuar barazi në treg, për t’i hapur rrugë konkurrencës, duke goditur monopolet, duke ulur taksat për 95 për qind, duke hequr taksën e biznesit të vogël, duke i dhënë fshatit shumë më tepër vëmendje për prodhimin bujqësor dhe blegtoral që është në një gjendje shumë dramatike dhe duke ndarë Shqipërinë nga retorikat nacionaliste dhe politika qorre e shfaqjes si kërcënim i stabilitetit të rajonit, për shkak të dështimeve të brendshme.
E përmendët shkurtimisht linjën e interkonjeksionit dhe bashkëpunimin në energjetikë Kosovë-Shqipëri. Ne e dimë se është ndërprerë ajo linjë energjetike. Çka do të bëni në këtë lëmi?
Ne do të fillojmë menjëherë ndërtimin e linjës së interkonjeksionit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Unë e kam ndjekur atë investigimin e gazetës suaj, dhe e çmoj shumë faktin që ju jeni bërë zëdhënës i një të vërtete shumë të hidhur, duke e marrë përsipër edhe koston. Por, një kosto shumë e madhe i është faturuar vetë Shqipërisë, por edhe Kosovës, qoftë nga pikëpamja e humbjes që ka ardhur nga mosrealizimi i këtij projekti dhe rrënimi i imazhit të Shqipërisë, në raport me partnerët, nga një partner strategjik siç është Gjermania, por që reflekton edhe tek të tjerët.
Sot kishte një reagim të Lëvizjes “Vetëvendosje”, në fakt një mospajtim. Ata refuzuan të takohen me ju për faktin se jeni të afërt me Qeverinë e Kosovës, pse jeni futur në koalicion me Metën… Cili është mendimi i juaj për ta dhe për liderin e saj, Albin Kurti?
Me shumë dashamirësi e them se ata e kanë bojkotuar tërë botën, e lëre mua. Unë jam shumë i vogël që të ankohem që më kanë bojkotuar. Nga ana tjetër, Albinin e respektoj, e kam mik dhe e çmoj dhe nuk ndryshon mendimi im për Albinin. E kam thënë dhe e përsëris se Albini është një intelektual i admirueshëm, por që politikisht bën gabime mbresëlënëse dhe nuk di të bëjë gabime të vogla./Zëri