Edi Rama ka vënë alarmin për nivelin e lartë të borxhit publik dhe ka kërkuar nga qeveria të tregohet e përgjegjshme me financat e shtetit. “Për të mbrojtur vlerën e librezës së kursimit të çdo familjeje, për të mbrojtur vlerën e rrogave, vlerën e pensioneve të pensionistëve të sotëm, apo vlerën e pensioneve të të punësuarve të sotëm dhe për ta shpëtuar vendin nga një katastrofë financiare, që mund të kthehet në realitet në të nesërmen e afërt, për shkak të heqjes së kufirit të borxhit publik, është shumë e rëndësishme që ne të biem dakord që praktikisht së pari ta përcaktojmë me ligj masën e borxhit”, u shpreh kryesocialisti.
Mekanizmat e kontrollit
Rama gjithashtu ka propozuar edhe mekanizmat kontrollues për t’u sanksionuar në ligj, që lidhen me kontrollin e borxhit. “Mendoj që duhet të biem dakord që Banka e Shqipërisë të ngarkohet ligjërisht nga Kuvendi që ta llogarisë borxhin publik, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe Banka e Shqipërisë të detyrohet me ligj ta njoftojë Kuvendin në çdo rast kur Qeveria e shkel kufirin e borxhit publik. Banka e Shqipërisë të miratojë dhe të publikojë, siç ndodh në cdo vend normal, një kuadër shumë të qartë për mënyrën e llogaritjes së borxhit publik, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe sigurisht që mbi këtë bazë Qeveria jonë, nuk flasim më për këtë Qeveri që po numëron ditët, por çdo Qeveri më pas, të mos marrë asnjë rol arbitrar në kurriz të qytetarëve dhe në dëm të interesit kombëtar dhe publik, në raport me borxhin”, u shpreh kreu i PS-së. Rama i komentoi këto propozime si një ndihmë për Qeverinë dhe Kryeministrin Berisha i cili ka kërkuar alternative në lidhje me çështjen e shumë debatuar të borxhit publik. Kryesocialisti Rama duke iu referuar shifrave zyrtare u ndal edhe tek treguesit më të fundit të papunësisë. “Prej vetëm pak ditësh INSTAT-i, Instituti i Statistikave të Qeverisë, dihet botërisht se është një institut tërësisht i varur, ka raportuar se numri i punësuarve në Shqipëri në tremujorin e tretë të vitit 2012 ka rënë 10 mijë më pak se në tremujorin e dytë, mbërrin në 51.500. Pra në vitin 2009, Qeveria premtoi 160 mijë vende të reja pune dhe sot sipas INSTAT ka 51.500 vende punë të humbura”, tha Rama.