Rama: Check up-i, hap drejt shëndetësisë falas

Saimir Lleshi

Check up-i falas, po vijon të aplikohet nga qytetarët në të gjitha qendrat shëndetësore, pranë vendbanimeve të tyre.

Programi kombëtar i kontrollit bazë shëndetësor për të gjithë shqiptarët rezidentë, në grupmoshën 40–65 vjeç, fton 900 mijë shqiptarë, që një herë në vit të paraqiten në qendrën shëndetësore të vendbanimit dhe të bëjnë kontrollin bazë shëndetësor, pa pagesë, pavarësisht nëse janë apo jo, të siguruar për kujdes shëndetësor.

Check-up-i është hapi i parë konkret, drejt Mbulimit Universal, objektivit madhor të programit të qeverisë në sistemin e kujdesit shëndetësor.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishte sot në qendrën shëndetësore nr. 10 në Tiranë, për të parë nga afër zbatimin check-up në kabinetet e kësaj qendre të parashikuara për këtë qëllim.

Qendra shëndetësore nr.10, është qendra më e madhe në Tiranë që mbulon një zonë prej rreth 80 mijë banorësh, të njësive bashkiake 3 dhe 4, në kryeqytet, nga të cilët 20 mijë janë të grupmoshës 40-65 vjeç. Personeli prej 114 mjekësh, shërben me përkushtim të plotë gjatë gjithë ditës, me dy turne.

Për të shmangur pritjen e qytetarëve, çdo gjë zhvillohet sipas një programi prenotimesh. “Kemi një fletë që prenotojmë. Bëjnë prenotimet dhe qytetarët vijnë sipas orarit që kemi caktuar që të mos krijohet konfuzion.” tha një tjetër mjeke.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se nëpërmjet check up krijohet për herë të parë, një bazë të dhënash shumë e rëndësishme për të vijuar punën për sistemin e shëndetësisë me mbulim universal.

“Kjo është vendosja e një bazë të dhënash për herë të parë, pas 20 e kusur vitesh, se para 20 e kusur vitesh edhe lopët, edhe delet kishin kartelën e tyre. Kurse këtu gjithçka u zhduk. Do të ishte mirë ta bënim për të gjithë popullsinë, por jemi fokusuar tek grupmosha 40-65 vjeç sepse aty shfaqen zakonisht problemet e fillesave me sëmundjet.

Besoj që të gjithë kanë të mirën që informohen, por është edhe një e mirë e përbashkët, sepse krijojmë një bazë të dhënash për herë të parë dhe mbi atë bazë të dhënash bëjmë dhe politikat që na duhen. Pa këtë bazë të dhënash nuk e bëjmë dot sistemin e shëndetësisë me mbulim universal, d.m.th. falas për të gjithë ata që s’kanë mundësi”, u shpreh Kryeministri.

Kontrolli bazë shëndetësor përfshin vlerësimin e riskut shëndetësor për 7 çështje të rëndësishme të shëndetit të çdo qytetari. Ato janë: 1) Hipertensioni arterial; 2) Obeziteti; 3) Duhanpirja; 4) Kolesteroli; 5) Dieta e varfër; 6) Inaktiviteti fizik; 7) Përdorimi i alkoolit. Gjithçka që evidentohet gjatë kontrollit regjistrohet në dosjen elektronike shëndetësore, dhe më tej, në varësi të vlerësimit të riskut, bëhet komunikimi i tij, dhe fillon procesi i menaxhimit të riskut. /Dita/

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *