Një prognozë se si do të rreshtohen palët në duelin elektoral të 23 qershorit. PS do të zgjedhë mes AK-së dhe LSI-së. A do mundet Berisha të joshë Metën për herë të dytë, apo do të krijohet Poli i Tretë mes Metës, Dules dhe Topit. Cili është pozicionimi i FRD-së dhe pse ajo ka përjashtuar bashkëpunimin me dy partitë kryesore dhe nuk jep një përgjigje të prerë për koalicionin me LSI-në?
Kur astrologia Meri pak javë më parë në emisionin e Ilva Tares u shpreh se pas qershorit nuk është e pamundur që të kemi një qeveri të përbërë nga PS dhe PD, shumë veta e morën me të qeshur. Mirëpo, ndarja e elektoratit, krijimi i partive të reja dhe kodi zgjedhor, tregojnë se pas 23 qershorit asgjë nuk është e pamundur. Nëse katër vjet më parë bashkëpunimi mes PD-së dhe LSI-së u duk si gjë e pamoralshme dhe e palogjikshme, në këto zgjedhje duket se një praktikë e tillë do të jetë një gjë e zakonshme. Partitë kryesore tashmë nuk bëjmë më ndarje të qartë ideologjike, duke pasur një qasje më tepër elektorale dhe pragmatiste sesa ideologjike. Partia Socialiste ka futur në programin e saj qeverisës, dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve dhe kompensimin e pronarëve të ligjshëm, ndërsa Partia Demokratike premton rritje rrogash e pensionesh për shtresat që në përgjithësi përfaqësohen nga e majta. E vetmja pengesë që partitë kanë në krijimin e koalicioneve paraelektorale janë antagonizmat dhe mëritë që liderët e tyre kanë me njëri-tjetrin. Berisha edhe pse nuk ka asnjë lidhje programore me LSI-në, është më i gatshëm të krijoj koalicion me partinë e Metës sesa me FRD-në e Bamir Topit, që është një parti tipike e së djathtës. Po ashtu, edhe me Kreshnik Spahiun, PD më tepër ka inate personale sesa programore. Kryeministri Berisha ashtu si Kreshnik Spahiu ka marrë flamurin e nacionalizmit, por e përjashtojnë në mënyrë të prerë bashkëpunimin e tyre parazgjedhor. Duke parë konfigurimin e partive, por dhe vetë deklaratat e krerëve të partive, gazeta “DITA” po sjell një prognozë paraelektorale të koalicioneve të mundshme dhe atyre që janë utopikë, të paktën për momentin.
Koalicionet e mundura
Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti që ka dalë nga Partia Socialiste dhe deri në vitin 2009, çdo lëvizje e saj parashikonte koalicione vetëm me PS-në. Por, pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, u krijuan premisat që partia e Metës të ishte në koalicion me të dy partitë kryesore. Përplasjet mes PS-së dhe LSI-së arritën aq larg sa bashkëpunimi mes tyre përjashtohet në mënyrë kategorike. Takimi i Ramës dhe Metës vitin e kaluar dhe ulja e akuzave ka bërë që të shtohen zërat e një bashkëpunimi paraelektoral mes dy forcave të majta. Rama i ka bërë thirrje disa herë Metës që të zgjedhë “nëse do të qëndroj patericë e pushtetit apo të jetë pjesë e ndryshimit”. Nga ana e LSI-së, nuk e përjashtojnë afrimin mes palëve, por kërkojnë që ftesa të bëhet në mënyrë institucionale. Meta, por dhe të vetët e kanë thënë disa herë se vendimi për koalicionin do të merret në muajin prill dhe nuk ka përjashtuar asnjë mundësi për bashkëpunim. Problemi i një bashkëpunimi mes tyre mbetet fakti që LSI është pjesë e qeverisë dhe nëse nuk bën një akt të fortë politik që të rrezikojë karrigen e Sali Berishës duket si i vështirë afrimi me PS-në. Në rast se PS nuk do të arrijë të futet në koalicion me LSI-në, varianti tjetër mbetet Aleanca Kuq e Zi e Kreshnik Spahiut. Nën zë në selitë e dy partive ka nisur të diskutohet se kanë nisur kontaktet e një afrimi paraelektoral mes dy partive. Duke parë qëndrimin e dy partive dhe faktin që AK-ja nuk ka komisionerë në zgjedhje, teza e bashkëpunimit mes tyre është krejtësisht e mundshme. Nëse AK-ja do të afrohej me selinë rozë, atëherë rrëzohet mundësia e vazhdimit të bashkëpunimit mes Partisë Socialiste dhe PBDNJ-së së Vangjel Dules, që ka përplasje të forta me Spahiun.
Edhe në kampin e djathtë situata paraelektorale është ende e paqartë. Berisha është duke luajtur të gjitha kartat për të afruar sa më shumë aleatë për të ulur peshën e FRD-së dhe konsumimin e pushtetit që në këto tetë vite ka arkiv të pasur me abuzime dhe raste skandalesh pa fund. Berisha është duke tentuar të futet në zgjedhje me LSI-në për faktin se e ka aleatin kryesor të qeverisë. Por, kjo nuk është vetëm në dorën tij. Meta është duke “flirtuar” sa djathtas edhe majtas. Kjo po ndodh si lojë politike apo është në vështirësi pozicionimi, mbetet ende për t’u parë. Nëse LSI-ja do të futej në koalicion me PD-në, atëherë partia e Berishës rrezikon të humbasë aleat potencial siç është Partia Republikane apo dhe PDIU e Idrizit. Nëse Meta do të dalë vetëm apo me PS-në, atëherë Berisha është i detyruar të shtrëngojë fort aleatët e tij tradicional duke përfshirë edhe partinë e çamëve dhe demokristianët e Ndokës. Partia e Shpëtim Idrizit është ende në dilemë për qëndrimet e saj. “Lëvizja Çame” e cila është krijuar rishtas është duke i hapur shumë probleme serioze Idrizit, duke i marrë pjesën dërrmuese të elektoratit. Largimet e njëpasnjëshme dhe përplasjet mes komunitetit duket se do ta kushtëzojnë edhe pozicionimin e Idrizit.
Poli i Tretë, një tjetër opsion
Mënyra se si po lëvizin partitë këto kohë ka ngritur tezën se po krijohet një pol i tretë. Në rast se LSI s’do jetë pjesë e bashkëpunimit me një parti të madhe mund të krijojë rreth vetes një koalicion i cili të jetë si kundërpeshë për dy formacionet kryesore. Deri më tani, është folur për një bashkëpunim mes LSI-së dhe partisë së Vangjel Dules. PBDNJ duket se është larguar nga koalicioni i majtë dhe është duke kërkuar një aleat që t’i sigurojë të paktën një mandat në Kuvend. Pjesë e këtij Poli të Tretë nuk përjashtohet edhe Fryma e Re Demokratike që në mënyrë zyrtare, as nuk e mohon dhe as nuk e pohon një ide të tillë. Nëse Biberaj dhe Daut Gumeni thonë se s’do bashkëpunojmë me PD-PS-LSI, kreu i kësaj partie, Bamir Topi e lë si opsion të mundur edhe bashkëpunimin me Metën. Problemi i vetëm që Topi ka me këtë bashkëpunim lidhet me moralin politik. Partia e tij është duke denoncuar korrupsionin qeveritar dhe LSI-ja, si pjesë e qeverisë, nuk e plotëson kriterin për të qenë një parti e “pastër”. Gjasat më të mëdha janë që Poli i Tretë të krijohet mes LSI-së dhe PBDNJ-së, ndërsa bie poshtë afrimi i partisë së Shpëtim Idrizit. Krijimi i këtij poli vjen si presion ndaj dy partive kryesore për të mos arritur të vetme një mazhorancë me 71 mandate. Nëse një nga dy partitë krijon mazhorancë pa pasur nevojën e LSI-së, atëherë Poli i Tretë vdes së funksionuari, pasi bëhet i padobishëm.
Koalicionet e pamundura
Nëse do t’i rikthehemi dhe njëherë parashikimit të astrologes, mund të themi se në këto zgjedhje bashkëpunimi mes dy forcave kryesore politike nuk do të jetë i nevojshëm. Nga llogaritë e sondazheve, PS i kap e vetme numrin e nevojshëm të mandateve dhe nëse kjo nuk arrihet i duhet një, ose dy më tepër, ç’ka mund ta sigurojë me partitë e vogla. Për këtë arsye një koalicion PD-PS është thuajse teorikisht i pamundur. Një bashkëpunim mes tyre mund të ndodh vetëm nëse marrin të dyja 70 mandate dhe aleatët nuk sigurojnë asnjë. Një tjetër koalicion i pamundur është dhe bashkëpunimi i FRD-së me dy partitë kryesore. Topi është shprehur se FRD ka lindur për të reformuar të djathtën dhe futja në koalicion me të e humbet thuajse fare misionin e saj. FRD është një forcë politike opozitare, por kjo nuk e bën më të lehtë edhe bashkëpunimin me PS-në. Një parti që është qartësisht e djathtë nëse do të shkonte me krahun e majtë, do të kishte problem të madh për të siguruar votat e nevojshme për t’u përfaqësuar në parlament. Po ashtu edhe koalicioni i PD-së me AK-në është i pamundur. Spahiu ka shpallur si qëllim të tij largimin e Sali Berishës, për këtë, afrimi me Partinë Demokratike duket ende shumë larg. Në të njëjtën shkallë vështirësie shfaqet edhe koalicioni mes Aleancës Kuq e Zi dhe LSI-së. Spahiu që nga krijimi e ka etiketuar Metën si tradhtar dhe të korruptuar, duke përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi parazgjedhor.
Koalicionet e mundura
PS-AK (Qëndrimi i përbashkët anti-Berishë duket se po çon në një bashkëpunim paraelektoral të partisë së drejtuar nga Kreshnik Spahiu dhe opozitës së bashkuar)
PS-LSI ( Duke parë frymën që ekziston në vend Ilir Meta i cilësuar si politikan me nuhatje politike mund të ketë një kthesë të fortë në prill për t’ju rikthyer një bashkëpunimi me partinë që e formoi si politikan).
PD-LSI-PDIU ( Fakti që aktualisht janë duke qeverisur vendin, nuk përjashtohet mundësia që këto tre parti të futen në zgjedhje së bashku).
LSI-PBDNJ-FRD (Nevoja për të kontrolluar dy partitë e mëdha dhe mbijetesa politike mund të detyronte tre partitë e vogla për t’u bashkuar në një koalicion për të krijuar atë që është emërtuar Poli i Tretë).
Koalicionet e pamundura
PS-PD (Mundësitë praktike që ky koalicion të krijohet janë thuajse zero. Do të duhet që të dy partitë të marrin nga 70 mandate që të lind nevoja e një koalicioni të madh).
PD-FRD dhe PS-FRD (FRD më shumë se një herë është shprehur se e ka të përjashtuar mundësinë e hyrjes në zgjedhje me një nga dy partitë kryesore.)
PD-AK (Sali Berisha dhe Kreshnik Spahiu në përplasjen e tyre kanë shkuar aq larg saafrimi deri në zgjedhje duket një mision i pamundur. Spahiu ka thënë se qëllimi i saj është vetëm largimi i Berishës).
AK-LSI (Krijimi i AK-së duket se ka ardhur edhe si një kundrapeshë për LSI-në. Spahiu e ka cilësuar partinë e Metës si tradhtare të interesave të vendit dhe nuk do të bashkëpunonte në asnjë rrethanë me të para zgjedhjeve).
Deklaratat
Rama për Topin
I pyetur pak ditë më parë për një bashkëpunim me FRD-në e Topit, kreu i selisë rozë dha këtë përgjigje: “FRD duhet të çlirohet nga kompleksi se bashkimi në frontin opozitar mund të shihet si tradhti. Baraslargimi ndihmon regjimin!
Spahiu për Berishën
“Pas zgjedhjeve do shmangim vetëm koalicionin me Sali Berishën. Koalicionet e tjera pas zgjedhjeve do negociohen vetëm bazuar në parimin e programit. Ne kemi disa kushte dhe kritere për atë që po respekton dhe implementon programin tonë.”
Meta për Dulen e Idrizin
“Ëndrra ime është një koalicion me Dulen dhe Idrizin. Shpëtimi nuk do që të na prishi me Greqinë, por mendoj që zgjidhja e çështjes çame i forcon marrëdhëniet mes dy vendeve tona”.
Rama për Metën
LSI duhet të zgjedhë: Patericë e regjimit apo krah opozitar! Duke zgjedhur opozitën do bënte edhe një akt vullneti të mirë për t’u ndarë nga hija e një të shkuare të palavdishme në pushtet.
Meta për koalicionet zgjedhore
“Natyrisht kjo nuk do të vendoset vetvetiu. Ne gjykojmë që në dy javët e para të muajit prill të hapet debati lidhur me çështjen e koalicionit të ardhshëm dhe brenda 16 prillit, pra një javë përpara se të përfundojë afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve, të merret një vendim përfundimtar dhe sa më i përgjegjshëm i Konventës Kombëtare të LSI-së.
Spahiu për Polin e Tretë
“Debati i sajuar mbi koalicionet dhe polet e treta kërkon të shpërqendrojë vëmendjen e publikut nga kriza politike, ekonomike, institucionale dhe rritjes së nivelit të krimit në të gjithë vendin. Sa herë që rrugët e Tiranës pushtohen nga kallashnikovët, shfaqen satelitët e PD-së për të zhurmuar opinionin publik me idenë e koalicioneve apo poleve të tjera në politikë”, deklaroi Spahiu.
Topi për Polin e tretë
“Ne kemi aq eksperiencë në politikë sa mos të intrigohemi nga sajesa të ditës, ku secili mundohet të quajë për fakt të kryer atë që s’ekziston. Por, gjithsesi nëse gjithçka do të shkojë edhe në interes të opsionit tonë politik, gjithçka është e mundur, por gjithnjë mbi bazën e disa parimeve të forta që ne i qëndrojmë me konsekuencë“.
Berisha për Ramën
“Fitoren e bazoj tek programi i PD-së e aleancat dhe këtë e kam faktuar. Aleancat mund t’i mbash kur ke një qëndrim korrekt, luajal dhe konstruktiv. Në 20 vite, nuk gjen njeri një aleat të larguar nga Sali Berisha, të ketë thënë se po iki për shkak të mungesës së luajalitetit të tij. Rama bazon gjithçka në pabesinë e tij”.
Botuar sot ne DITA
Perjashto ILIR Hajdutin o Edvin!