Kreu i opozitës Edi Rama i shoqëruar nga Sekretari për Rininë Erion Veliaj, deputeti Taulant Balla dhe krerët e bashkive Tepelenë, Lushnje, Ballsh, Pogradec e Sarandë, ishte sot në Athinë në një takim për 100 vjetorin e pavarësisë me emigrantët shqiptarë në këtë vend. Më poshtë, pjesë nga fjala e Ramës në një sallë të tejmbushur në kryeqytetin grek:
“Shqipëria ju ka të gjithëve ju një borxh shumë të madh. Pa punën dhe pa ndihmën tuaj Shqipëria nuk do ta kishte përballuar dot varfërinë, papunësinë dhe sidomos krizën e tmerrshme ekonomike të shkaktuar nga keqqeverisja. Ndihma jua ka qenë e domosdoshme për qindra, mijëra familje që falë jush kanë mundur t’i mbijetojën problemeve të panumërta që kanë në Shqipëri.
Unë besoj se ashtu siç morët rrugën pa asgjë në xhep vetëm me forcën e një ëndrre shumë të madhe dhe e një vullneti të jashtëzakonshëm për t’u ndarë nga bataku i varfërisë dhe i mungesës së shpresës dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë për familjen tuaj, është dita që të merrni edhe njëherë rrugën për të ardhur në Shqipëri, për të votuar me forcën e një ëndrre shumë të madhe që Shqipëria të rilindë.
Shumë kush ndër ju gjithçka kishte e bëri një biletë dhe morri rrugën siç shumë mund ta dëshmojnë stacion pas stacioni, vështirësi pas vështirësie për të arritur deri në Athinë, ku pjesa më e madhe nuk kishin as strehë kur erdhën. E pra ja ku jemi sot, kështu që unë nuk besoj, madje jam i bindur, që bileta për të ardhur dhe për të investuar për një ëndërr të madhe të një Shqipërie të rilindur mund të jetë pengesë për këdoqoftë. Përkundrazi është gjëja më e vogël që secili nga ju do të dëshirojë të bëjë dhe do ta bëjë për ta rilindur sëbashku Shqipërinë.
Ne duam të ndryshojë marrëdhënia mes shtetit shqiptar dhe çdo shqiptari në emigracion. Ne duam që shteti shqiptar të mos i zvarrisë emigrantët në radhët e stërgjata dhe të mbushura me korrupsion të konsullatave dhe të ambasadave. Ne duam që shteti shqiptar të investohet për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e çdo emigranti në Greqi, në Itali e kudoqoftë. Dhe madje edhe për të siguruar që edhe kontributet e tyre të mos shkojnë dëm, por përkundrazi kur ata të jenë në moshën e pensionit të marrin diçka nga ky stërmundim i jashtëzakonshëm.
Ne duam gjithashtu që edhe Televizioni Publik Shqiptar të jetë edhe televizioni i emigrantëve dhe të ketë një pjesë të posaçme për emigrantët, për shqiptarët që jetojnë në emigracion.
Ju jeni këtu në një vend që kalon një krizë shumë të madhe. Dhe ju sot jeni me të drejtë të shqetësuar për shumë të reja dhe të rinj shqiptarë, fëmijët tuaj, që mbarojnë universitetin dhe s’kanë punë. Ndërkohë që Shqipërisë i duhen sa më shumë të reja dhe të rinj që kanë mbaruar universitete serioze, jo si universitetet e Saliut me diploma të blera. E pra ne duam që t’u japim mundësi këtyre të rejave të rinjve që të vijnë në Shqipëri, të kontribuojnë për shtetin shqiptar, të kontribuojnë për shoqërinë shqiptare. Të kontribuojnë me atë çka kanë mësuar në universitet, por të bëhen edhe një urë që lidh Shqipërinë me të gjithë ju, një urë më shumë.
Kam shumë shpresë, kam shumë besim se ju, bashkë me plot të tjerë do vini që sëbashku ne ta bëjmë realitet për tërë Shqipërinë, për familjen tonë, atë që bëtë ju për veten dhe për familjet tuaja.”