Rama, hape sërish “hartën”

redaktor

Dalëngadalë po mbushen dy vjet që një milion votues ju besuan votën, z.kryeministër. “Vonesa është hajdute e kohës”, ka thënë i madhi Ajnshtajn. Më falni por, më duket se shpeshherë, ecjes përpara i keni dhënë gabim komandën “në vend numëro”. Ju e dinit dhe e dini shumë mirë se përpara do t’ju dilnin dhe dalin pengesa me ndyrësira pellgjesh të mbetura dhe të sajuara, do t’ju shpifen gropa e hendeqe të kamufluar e të hapur, do t’ju pengojnë kërcunj e gurë të mbirë e të hedhur… Nëse kjo komandë të është bërë e “detyrueshme” sepse keni gabuar ose, më keq akoma, keni humbur rrugën që të çon tek vendi, do të bëni mirë t’i gjeni dhe t’i hapni sërish ato “hartat”. Që të shembej gjithë kjo ngrehinë kalbësire qw trashëguat natyrisht duhej shpërbërja. Por shpërbërja kërkon vullnet dhe fuqi që ta çosh dhe ta arrish deri në fund, ndryshe, ajo të rrokulliset mbrapsht dhe të shtyp më keq seç na ka shtypur. Z.kryeministër! Ju kujtohet se ç’keni deklaruar: “Di vetëm që babai im ka thënë se, nuk ka asgjë më të vlefshme se sa një kujtim i mirë”. Më falni por ngadalësia juaj po e stërlodh, popullin, po e çon drejt atij mendimi “që të gjithë derrat një turi kanë, ndaj është e kotë t’i ndërrosh” dhe së fundi po e shkatërron me atë bindjen e fëlliqur: “Ky vend nuk bëhet”.

Letër e nënshkruar,

Astrit Çerma

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *