Rama i dorëzon certifikatën e pronësisë Kishës Katolike në Elbasan

Leda Hysa

Për Kishën Katolike Shën Piu X në Elbasan ka marr fund problemi i pronësisë mbi tokën, që rrezikoi deri në rrënimin e saj. Ka qenë vetë kryeministri Rama i cili i ka dorëzuar sot Kishës certifikatën e pronësisë.

Më vjen shumë mirë që sot ne i japim fund një kalvari shumë të gjatë, një kalvari absurd dhe të dhimbshëm për komunitetin katolik dhe për Kishën Katolike shqiptare, e cila, pasi kaloi përgjatë flakëve të ferrit të diktaturës, u desh të ndeshej për çerekshekulli me flakët e ferrit të administratës. Praktikisht, siç edhe e dini, u kërcënua seriozisht në ekzistencën e saj këtu në Elbasan dhe më vjen mirë që, përfundimisht, përgjithmonë, nga sot kisha do disponojë pronën e saj të regjistruar dhe të patundur dhe të patundshme më,” u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se qeveria është e angazhuar t’i japë fund problemeve me pronësinë të gjithë institucioneve të kultit në vend. “Ne, për fat të keq, trashëguam një situatë apokaliptike për pronën e komuniteteve fetare dhe prej disa vitesh jemi angazhuar në dhënien e titujve të pronësisë, duke legalizuar godina, kisha, apo xhami të ndërtuara, të rindërtuara nga hiri prej besimtarëve, prej komuniteteve, prej individëve bujarë dhe në të njëjtën kohë duke bërë regjistrimin vullnetar të pronësisë së tyre. Ka ende për të bërë, por besoj që tanimë jemi më afër fundit sesa fillimit shumë të ngatërruar të kësaj historie,” deklaroi Rama.

Nunci Apostolik në Shqipëri, Charles John Brown i ka shprehur Kryeministrit Edi Rama mirënjohjen e veçantë për mbështetjen edhe në emër të Papa Franceskut. “Pikë së pari do doja t’ju thosha se sa mirënjohëse është Kisha Katolike në Elbasan për gjithçka që Kryeministri ka bërë për të na ndihmuar me çështjen tonë të pronësisë këtu. Në emër të Papa Françeskut, e falenderoj Kryeministrin për ndërhyrjen dhe mbështetjen e tij. Sot është një ditë e bukur për të qenë këtu në Elbasan, ndërsa festojmë ditën e parë të verës dhe ju falenderoj edhe njëherë për gjithçka keni bërë”, deklaroi nunci apostolik Charles John Brown.

Kryeministri Rama uroi edhe Ditën e Verës: “Unë jam shumë i kënaqur që urimin e Ditës së Verës ta bëj këtu, duke iu drejtuar të gjithëve ju, vajzave, djemve, grave dhe burrave që janë mbledhur në këtë oborr, ku kam dhe kënaqësinë e veçantë të jem edhe me mikun tonë, nuncin,” u shpreh ndër të tjera Rama.

l.h/ dita

Share This Article
1 Comment
  • Si eshte kjo pune? Na e sqaro dhe njehere. Kush e ka dhene token ne menyre vullnetare. Ti sapo shperbleve Odeta Nishanin per truallin qe ja more dhe ja dhurove kishes.
    Ketu nuk ka te beje bujaria e njerezve, por grabitja e popullit per te kenaqur kredon tende politike duke i bere favor kishes dhe duke shperblyer Nishanin me parate e popullit.
    Keta genjejne hapur fare pa ju dridhur qerpiku. Jepi popull. Paguaj se erdhi vera. Njehere per Lulin dhe 6 here per Kishen e Edi Ramutit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *