Kryeministri Edi Rama inspektoi projektet infrastrukturore në Vaun e Dejës, në Lufë dhe në Pukë, projekte të cilat janë ndërmarrë në kuadër të Programit të Rilindjes Urbane.
Mbas 30 vitesh, 11 mijë hektarëve tokë bujqësore në fshatrat e Lezhës dhe Vaut të Dejës në Shkodër ju rikthehet kullimi. Dhera, ferra dhe inerte e kishin nxjerrë plotësisht jashtë funksionit kanalin kullues në segmentin Gjadër-Mjedë, duke u shkaktuar dëme serioze fermerëve, kur nisnin reshjet.
Në fshatin Kukel, Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet për rehabilitimin e sistemit të kullimit në këtë segment, i financuar nga programi për rehabilitimin e infrastrukturës ujitëse dhe kulluese në fshat.
“Impakti që po krijon gjithë ky program i pastrimit të kanaleve është i ndjeshëm. Por kudo është e njëjta histori, që po futen në ujë, po hapen hapësira për punë në bujqësi, me mijëra hektarë vetëm nga uji dhe ndërkohë mbrohen sepse janë të kanalizuar. Por unë jam i bindur që deri për sezonin e ardhshëm, ne do ta mbyllim gjithë këtë skemë e do t’i kemi gjithë parcelat nën ujë. Dhe këtë fazën tjetër të projektit do ta garantojmë patjetër, sepse ky është një aks që nuk është vetëm thjesht puna për të vaditur një pjesë tokash, por dhe për të garantuar përfundimisht që mos ketë përmbytje dhe histori të tilla, që kanë ardhur nga bllokimi i këtij aksi,” nënvizoi Kryeministri Rama.
Rikthimi i sistemit të ujitjes dhe kullimit, i cili është shtrirë në të gjithë vendin, është ndër projektet më madhore për bujqësinë dhe fshatin. Ai garanton nxjerrjen e mijërave hektarë tokë bujqësore nga harta e përmbytjeve, si dhe vendosjen e mijëra hektarëve të tjerë nën ujë.
Ndërsa në Luf, një njësi e vogël administrative në hyrje të qytetit të Pukës, pPër shkak të kushteve tejet të vështira dhe mungesës totale së kujdesit, ndërtesat ishin kthyer në gërmadha, pa çati, ku uji futej nga të gjitha anët. Prej kohësh, banorët e kishin braktisnin qytezën. Sot, një pas një, asaj po i rikthehen banorët.
Kjo falë frymëmarrjes që po i jep qytezës Programi i Rilindjes Urbane. Me një fond prej 20 milionë lekësh është bërë meremetimi i banesave, përfshirë termoizolimin. Projekti do të vazhdojë në fazën e dytë me asfaltimin e rrugëve, ndriçimin dhe hapësirat e gjelbra.
Në qytetin e Pukës, një investim rreth 115 milionë lekë, fillon transformimin rrënjësor të qytetit, sipas një projekti krejt të veçantë për ta lidhur në të ardhmen qendrën me liqenin. Përveçse e lënë në harresë nga pikëpamja urbane, Puka është edhe ndër zonat me zhvillim ekonomik të munguar.
Ndonëse ka natyrë të mrekullueshme, ajo nuk është kthyer në pasuri për njerëzit e saj. Rilindja Urbane synon të kthehet në një motor të transformimit të Pukës nga një zonë e harruar, në një prej destinacioneve turistike të veriut të Shqipërisë.
“Puka në një hark prej 5 vitesh do jetë një qytet vërtet cilësor turistik. Një destinacion turistik, sepse nuk është një qytet ku t’i kalon për të shkuar diku, por është një qytet ku ti duhet të vish enkas. E që të vish enkas në Pukë ka qenë diçka krejtësisht e paimagjinueshme, sepse infrastruktura shumë e keqe, qyteti i braktisur, ndërkohë që me këto ndërhyrje që po bëhen dhe me shfrytëzimin e potencialeve natyrore që janë të jashtëzakonshme, jam i bindur që do të ndërtojmë një zonë të mirëfilltë turistike të Shqipërisë. Ashtu siç po ndodh me Malësinë e Madhe, do ndodhi dhe me Pukën, ku do të ketë nxitje të punësimit familjar nëpërmjet turizmit dhe një rritje të prodhimit bujqësor në funksion të turizmit në këtë zonë,” u shpreh Kryeministri Rama
