Kryeministri Edi Rama ishte sot në qytetin e Vlorës, ku ka nisur zbatimi i një projekt infrastrukturor me shumë rëndësi për qytetin, ndërtimi i segmentit që lidh rrugën Transballkanike me autostradën Vlorë-Fier.
Kryeministri Rama inspektoi kantierin e punimeve, ku u takua me zbatues të projektit. Rama theksoi rëndësinë e këtij investimi për Vlorën, i cili edhe pse i premtuar shpesh në fushata elektorale, por më pas i harruar, do t’i japë qytetit një hyrje me standarde evropiane.
“Transballkanikja e famshme që e premtonin të gjithë kryeministra, kandidatë për kryeministra, deputetët e kandidatë për deputetë, sa here që kishte fushata dhe pastaj e harronin, më në fund erdhi në ditën kur do të marrë fund dhe do ta bëjmë me rrugë model për një qytet të rëndësishëm mesdhetar dhe turistik. Bashkë me pjesën tjetër të vijës bregdetare apo Lungomaren siç i thonë vlonjatet, janë dy projektet e mëdha që do të çelin fuqishëm rrugën e rilindjes së plotë të infrastrukturës të këtij qyteti, të harruar dhe të braktisur prek kaq shumë vitesh padrejtësisht. Vlora meriton më shumë dhe ne do të bëjmë për Vlorën deri në fund të këtij mandati, më shumë se ç’është bërë në 20 vite të marra së bashku”, u shpreh Rama.
