Kryeministri Edi Rama ironizon shefin e opozitës, Lulzim Basha, lidhur me procesin e legalizimeve. Në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Rama shprehet se çdo lloj shakaxhiu i përparimit të viteve’30 do e kishte zili shakaxhiun e sotëm opozitar.
“Rama po legalizon me tapitë që ne ia bëmë gati!” Çdo lloj shakaxhiu i përparimit te viteve’30 do e kishte zili shakaxhiun e sotëm opozitar!” shkruan Kryeministri.
***
Basha: Legalizimet falas mashtrim, çmimet propozime të rrezikshme
Premtimi i qeverisë Rama për legalizime falas është një mashtrim dhe asgjë tjetër. Kështu deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha, gjatë një takimi me banorë të zonës “Siri Kodra” në kryeqytet lidhur me ecurinë e procesit të legalizimeve.
Basha theksoi se në pr/ligjin e paraqitur në Kuvend nga qeveria, nuk ka asnjë fjali për legalizim falas, madje siç tha ai, qytetarët duhet të paguajnë 13 herë më shtrenjtë se më parë për të marrë tapitë e shtëpive.
Sipas Bashës ky proces duhet të kishte ecur me ritme më të shpejta, ndërsa akuzoi qeverinë se deri tani ka bërë show me tapitë e përfunduara nga administrata e qeverisë së djathtë.
“Nuk jemi mbledhur për të sharë qeverinë megjithëse kjo do të ishte fare legjitime pasi opozitë jemi. Nuk jemi mbledhur për show televiziv pasi këtë na e ka marrë Kryeministri, por jemi mbledhur për një problem shumë të prekshëm, problemin e përfundimit të procesit të legalizimit në Shqipëri. Nuk jam këtu për të bërë avokatinë e asaj çfarë kemi bërë ne, pasi dihet fare mirë që procesin ne e nisëm dhe e çuam deri aty ku pas zgjedhjeve të 23 qershorit e mori qeveria e majtë me premtimin për legalizime falas.
Qytetarëve që kanë problem legalizimet është vështirë tu hedhësh hi syve, të paktën këtu Edi Rama dhe Lulzim Basha janë të një mendje, qytetarët që kanë problem procesin e legalizimit i dinë fare mirë detajet e këtij procesi ndaj është e vështirë, apo e pamundur ti gënjesh. Procesi i legalizimit mori jetë më ardhjen në pushtet të PD që premtoi në 2005 legalizim ,pastaj urbanizim”, deklaroi Basha.
