Kanceri i gjirit, rreth 40 % e grave nuk e dinë që janë të prekura

anazapta

Vuajnë nga kanceri i gjirit, por nuk e dinë. Është ky realiteti shqetësues që mbizotëron në rrethin e vajzave dhe grave shqiptare. Autoritet shëndetësore raportojnë se zbulimi i rasteve me kancer të gjirit në Shqipëri, fatkeqësisht bëhet në stadet më të rënduara, kohë në të cilën trajtimi dhe mundësia e shpëtimit të jetës është mjaft e vështirë, në shumë raste edhe e pamundur.

E gjitha kjo për shkak të mungesës së kujdesit në kryerjen e vizitave të thjeshta që në moshë të hershme. Parandalimi, përmes kontrolleve të hershme tek mjeku ka qenë dhe mesazhi i shpërndarë dje në Ditën Botërore të Depistimit të kancerit të gjirit nën moton: “Kanceri i gjirit mund te luftohet, mjafton të duash”. “Duhet të pranojmë që në Shqipëri nuk ka një program kombëtar depistimi. Depistimi kryhet edhe në mënyrë oportuniste, jo të qëndrueshme. Në Shqipëri ndodhin rreth 300 vdekje nga kanceri i gjirit dhe rreth 500 raste të diagnostikuara e që marrin trajtim”, vë në dukje eksperti i shëndetit në ISHP Alban Ylli në konferencën e zhvilluar dje mbi mundësitë e parandalimit në kohë të këtyre rasteve. Sipas të dhënave të detajuara gjatë konferencës mbi parandalimin e tumoreve është ngritur alarmi se nëpërmjet sistemit shëndetësor shqiptar janë diagnostikuar vetëm 500 raste, të cilat marrin dhe trajtim.

Kjo tregon që të paktën nga pikëpamja teorike 40 për qind e grave shqiptare që janë sëmurë më kancerin e gjirit  nuk e dinë, dhe nuk kanë mundësinë t’a shpëtojnë jetën nëse nuk kanë një ndërhyrje të shpejtë. Shefi i shërbimit onkologjik Agim Sallaku ka deklaruar dje se krahas mungesës së theksuar të barnave , ky shërbim vuan edhe mungesën e specialistëve të mamografisë, ku në të gjithë vendin numëron rreth 50 të tillë.

Po ashtu edhe aparaturat nuk janë të mjaftueshme. Vendi ynë ende nuk disponon një regjistër kombëtar për rastet me këtë lloj tumori dhe të ketë një plan që të përsëritet periodikisht për depistimin e rasteve të reja. Për t’i dhënë fund kësaj situate problematike është menduar gjatë muajit tetor në vend me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë, kontrollet si mamografia apo analiza të tjera të ofrohen falas. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe kryeministri Edi Rama, kreu i shëndetësisë Ilir Beqaj, specialistë të shëndetit publik dhe spitaleve në të gjithë vendin.

 

Ilir Beqaj: Trajtimi i mundshëm

Trajtimi është në çdo rast i mundur dhe sëmundja mund të kapet shumë herët nëse bëhen tre ekzaminime të thjeshta. Që në moshën 20 vjeçare gratë duhet të nisin vetëkontrollin e gjirit, me kalimin e moshës të paktën një herë në vit duhet të bëjnë edhe ekografinë e gjirit, si dhe mbi 35 vjeç duhet filluar edhe ekzaminimi përmes mamografisë . “Por, fatmirësisht, sot ekzistojnë njohuritë për të parandaluar një të tretën e të gjithë sëmundjeve tumorale, për të shëruar një të tretën e tyre dhe për të frenuar dhimbjen dhe vuajtjen në pjesën më të madhe të tyre. Forma kryesuese e kancerit në vendin tonë përsa i përket shpeshtësisë për femrat është kanceri i gjirit. Por, ashtu si për sëmundjet tumorale në përgjithësi, informacioni për treguesit e shëndetit apo kujdesit shëndetësor edhe për kancerin e gjirit, lidhjet e tyre me treguesit bazë socialë, në nivel individual dhe kombëtar janë të mangëta, të pasakta, të fragmentarizuara dhe jokoherente. Për pasojë, edhe vendimmarrja realizohet në mënyrë joprofesionale”, ka deklaruar ministri Beqaj.

 

Kryeministri Edi Rama

Një mesazh sensibilizues ka përcjellë kryeministri Edi Rama, i cili e ka konsideruar depistimin e tumorit të gjirit një betejë të vështirë për kushtet aktuale që ofron vendi. “Unë besoj se s’ka arsye që ne të gjithë të mos angazhohemi në mënyrë të ndryshme përtej kësaj date të veçantë botërore për të rritur nivelin e informimit dhe për ti informuar gratë dhe vajzat që janë çdo ditë të kërcënuara nga kjo sëmundje. Ne s’duhet të mbetemi në fjalët e kësaj dite që kanceri i gjirit përveç se i parandalueshëm është i shërueshëm nëse kapet përpara se të shtrihet. Qeveria, organizma të ndryshme joqeveritare dhe aktorë të tjerë, duhet të angazhohemi për të rritur nivelin e informimit për kancerin e gjirit, dhe për të ngulitur në vetëdijen e grave rrezikun e kësaj sëmundje, dhe rëndësinë e kontrolleve të shpeshta. Të gjitha gratë dhe vajzat duhet ta mësojnë se kanceri i gjirit është i parandalueshëm dhe i shërueshëm, përpara se të shtrijë rrënjët në gjirin e gruas. Është një reflektim, për numrin e lartë të vdekjeve nga kjo sëmundje, dhe rëndësinë e depistimit të saj në fazë të hershme” tha Rama.

Share This Article
1 Comment
  • ZOTI RAMA : duhet te gjenden aresyet pse kjo semundje po perhapet me shumIce ne shqiperi ,duhet pare dhe kontrolluar ndotja e atmosferes sidomos ne tirane dhe qytetet e tjera te medha ,ndotja e ujit te pishem (ANALIZA KIMIKE),perimet dhe frutat sa pesticide jane ne to,te lashtat dhe miellrat gjithashtu ,vajrat dhe amballazhi i i tyre (shishe kavanoza teneqetdhe plastika ) dhe produkteve te tjera te amballazhuara SI DHE USHQIMET E GATESHME SI DHE NDOTJA E TOKES NGA HIDROKARBURET(VAJRA MAKINASH BENZINA NAFTA ) SI DHE LENDE RADIOAKTIVE NGA SHPERTHIMET E PREDHAVE DHE MBETJET INDUSTRIALE!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *