Kryetari i Partisë Socialiste i ka dërguar një letër të hapur presidentit të republikës, përmes të cilës kritikon qëndrimin e tij në lidhje me festimet e 100-vjetorit të pavarësisë në Vlorë. Në letrën e tij, Rama nuk i kursen kritikat ndaj Nishanit në lidhje me largimin nga Vlora, për të festuar në Tiranë, së bashku me maxhorancën.
“Ju treguat se e vetmja atdhedashuri për ju është partishmëria. Ju duhej të organizonit drekën zyrtare në Vlorë, por në fakt rendët pas kryetarit tuaj në Tiranë. Ju e fyet kryeqytetin e pavarësisë, duke i kthyer kurrizin”, thotë kryesocialisti Rama në letër.
Më tej, ai e cilëson Nishanin si një person të papërshtatshëm për postin e presidentit të vendit. “Ju mbeteni i papërshtatshëm për postin e lartë. Ju jeni përgjegjës për një zhvillim negativ të institucionit që drejtoni. Ju nuk jeni në gjendje të silleni si kryetar shteti as për qoka”, thuhet në letër.