Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama premtoi hapjen e një lufte frontale me krimin dhe vendosjen e autoritetit të shtetit mbi gjithë territorin përmes policisë së shtetit në 300 ditët e para të qeverisjes socialiste.
Në një takim me policët e liruar, ku është prezantuar edhe strategjia e opozitës për këtë kategori, kryesocialisti Rama theksoi sërish se punonjësit e policisë sot ndihen të braktisur nga shteti ndërsa krimi ka krijuar epërsi.
“Opozita e ka të pamundur të kontaktojë publikisht me gjithë shërbëtorët e shtetit, nga ata me uniformë tek ata në kujdesin shëndetësor e me radhë, po këtë privim e kanë edhe shërbëtorët e shtetit, nuk komunikojnë me opozitën ashtu si komunikojnë në gjithë botën demokratike. Kam pasur kontakte rrënqethëse me familje të policëve të vrarë dhe të dyja anët e medaljes janë tronditëse, ku është katandisur sot policia e shtetit dhe në ç’varfëri jetojnë sot familjet e komisarëve apo policëve të vrarë” tha Rama.
Rama ka ripërsëritur sërish se problemi më i madh për Shqipërinë është mungesa e tre pushteteve dhe jo miratimi i tre ligjeve.
“Shqipërisë sot nuk i mungojnë tre ligje për të hyrë në Evropë, por tre pushtete; pushteti legjislativ që është peng i ekzekutivit, ekzekutivi që është peng i korrupsionit dhe gjyqësori që është peng i korrupsionit dhe ekzekutivit”, tha ai.
Rama ka theksuar më tej se vendit nuk i mungojnë ligjet për të luftuar krimin por ligjshmëria dhe shteti i cili duhet t`i zbatojë ato.
“Policia sot është e tradhtuar, e braktisur, e rrënuar. Ky nuk është rezultat i hulumtimit të vrasjeve, apo kontrabandimit, por fakt që provohet edhe nga pamja e rrënimit moral e profesional të vetë policisë së shtetit” shtoi Rama.
Rama premtoi gjithashtu se Partia Socialiste gjatë qeverisjes së saj do të rrisë me 70 përqind pagat e punonjësve. “Një inspektor që sot merr sot mbi 300 mijë lekë, vetëm në mandatin e paraë qeverisë do e cojmë mbi 500 mijë lekë” tha ai.
Kreu i PS theksoi se pjesa më e madhe atyre që aspirojnë të hyjnë në polici kanë një mesatare 5-6, ndërsa garantoi se gjatë qeverisje socialiste do mblidhen bashkë drejtuesit dhe punonjësit e policisë së kualifikuar, një pjesë e hedhur në rrugë për të rikthyer dinjitetin e policisë brenda 300 ditësh.
